top of page

AISHE STARI


Kujtime: SHOQJA IME E KLASËS AISHE STARI

Nga Miho Gjini

"Mjeshtër i Madh"


Më 21 maj, ka ditën e lindjes shoqja ime e klasës AISHE STARI,-e hollë dhe e gjatë, si një "majë gjërpëre",po ama edhe e bukur,-ndofta e vetmja që sillej me ne studentët, me tonin e saj fëminor që ishte tek ajo një shprehje komunikimi afërsie e dashurie vëllazërore dhe që po kështu do të mbetej deri në këtë moshë, kur do të delte edhe në pensjon pleqërie si artiste e mëvetëshme në Estradën Profesioniste të Durrësit. Me një reputacion të nderuar si Artiste e Merituar, për interpretime dinjitoze humoro-satirike,në mëse 200 role "të vogëla" e daljesh në skenë,si vajzë, grua e fëmijë e të gjitha moshave. Me një profil krejt të veçantë, e imtë dhe elegante gjithmonë, në gjithë jetën e saj skenike, si edhe me pesë ekranizime. Me plotë finesë ajo erdhi midis nesh sikur na njihte dhe me parë, kurdoherë me të njëjtën çiltërsi e ëmbëlsi. E ndjeva menjëhere afërsinë e saj, pa asnje ndroje, tek më thërriste "Mini i Vogël" e unë, paksa i shkurtër e i ndrojtur,-sikundër isha,-do të skuqesha menjëherë. Mirëpo në vitin e dytë pedagogu Andrea Malo na bëri bashkë në komedinë e Foqion Postoit "Martesa e një Avokati", ku unë do të isha Avokati dhe ajo, Zonja Aristoikrate, e rradhitur me zonjushat e tjerra që kërkojnë t'i "imponohen" Avokatit Piterson për marteseë, meqënse ky shqiptar i mërguar në Amerrikë, me emrrin Petro e i mbiquajtur Piterson ka mundur të vërë njëfarë pasurie e kishte krijuar një zyrë avokatore, me klientelë të gjërë dhe me emër që lakmohej, aq më tepër se kishte shpallur edhe kandidaturën për martesë. Aishe Stari do ta interpretonte këtë rol me shumë finesë e naze prej nje "zonjushe aristokrate" të rrënë nga vakti i saj, e cila kërkonte të më imponohej me sjelljen e një kokete, të më "varrej në qafë" si kramastar! Me këtë komedi, ne do të fitonim të drejtn morale e atë profesionale që shfaqja të jepej edhe në skenën e Teatrit Poullor,-sikurse quhej në atë kohë. Ndësa, me dy rolet e tjera të saj, në shfaqjen-përrallë të Andon Panos "Ylli i Alpeve" dhe të komedisë së Shekspirit "Shumë zhurmë për asgjë", Aisheja vërtetoi edhe një herë se kishte talentin e spikatur për të bërë humor me serjozitetin e saj,-gjë që përcaktoi përfundimisht edhe trupën e ardhëshme profesioniste ku do të punonte:në qytetin e saj dhe pikërisht në Teatrin e Estradës së Durrësit, ku drejtonte një regjisor me emër:Gjergj Vlashi,- njëherësh edhe shkrimtar e përkthyes nga disa gjuhë të huaja, i cili i kishte dhënë publikut shqiptarë shfaqje me dinjitet artistik e me një humor elegant, duke qënë edhe autor i teksteve të shfaqjeve të veta...

