top of page

Abdurahim Ashiku: DRITËRO AGOLLI DHE MËRGIMTARËT E RINJ



 

Nga takimet e gazetarit me njeriun e madh të letrave shqipe

 

Dritëro Agolli...Jetë e një njeriu që me “Baltën e Devollit” në trastë u ngjit rrugëve të thepisura të jetës, rreshtave partizane për tu bërë pjesë e fitores në Luftën e Madhe Antifashiste të Popujve të Botës, bankave të shkollës që nga Gjirokastra në Leningrad, fushave e maleve të Shqipërisë si gazetar, kalasë së madhe të letërsisë si poet e shkrimtar. Ai, me dashurinë dhe thjeshtësinë e tij karakteristike mbetet mbi të gjitha NJERI…Me këtë NJERI do të desha të bisedoj sot nga larg, rrugëtimit tim në takimet me Të në një shtëpi-apartament të thjeshtë në qendër të Tiranës, SHTËPI  e cila për mua është dhe do të mbetet Kështjella e Kuvendit Poetik e Njerëzor Shqiptar…

Korrik 1996…

Ishin kohë të vështira, ndoshta  më të vështirat e jetës sime. Kishte ndodhë vjedhja më e madhe e vullnetit të popullit, 26 MAJI 1996. Kishte ndodhë rrahja dhe gjakosja më e frikshme e kohës që kalonim, në sheshin “Skënderbe“ përpara syrit të kamerave dhe aparateve fotografike nga e gjithë bota, 28 MAJI 1996. Nuk ka nevojë të bëjë ndonjë koment. Janë dy ditë që flasin dhe do të flasin gjatë në historinë e kohës sonë, dy data që do t’u paraprinin “ DIMRIT TË MADH – 1997 “…Ditët që pasuan, në atë qosh të hartës gjeografike ku  kish bërë rrënjë jeta, i ngjanin një mengeneje që çdo ditë shtrëngohej, i ngjanin një kazme që kërkonte të më shkulte rrënjët…Një ditë të mes korrikut e ndjeva se po më prisnin rrënjën boshtore të qenies sime. Vendosa dhe ika natën. Në anët tona shprehja “Ikje natën” ka në thelb dhimbjen më të madhe njerëzore, shkuljen nga vendi ku ke parë për herë të parë dritën e diellit me dëshirën  ta shohësh edhe për herë të fundit. Përdore kisha djalin që sapo i kishte mbushur të katërmbëdhjetat…Drita më kapi në Tiranë. Kisha një vizë njëmujore. Më duhej të udhëtoja drejt një vendi që i njihja njeriun e lashtë por nuk i njihja njeriun e ri. Veç kësaj kisha mbi supe edhe barrën e një emri arab që kryeredaktori i gazetës më pat thënë se është i papranueshëm për vendin dhe fenë e atjeshme.Më duhej një fjalë e ngrohtë, një njeri që të më jepte zemër në aktin e madh të ikjes. I rashë një zileje. Dëgjova një zë të ngrohtë, një mirëseardhje zemre. U ngjita në katin e tretë. Derën e gjeta të hapur. Përballë ishte Sadija. Emrin ma kishte dëgjuar por fytyrën ma shihte për herë të parë. Dy hapa më tej, në këmbë, si një lis rrënjëthellë e degëbardhë nga bora e parë e vjeshtës së dytë, buzëqeshur e krahëhapur ishte Dritëroi. E kisha takuar shumë herë, me nga një gotë raki ballë për ballë e me zemrën njerëzore në dorë. Indriti, djali, e kishte lexuar, e kishte recituar por kaq pranë nuk e kishte parë asnjëherë.U ulëm në atë sallon të thjeshtë rrethuar me piktura e me libra, në atë sallon që nuk e hiperbolizoj po të them se ka nxënë dhe nxë gjithë vendin, ashtu siç nxë tërë botën zemra e shkrimtarit dhe poetit tonë të madh….Pimë nga një gotë raki nga ajo që Dritëroi e ka zierë nga mushti i manave jo dy por tri herë në këngët e tij për truallin ku lindi dhe mori vrapin e jetës.Nuk ndenjëm gjatë. Ikëm duke marrë me vete disa adresa dhe numra telefoni, të Aristidh Kolës në Athinë, të Dino Kubatit në Salaminë…kurajën dhe ngrohtësinë njerëzore për të kapërcyer kufirin e një jete në kërkim të një jete tjetër…… Të nesërmen, më 21 korrik 1996, lamë diellin mbi majën e Dajtit dhe ikëm në dhe të huaj…

