top of page

Adelina Pali: UNË VENDOS TË NDRIÇOJ




 

E pashë botën me zemrën dhe sytë si të një fëmije... Po! Si një fëmijë që zgjat duart drejt diellit, duke besuar se ngrohtësia e tij është për të gjithë njësoj.

Fjala ime ishte e ëmbël e butë, sytë e mi të mbushur me mirësi, duart e mia si gjithmonë gati për të ndihmuar.

Zemra ime nuk kurseu, as nuk peshoi se kujt i takonte më shumë e se kujt më pak. Sepse dashuria, mendova, është si uji i burimit — rrjedh e shuan etjen e gjithkujt që i afrohet.

Por për çdo fjalë të mirë, mora një shigjetë. Për çdo buzëqeshje, një përbuzje. Për çdo dorë të shtrirë, një grusht të fortë. Dhe sërish nuk e kuptova pse.

A nuk ishte dashuria ajo që duhej të lindte dashuri?

Sa më shumë dashuri e mirësi jepja, aq më shumë shihja fytyra që  largoheshin, buzëqeshje të thyera që ktheheshin në përçmim, shpirtra të zinj që nuk dinin ta vlerësonin atë dashuri dhe mirësi të sinqertë.

Thashë me vete: - Si mund të jetë kaq e dhimbshme të jesh njeri i  mirë? Si mund të këmbehet dashuria me urrejtje?!

Megjithatë, unë nuk ndalova kurrë. Sepse nuk dija të jetoja ndryshe. Sepse brenda meje drita nuk mund të shuhej nga errësira e të tjerëve.

Kuptova që nuk është dashuria që na dobëson, por pritshmëritë tona se ajo do të na kthehet njësoj. Dashuria e vërtetë nuk matet me atë që marrim pas saj. Ajo është si një dritë që ndriçon, edhe kur askush nuk e sheh. Ndaj unë vendosa të vazhdoja të ndriçoja, edhe nëse sytë përreth meje ishin të mbyllur.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page