Që në shfaqjet e para :"Stafeta e viteve", "Operacioni", "Në rend të ditës" e "Kush e ka rradhën?", Aishe Stari krijoi figura e karaktere të ndryshme personazhesh që dalloheshin nga njera-tjetëra, me mjete shprehëse sa të kursyera , aq edhe kuptimplote. Herë-herë edhe si prezantuese e hijëshme, po edhe si kupletiste e parodiste në avanskenë. Edhe si aktore interpretuese në skeçe e monologje,-ku ajo qe krejtë e lirshme, me plotë detaje funksionale. E zonja gjithashtu edhe të bënte imitacione njerëzish të ndryshëm, sidomos zëra fëminor, që i arrinte me përsosmëri. Ajo dinte të ndryshonte, jo vetëm veshjen e personazheve të saj, po edhe fytyrën e rolit e të moshave përkatëse, gjithmonë me humorin në buzë, me fjalën e diksionin e pastër e karakteristik, në cilësimet e personazheve të saj. Ne spektaklin "Errdhi Televizori" Aishe Stari ra në sy edhe për një interpretim të mënçur të vajzave fshatare, në kundërshtim me atë trajtimin e mëparshëm të tyre të prapambetur, me natyrën debile e injorante, enkas për të bërë humor me domosdo. Krejt ndryshe e paraqiti ajo edhe figurën e gruas qytetare, në shfaqjen "Zjarr mbi thashethemet". duke krijuar tipin e atyre grave që merren me thashetheme, që e bëjnë "qimen tra", që të "sharrojnë" me llafet, si me të "shtëna mitralozi"!. Ndërsa në një tjetër shfaqje, të titulluar "Kush e do fjalën?", Aishe Stari krijon një figurë groteske, Kasandrën, që kërkon "ta nxjerrë të bijën nga shtëpia, sa më parë që të jetë e mundur dhe ta martoje kundra vullnetit të saj. Ky zmadhim që ajo i bënte rolit të Kasandrës, ishte organik e krijonte besueshmëri karakteri, duke e aritur figurën komike me serjozitetin maksimal. Kështu, nga shfaqja në shfaqje, Aishe Stari arinte të dallonte personazhet, duke i individualizuar ato. Shquante vajzën nga vajza tjetër, gruan nga një trjetër grua, plakën nga plaka, po edhe fëmijën nga fëmija tjetër! Dhe ishte gjë e rallë për publikun që të shihte në skenë një "fëmijë" të interpretuar nga Aishe Staari, që fare bukur thumbonte sjelljet e prindërve e të riturrve, përreth vetes. Ndërsa në një shfaqje tjetër ajo shfrytëzonte me mjeshtëri bisedën me kukullën, për të atakuar sjelljen e burrave në shtëpi, në jetën shoqërore e veçanërisht në autobuzat urban. Kurse, në një komedi me një akt, kundër pushtimit Çek nga Rusët, Aishe Stari e transformon veten në një figurë groteske që bisedon me Shvejkun, duke satirizuar ushtarët rus që zbresin nga tankset e tyre të pushtimit, për të pirë birrë me Shvejkun e Hashekut e ajo i sfidon ata me një satirë fortë të hollë e shpotitëse. Dhe paskëtaj ,në komdinë e Çajupit "Pas Vdekjes," ajo do të krijojë figuren simpatike të Lulushes së rafinuar që di aq mirë të vërtisë figurat e molepsura të Adhamudhit e të Vrukos, që duan të dinë se çfarë do të flitet për ta, pas vdekjes së tyre! Krejt ndryshe, me paraqitjen e një vajze bashkëkohëse e të mënçur do të jetë Aishe Stari në komedinë e Dionis Bubanit "Patriarkali modern", ku ajo "operon" me mprehtësinë e fjalës së saj, me inteligjencën e shpotitjes sarkastike e me goditje të tërthorta. Për të kulmuar me rolin e një vajze optimiste të kohës, në operetën"Dallget", ku ajo shquhet edhe për vokalin e saj të këndshëm... I ndiqja në vitet 60 e 70 të shekullit të kaluar që të gjitha shfaqjet e Aishes në Durrës, e cila qe bërë shumë e njohur për profilin e saja të veçantë në të gjithë Shqipërinë,-e shpallur edhe si Artiste e Merituar. Vajtja ime në Durrës kushtëzohej edhe me dy arsye të tjera: Së pari, aty kisha jetuar