Fatmir Terziu është shkrimtari shqiptar më produktiv që kam njohur në aktualitetin e sotëm. Libri i tij i fundit "D®itari” me refleksione është padyshim një arritje në karrierën e tij të botimeve. Në këtë libër, ai shpreh ndjenjat, refleksionet dhe përvojat e tij personale nëpërmjet një ditari personal të kujtesës së tij e memorizuar nëpërmjet shënimeve të kahershme dhe mbresave që aq bukur na i servir. Analizat dhe refleksionet në libër përfshijnë shpesh temat e identitetit, vetëdijes, marrëdhënieve njerëzore dhe refleksioneve filozofike mbi jetën.
Libri ofron një rrugë të fshehtë që depërton thellë në zemrën e autorit. Mendimet dhe ndjenjat shfaqen në mënyrë të pashmangshme për lexuesin. Gjatë leximit ndeshesh me shënime të thella që autori na i përcjell nga skutat e shpirtit të tij. Në faqet e librit hasen vazhdimisht ndjenja të theksuara për çështjet që lidhen me vendlindjen, jetën, politikën, udhëtimet, duke shpalosur në mënyrë të qartë dhe të ndjeshme, dhe për të kapur thelbin edhe shkëlqimin e secilës prej temave që ka trajtuar.
Nëpërmjet D®itarit të tij, Terziu përcjell ndjenjat e tij të thella dhe përjetimet personale, duke e bërë librin një rrëfim të ndjeshëm dhe që të përpin gjatë leximit. Ai analizon gjithashtu dinamikën e jetës së tij personale mjaft dinamike në kontekstin e shoqërisë dhe kohës në të cilën jeton.
Për më tepër, Terziu shpreh edhe refleksione mbi kulturën, historinë dhe traditën shqiptare, duke e bërë librin e tij një vepër që e kapërcen përvojën personale dhe hyn në sfera më të përgjithshme dhe universale të njerëzimit.
Kësisoj, libri "D®itari" i Fatmir Terziut ofron një pamje të thellë dhe të ndjeshme të mendimeve dhe ndjenjave të një autori shqiptar që shpaloset nëpërmjet një këndvështrimi krejt të veçantë me plot vërtetësi dhe art.
Që në krye të librit autori na fut në spiralet e vetëdijes e në brendi do përjetosh ëndrrat, imazhet, arsyen, dehjen, lumturinë e gjithçka që ai na e servir në vende e kohë të ndryshme për të na trasmentuar bukuri estetike dhe mesazhe të rëndësishme. Këto radhë janë veçse një ftesë e sinqertë për lexim dhe më besoni që do e shijoni shumë.
Comments