13 tetor 1977

…Kaluan muaj. Kaloi edhe “Dimri i Madh“. Kaloi edhe “Pranvera e Mbrapshtë“.  U shkatërrua Shqipëria. “Kuota Zero“ shënoi temperaturat më të ulëta në historinë e kombit.Sa ishte “minimalja absolute“ e dimrit shqiptar? Askush nuk e di, ose më mirë të themi “nuk e thotë“. Dhe as do ta thotë ndonjëherë sado komisione parlamentare e ndërplanetare  të formohen……Në tetor udhëtova drejt Shqipërisë. Nën frikën e pusive, të pritave, kallashnikovëve. Shqipëria ishte e plagosur. Përpiqej të hiqte fashat e zeza  mbi plagët që rridhnin gjak të kuq…Më 13 tetor 1997 isha në Tiranë. Kisha marrë që nga Athina një shishe të bukur me uzo. E pata menduar që me të në dorë të trokas në derën e Dritëro Agollit. Ia kisha një borxh, atë lloj borxhi që të jep këshilla e mirë, fjala e ngrohtë, zemra e çiltër. Ma kishte dhënë një ditë korriku dhe desha t’ia ktheja një ditë tetori. Jo të gjithë, as gjysmën, se borxhi që lidhet me fjalën e ngrohtë dhe këshillën e mirë nuk ka çmim, nuk mund të kthehet kurrë.…U ngjita në katin e tretë dhe si herën e parë përsëri u gjenda ballë për ballë me Sadijen, njeriun dhe bashkëshorten e mirë në kuptimin absolut të fjalës. Mbi majën e malit të letërsisë shqipe “Dimri i Madh” kishte hedhë shumë borë. Një këmishë rozë e hapur paksa në kopsën e parë, një triko që kishte marrë nga kaltërsia e qiellit, një palë pantallona kafe përbënin veshjen e njeriut që u mat me malet për t’u ngjitur e bërë edhe vetë MAL më vete.  Para meje ishte Dritëroi i letrave shqipe, për mua më i madhi, më i thjeshti, më njerëzori….Nuk kishim zënë ende vend kur ra zilja e dera u hap duke sjellë me vete një këngë devollite, një grup njerëzish të qeshur. Gjashtë ishin, Nga ata vetëm njërin njihja, shokun dhe mikun tim të viteve studentore, gazetarin e njohur Fuat Memelli. Ishin përfaqësues të Shoqatës “Devolli“. Kishin ardhur t’i uronin kryetarit të tyre shpirtëror, Dritëroit, përvjetorin e lindjes. Nuk e dija se atë ditë Dritëroi mbushte 66 vjeç. Jetova disa çaste që nuk mund t’i harroj kurrë. Mora pjesë në gazin e tyre, bashkova zërin tim në këngën e bukur devollite, qesha si asnjëherë në takimet me njerëz të zemrës.Disa ditë më vonë do të udhëtoja përsëri drejt Athinës. Kisha marrë me vete ngrohtësinë shpirtërore të një njeriu që tërë jetën ngrohtësi ka përcjellë dhe përcjell.Nuk kaloi asnjë muaj dhe në adresën time në Athinë dy fotografi të përcjella nga Fuati do të më përjetonin një ditë të paharruar.. ..

Agolli dhe Ashiku

30 prill 2009…

…Kur i bie ziles porta kërcet e  zëri i Sadies të fton të ngjitësh shkallët...Kur ngjitesh në kat dera është e hapur…Kur bën hapin e parë brenda asaj shtëpie të thjeshtë në modelin e vjetër; përpara, në këmbë, si manat shekullorë të njohur për rakinë devollite, si mal majëborë, përpara ke Dritëro Agollin…Sadia të vë përpara gotën e rakisë dhe filxhanin me kafen e nxehtë…Me Dritëroin e madh nis kuvendi…Kërkova në “raftin e kujtesës kompjuterike” dhe nxora prej andej paksa nga floriri i fjalës së tij, biseda për emigrantët dhe emigracionin shqiptar, për Gjuhën Shqipe. Veçova prej  tyre disa porosi…

RILINDËSIT E RINJ JANË EMIGRANTËT...