më shumë se tre vite, ku edhe punonte im atë (në Portin e Durrësit, dersa u aksidentua),e pata krryer edhe shkollën 7 vjeçare "10 korriku". Si edhe, e dyta, në Durrës ishin emëruar edhe tre të tjerë nga shokët e klasës time:Donika Barçi që jetoi e punoi fare pak në teatër, me një talent të spikatur, Filika Dimo,-e talentuar edhe ajo, e preferuar edhe per ekranin, si edhe Milto Profi, i prirur më së tepermi ndaj komedisë. Ne e pinim kafen, më qtësisht në shtëpinë bujare të priftit të Durrësit, që ishte i ati i Filikës, duke sjellur aty edhe atmosferën rinore e vëllazërore të shkollës së parë të aktrimit, me ëndrrat tona të zjarrta...Dhe, kur do të kthehesha përsëri në Durrës, pas picirit të gjate të internimit e të burgimit politik,-i angazhuar për të shkruar një liber për aktorin virtuoz të këtij teatri, Nikolin Xhojën, do të gjeja e të pija një kafe vetëm me Aishen, miken time të herëshme, për të cilën kisha botuar edhe nje portret krijimtarie në prillin e vitit 1971 në librin tim "ESTRADA". Donika nuk jetonte më. Filika kishte emigruar në Belgjikë, ndërsa Milto Profi gjithashtu qe larguar nga jeta disa vite me vonë. Ndërsa baranga ku unë jetoja, kur isha i vogël, në një varfëri të thekëshme nuk egzistonte më. Po përsëri isha i lumtur që kisha shkruar edhe një libër për një artist të mrekullueshm të këtij qyteti, për të madhin Nikolin Xhoja, me origjinë italjane dhe do të takoja aty miqt e mi regjisorë, Gjergj Vlashin e Haxhi Ramën, po edhe Aishen, që kishin punuar me Nikolinin në skenën e shenjtë të teatrit. Në promovimin e monografisë se Artistit të Popullit Nikolin Xhoja, do të asistonte dhe fliste me përgjërim edhe Aishe Stari, së toku edhe me kolegët e tij Margarita Xhepa,Lutfi Hoxha, Hysen Bashhysa, Aleks Lazari e të tjerë me rradhë....Po unë do të prekesha, ca më tepër me miken time AISHE STARI, që e admironte Xhojën, me të cilin ajo lozte me të në skenë krejtë e frymëzuar, kishte miqësi dhe e kishte qarë me lotë, kur atij i burgosën të birin, si edhe kur nuk i pranuan as arkivolin për ta nderuar, për të fundit herë, në fuajen e Teatrit , ku ai la gjithlë ato vlera pasionante rolesh të arta....Se patëm jetuar në ato kohë të tmerëshme, me njerëz të tmerrshëm dhe çuditemi si jemi gjallë akoma, moj Aishe, mikja ime, që u përlote edhe me mua kur më pe përsëri së gjalli... Dhe do ta pinim kafen tani, diku në Hyrje të Durrësit, kundruall Stacionit të Trenit, po me atë ngazëllim si dikur, edhe pse mbi kokat tona rëndon dëbora e maleve dhe flokët e Aishesë duken sikur rezatojnë një rrugëtim të gjatë, prej ari, qysh kur ishim të rinjë 20 vjeçarë, po edhe kur ajo hijeshonte midis Mihal Popit e Sandër Ptrosit, kur delte në skenë më pastaja me Meropin e Nikolin Xhojën,me Spiro Stratin e Enver Likmetën, me Fadyl Hasën e Muharrem Hoxhën dhe kur sillej si e barabartë ne jetë e në skenë me ish nxënësen time Sanije Hoti , apo kur jepte e merrte shkëlqim midis artisteve të tjera,më të reja se ajo, bile edhe kur e rrethonin me dashuri fëmijët e kopshteve dhe të shkollave të Durrësit,apo kur gjëndej , e thjeshtë dhe e madhërishme njëherësh, si ikonë e teatrit, e rrethuar me venercion nga Gjergj Vlashi, Mario Ashiku, Mirush Kabashi, Driada Dervishi, Mimi Marjanaku, Lume Dashi e të tjerë me rradhë, si në një rrugëtim fort të gjatë, bashkë me Teatrin dhe Esstradln edhe ajo, STARI Aishe Stari...

Shkruar në Athinë, disa ditë para përvjetorit të lindjes se STARIT , më 20 maj 2022.



34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page