SHKODER, 2 KORRIK 1950...
Don Kolec Prennushi, ishte shoku i rinisë në Linz të Austrisë i At Pjeter Mëshkallës, që studjonin bashkë në 1918, per me u ba meshtar. Mbas kthimit n’ Atdhe kanë vazhdue miqsinë e Tyne deri në vdekje. Tregonin pleqtë se me arrestimin në vitin 1946 të At Meshkallës, Don Kolecit i pat ra idhnim i madh per Te. Kishte frikë se qendrimi i At Mëshkallës në hetuesi, përballë atyne bishave të sigurimit, edhe mund ti shkurtonte jeten... Kur Don Koleci sherbente famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, nuk vonoi dhe me 5 Dhetor 1948 kje arrestue edhe Ky. Kje lirue plot mbas 11 muejsh, në Nandor 1949, i smurë me probleme zemret... U lirue gjoja per mungesë provash... Mbas pak muejsh, me 2 Korrik 1950, Don Koleci papritmas vdiq në Shkoder. Vdekja e Tij kje jo vetem e parakohëshme, por shumë e randë per Nanen e Tij, e cila jetonte gjithmonë tue i shikue sytë e ballit edhe pse ishte djali i madh i Saj. Kur u lirue Don Koleci, Nana Nine mendoj se i shpetoi Djali. Vdekja e Tij e gjymtoi Nanen e Tij përgjithmonë... Sytë e Saj nuk shifeshin njëherë pa rrigue lot. Vuejti plot 11 vjet mbas Tij. Tregonin se një i njoftun i Don Kolecit, shkoi me pa një njeri të vetin në Burgun e Burrelit dhe i tregoi atij per Don Kolecin...
Fjala eci dhe shkoi e i ra në vesh Pader Mëshkallës, i cili nuk e pritte kurr atë vdekje... Ishte një moment shumë i randë edhe per të gjithë ata që e njifshin afer At Meshkallën... Ai idhnim i vazhdoi disa ditë, sa herë që nder biseda dikush i kujtonte Emnin e Mikut Tij Don Kolecit. Pak kush e dinte se Pader Mëshkalla kishte humb jo vetem një shok... Miqësia mes Tyne kje aq e fortë sa koha, vetem, sa vinte e i lente mresa. Kur doli nga burgu At Mëshkalla, vizita e parë kje ajo që erdhi dhe me lot perfaqe përqafoi Motrat e nipat e Don Kolecit... Fatkeqsisht, Nana Nine nuk jetonte ma prej vitit 1961... Në kujtimet e veta At Pjeter Mëshkalla kujtonte gjithnjë një prej thanjeve të At Zef Valentinit per Don Kolecin disa vite të shkueme: “Don Kolec Prennushi asht Kardinali i ardhshem i Kishës Katolike Shqiptare” (1938). Ndersa, Prof. Ernest Koliqi transmetoi në radio nga Italia: “Shuhet edhe një penë e artë e letersisë sonë, vdiq në Shkoder pa pritmas me 2 Korrik 1950, Don Kolec Prennushi, letrar i shpresave të mëdhaja...” (1950) Më tregonte At Mëshkalla njëherë kur e kishin ftue në Vjenë Don Kolecin per një pretk për Këshndella, aty nga 1937, sesi kishin shkue bashkë atje. Kur Ai po predikonte, një Vienez i ishte afrue At Mëshkallës dhe e kishte pyet: “Ku sherben ky Prift, se do të shkojshe perditë me ndigjue pretkun e Tij?..”
At Pjeter Mëshkalla ka lanë të shkrueme nder kujtimet e veta:
“...Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit. Atëditë kam kja perherë të parë...”
Prej asaj kohë më ka pasë tregue At Mëshkalla se: Me 2 Korrik, ç’prej vitit 1951, Ai e kujtonte në një Meshë që i kushtonte në çdo vit me atë datë Mikut vet Don Kolec Prennushit.
Po, ajo që do të theksoj në këte shkrim asht prania me të cilen At Mëshkalla, u gjet në çastet e fundit të jetës tek dy Motrat e Don Kolecit që i kishte si motrat e veta: Tek Nana ime, në vitin 1984 dhe, tek Tezja Rozë, në 1988. Një mrekulli e vertetë: Pak muej para se At Mëshkalla, do të mbyllte plot lavdi e vuejtje jeten e vet prej Martiri të vertetë me 28 Korrik 1988...
Per mue Portreti i At Mëshkallës, kur dikush i kujtonte Emnin e Don Kolecit, asht i paharrueshem e ndoshta, Ai më ka shty që me e vizatue me një dashuni dhe kujdes të posaçem...
Comments