Ag na ndjek nga Lart
(… e mbajti thellë hirin e Librit, që t'i sjell verë Joniane edhe Dimrit!“
Fatmir Terziu
Le të kthehemi tek kartoni, kartonizimi i Librit. Rikthim(i) në hi, hirin e librit nga duart e misterit, e pastaj le të rilexojmë brendinë e padukshme të shpirtit, përtej lukunisë së kohërave të mizorive të mistrecit. Le të rilexojmë mrekullitë e shpirtit të pavdekshëm të Poetit, verdiktit të artistit. Më saktë të Njeriut, ndër më të Thjeshtit, atij që përtej titullit të „Mjeshtrit…“ i përfshihej edhe më e ndjeshmja, më e duhura e vlerës së dhënë e të dedikuar prej Tjetrit. Natyrisht, sot mes ligjësisë së shkrimit, të gjithë e kuptojmë se shkojmë të rigjejmë mjeshtërinë e poezisë së Agimit…
Ag-ut të lehtë të Jonit, Jugës dhe Jugut, autorit që më 10 Maj 2021 na la të gjithëve një pikëllim mbi dhjetëra vëllime në poezi dhe prozë. Ai, pra Agim Mato, „Mjeshtër i Madh“ nuk është thjesht se mbetet një nga emrat e përveçëm ndër njerëzit e botës së artit, medias dhe kulturës në Sarandë, por emri i tij shkon tutje e tutje më lart, më Larg dhe mbetet për të gjithë ne, për brezat një Ag... Ag ishtë dhe mbeti i tillë në fakt, poet e krijues i dimensionit mbarëkombëtar, i përkthyer në anglisht, italisht, bullgarisht, greqisht e në disa gjuhë të tjera. Agim Mato la pas vlera, dhe vepra.
Kartonizimi për të ishte një brengë. Brengë që mbeti në shpirtin e tij, dhe i përcëlloi trupin si një zjarr i tërbuar mes Dimrit, se kishte të bënte me dhimbjen e Librit. E ai kartonizim ishte jo thjesht një simbol i hirit pasiv, por ajo që Ag e thoshte me gjithë shpirt „një kriminel masiv“. Dhe ne qeshnim e shakatonim. Ndoshta nuk e kuptonim thelbin e dhimbjes së tij që digjej tek shpirti: „një kriminel është një pluhur hiri“.
E në Ag-un e shpirtit të tij një dhimbje e tillë prej hirit kriminal ishte vërtet një pluhur kriminal i hirit. masa e dhimbjes së hirit të librit ishte masë e masave, masa ishte masë e hirit, hiri ishte hiri i hirit, hiri ishte hiri i masave, dhe një e tillë prej hirit kriminel ishte hiri i tij i hirit të kriminelit të librit. Dhe kjo e torturonte ndjesinë, gjendjen, shpirtin e Agimit. E torturonte se ai shikonte me këtë veprim të kartonizimit të librit pluhur në masë, masë në pluhur. Ndjente dhe përtypte në vetvete, duke u paqtuar me veten e tij dhe me vargun e tij poetik, se pluhur në masë, do të thoshte masë në hi, pluhur në masë, hi në dhe mbi hi. A ekzistonte për të qetësi?
Agimi e dinte se shuhej me kartonizimin vetë bukuria, se vetë bukuria është një masë e bukurisë, se bukuria është një masë hiri, bukuria shikon bukurinë në hirin e saj, kur bëhet fjalë për bukurinë e bukurive të një libri. E Ag e dinte se vëzhguesi i bukurisë është vëzhguesi i një krimineli masiv, se një kriminel është një kriminel masiv i bukurisë, një kriminel masiv është një masë bukurie e përcëlluar prej Dimrit, një kriminel masiv është një bukuri e tretur prej hirit, një kriminel masiv është një pluhur pluhuri, pluhuri i pluhurit, hiri i hirit, bukuria e bukurisë, pluhuri i pluhurit të Librit, hiri i hirit, bukuria e hirit, pluhuri i pluhurit, hiri i hirit, masa e masës…, tretja e Njeriut, vetë derivatit të klasës. Por e dinte se kurrë nuk do të mundeshin të kartonizonin tërë pamjen, tërë detin, tërë hapësirën, tërë shënjat dhe simbolikat e Sarandës. Ato mbetën, janë jetojnë, në Fundó-n e mrekullueshëm poetik, jetojnë pa frikë, jetojnë dhe shfaqen gjithkund se nuk kanë Fund.
Mallëngjyes ky shkrim i z. Terziu dhe i thellë hidhërimi për Poetin e Madh dhe Mikun e tërë poetëve, Agim Mato! Ikje e parakohshme dhe dhimbje për njeriun e mirë, por dhe tërë poezinë që mori në shpirtin e tij me vete për në të tjera dimensione duke na lënë shumë më të varfër. Këtë kanë poetët dhe artistët, të gjithë ikin siç kanë lerë nga kjo botë dhe ata ikin të shoqëruar nga arti i tyre. Ai që do të na shoqërojë dhe ne, sa herë "të jemi mërzitur shumë".
Era Mato Mane
Faleminderit xhaxhi Fatmir ! Jo të gjithë e njihnin kaq thellësisht sa ju botën e tij të brendshme. Faleminderit për miqësinë tuaj të sinqertë kundrejt babit !
Kostandin Vogli
Ke bere nje koment te shkelqyer Profesor. Nje shkrim qe e meriton Poeti Agim Mato. Shoku yne sarandiiot na iku para kohe. Pershendetje nga ne .
Timo Merkuri
Bukur, qartë, saktë dhe konçize deri ne "bërthamizim" ky shkrim i denjë për poetin mjeshtër. Më shumë se një falënderim ju takon një mirënjohje e sinqertë nga miqtë dhe shokët e poetit.