 …Tani mund t’i themi në një kuptim tjetër, Rilindësit e Rinj janë Emigrantët. Ata janë njerëz që janë shkolluar këtu në Shqipëri, por që kanë shkuar atje veçanërisht për arsye ekonomike dhe tek tuk edhe për arsye politike. Ata, nën shembullin e Rilindësve të dikurshëm, kanë zhvilluar një aktivitet të vërtetë në lëmin kulturor, që ju përshkruani me hollësi dhe me ndjenjën e dashurisë, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti që këta edhe sot po japin atë ndihmesën në Shqipëri, jo vetëm thjesht në lëmin ekonomik. Me atë punë që bëjnë ata ndihmojnë familjet e tyre, por edhe për të jetuar vetë atje, njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë popullin grek. Ata punojnë atje për të rritur edhe ekonominë e grekëve, përndryshe ata nuk do të ishin atje sepse nuk do të kishte ndonjë interes ai vend ku janë shqiptarët për ti mbajtur. Ata derdhin djersën atje dhe ngrenë nivelin ekonomik të vetë Greqisë ku janë. Faktet tregojnë se është rritur niveli ekonomik i Greqisë me ndihmën e shqiptarëve që janë atje. Siç kanë bërë në kohën e revolucionit grek që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë qenë në Greqi atëherë kur ishin kufijtë “brenda perandorisë” dhe u bënë udhëheqës të Revolucionit grek si Kolokotroni, Xhavella, Boçari, Bubulina, Miauli… Ata u bënë edhe deputetë në parlamentin e parë grek, bile flisnin shqip…

…Nga këta, që janë kaq shumë, dalin edhe njerëz të atillë që përpiqen për të mos u asimiluar, që të mos harrojnë vendin e tyre.Ky libër me titullin “Rilindësit e kohës sonë” ka si qëllim që ata të mbajnë jo vetëm kujtesën e Atdheut por të përpiqen që mbi këtë kujtesë të jetë veprimtaria e sotshme. Këta e pasurojnë kulturën shqiptare. Duke qenë kjo kulturë e formuar e Shqipërisë sonë këto gati njëqind vjet pavarësi, gjatë gjithë kësaj kulture që është formuar, tashti ajo pasurohet edhe nga ata që janë përtej kufijve. I shtohet edhe një rrjedhë tjetër këtij lumi të madh, i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të madh këtë lum sepse lumi krijohet nga burimet. Francezët kanë një proverb “Pika – pika bëhet lumi”. Këto janë ato ndihmesat e mëdha që unë do të thosha, që përveç përfitimeve të mëdha nga ato drejtimet e tjera që thashë, kemi edhe këtë të pasurimit të kulturës sonë, që ne shpesh e harrojmë, sepse me që ende Shqipëria nuk ka arrirë në atë shkallë sa të bëhet një vend me një nivel të lartë ekonomik që të jetë e pakët fare varfëria, se akoma këtu ka varfëri. Kjo na bën që ta harrojmë ndonjëherë atë anën tjetër të kontributit kulturor. Atje ka edhe disa autorë, përveç jush që jeni baras me po këta gazetarë që jetojnë këtu dhe publicistë. Përveç jush ka edhe të tjerë, ka poetë, ka prozatorë të cilët prej andej botojnë libra me poezi, botojnë romane, botojnë përmbledhje qoftë edhe të artikujve të tyre, qoftë edhe të shënimeve, të librave historikë. Të gjitha këto, që edhe këtu në librin tuaj përmenden dhe shkruhen me një gjuhë të pastër po edhe me një informacion të gjerë, jo thjesht fjalë pa fakte. Ju mbi këto fakte arsyetoni se gazetaria është arsyetim mbi fakte. Ju këtë e jepni me një profesionalizëm të bashkuar me sinqeritetin, me dashurinë për njerëzit edhe me atdhetarizëm. Këtu është edhe vlera e madhe e këtij libri.

…Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes, por edhe të sotshëm, dhe të punojnë për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, për tu zhvilluar më tej edhe atje dhe të ruajnë edhe pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos e përziejnë me fjalë të huaja të çdo gjuhe, veçanërisht në këtë globalizëm…

…Thamë që në Greqi janë gjashtëqind apo tetëqind mijë vetë, në Itali janë nja tre-katërqind mijë por edhe në vendet e tjera. Mbi një milionë shqiptarë janë jashtë…

Duhet t’i ndihmojë emigrantët, me hapje shkollash, me libra e mjete mësimore, me gjithçka të nevojshme…

…Rreziku më i madh është humbja e gjuhës nga fëmijët. Ne duhet që në familje të flasim shqip, se ke kohë të flasësh në gjuhën e huaj. Në familje duhet patjetër të flitet gjuha shqipe. Vetë shqiptarët që janë atje të përpiqen që të hapin shkolla…

13 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page