top of page

A mjafton vetëm një intervistë...

Updated: Nov 7, 2023


A mjafton vetëm një intervistë për zonjën Tatjana Misiri Mani dhe shkollën që drejton ajo?


Fatmir Terziu


Mjafton një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Ali Agjah” në Elbasan të ndjesh ndryshimin e madh. Dhe po kaq, mjafton një vështrim i lehtë, një shikim që të ngop shpirtërisht dhe mendërisht plotë madhështi. Të emocionon. Të jep vërtetë shpresë për një të ardhme të bukur. Ndjehesh ndryshe, ngase ke percpetuar një shkollë në këtë pikë gjeografike. Dhe emocionet ikin, realiteti të jep një shije, të shpie tutje asaj frike, me të cilën ke menduar gjëndjen e një shkolle, e një godine. E natyrshëm aty ka një pikë që i bashkon të gjithë, drejtues, mësues, staf, personel i shërbimit e nxënësit: përkushtimi. Ndërsa e ndjemë këtë kënaqësi, po aq domosdoshmërisht na lind dhe një rifalenderim për kohën dhe përkushtimin ndaj leksionit tim publik për librin, leximin dhe krijimtarinë time. Falenderim për të gjithë që e dëgjuan dhe që theksuan se ndjenë kënaqësi. Falenderim për mësuesen e përkushtuar të Gjuhës dhe Leximit, Gëzime Turku Selko, e mbi të gjitha për të gjithë. Mes këtyre falenderimeve ndjeva arsyen e një bisede në ecje e sipër korridorit dhe shkallëve të kësaj shkolle me Drejtuesen e shkëlqyer, të dashur me të gjithë dhe të apasionuar Tatjana Misiri Mani. Kjo intervistë nuk erdhi rastësisht, por u ndje e tillë, pasi syri më rroku atë që ndjen gjithkush që e viziton këtë shkollë, ngase aty po kultivohet një koncept i ri arsimor. Është një ambient model, edukativ, disiplinor, gjithëpërfshirës dhe profesional. Në këtë shkollë që vinte „erë“ Perëndimore, të dukej se një padukshmëri e ndjeshme të merrte me frymën e shenjtë për dore. E ti, ti Njeriu, që ndjek këtë lëvizje moderne në të gjithë hapësirën e kësaj shkolle rend të bësh pyetje…


***


NJË INTERVISTË ME ZNJ. TATJANA MISIRI MANI - DREJTORESHË E SHKOLLËS 9-VJEÇARE „ALI AGJAH“, ELBASAN


1. Znj. Tatjana Misiri Mani, si është për ju të jeni drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare „Ali Agjah“?


Menjëherë pas mbarimit të universitetit fillova të punoj si mësuese e të ndjek me vëmendje jo vetëm udhën time, leksionet që kisha marë, por dhe atë që fillonte nga shtëpia, ku nëna ime e shtrenjtë më kishte futur në një botë pedagogjike, plotë pasion e vullnet që në moshë të njomë. Kam punuar e drejtuar e shkolla të tjera, si shkolla „Jorgji Dilo“, që sot, më 28 Tetor 2023, pikërisht sot në këtë datë të shënuar e mjaft festive, ajo ka festën e saj dhe ku jam e ftuar dhe unë nga drejtuesja e kësaj shkolle znj. Arjana Shella. E kështu vitet iknin ngadalë e ngadalë. E unë mes ecjes së viteve ndjeva më shumë përkushtim, më shumë dedikim. Dhe ja ndoshta jo krejt rastëisht ndodhi dhe të jem drejtoreshë e kësaj shkolle, detyrë që ka qenë gjithmonë një nder dhe një përgjegjësi e madhe për mua.


2. Me çfarë sfidash përballeni në punën tuaj?


Për mendimin tim, sfida më e madhe për çdo, drejtues, apo menaxher modern është dinamika e ndryshimit. Drejtori i shkollës duhet të jetë kompetent në fushën e pedagogjisë, ekonomisë, juridikut, legjislacionit të punës, kushteve të sigurta të mësimit dhe punës, kërkesave për mbrojtjen nga zjarri etj. Dhe të gjitha këto sfera i nënshtrohen zhvillimit dhe ndryshimeve. Dhe në vitin e fundit ndryshimet më drastike kanë qenë në fushën e aftësimit dhe është zbatimi i reformës ajo që aktualisht është sfida ime më serioze.


3. Keni edhe shumë suksese. Për cilën nga arritjet tuaja jeni më krenarë?


Unë jam më shumë krenar për nxënësit tanë, ata që janë bërë personazhe publike dhe ata që janë bërë njerëz të mirë. Më vjen mirë që shumë kohë pasi i thanë lamtumirë shkollës, ata qëndrojnë bashkë si miq.


4. Çfarë e bën shkollën tuaj unike? Cili është mesazhi i ndryshëm dhe i dobishëm që dëshironi t'u përcillni stafit dhe nxënësve tuaj?


Nuk jam e sigurtë saktësisht se çfarë e bën shkollën tonë unike, por e di që ne nuk kemi frikë të eksperimentojmë dhe në të njëjtën kohë i përmbahemi traditës së disiplinës strikte dhe standardeve të larta. Në fakt, mesazhi për nxënësit erdhi nga vetë nxënësit dy vjet më parë në moton e shkollës sonë – „Nëse ia del mbanë këtu, do ia dalësh kudo!“


5. Ju keni një vizion për aktivitete të përbashkëta, të cilat japin atë që e quajmë guxim të prezantohet trajnimi i duhur që në bangat e shkollës?


Unë do të vazhdoja në drejtimin e menaxhimit, për shembull me një synim që të aftësojë nxënësit mes punës reale e të prekshme të mësuesve në një standart të ndjeshëm bashkëkohor europian.


6. Nëse do të kishit një shkop magjik, çfarë do të ndryshonit menjëherë në sistemin arsimor shqiptar, dhe jo vetëm në shkollën që drejtoni?


Nxënësve do t'u jepja mësues të kërkesës, të mirë dhe të bukur, kurse mësuesve nxënës të sjellshëm dhe të kujdesshëm.


7. Cilat janë prioritetet tuaja për të cilat do të punoni?


Drejtori i shkollës është një figurë shumë e rëndësishme në sistemin që i përkthen politikat e qeverisë nga “të mëdha” në gjuhën e përditshmërisë në klasë. Prandaj është thelbësore që zëri i tij të dëgjohet vazhdimisht kur merren vendime, kur përgatiten ndryshime apo thjesht kurrikula të reja. Ky është gjithashtu prioriteti im kryesor. Në emër të qindra edukatorëve dhe drejtuesve shqiptarë të shkollave, duhet guxim që të deklarohet se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon, çfarë duhet ndryshuar dhe si.


8. Çfarë ju frymëzon çdo ditë pune?


Jam mësuese e gjeneratës së tretë, jam e dashuruar pas çdo fushe, dhe pas letërsisë dhe i dua fëmijët. Prandaj shkoj në punë çdo ditë e frymëzuar nga mendimi se do të bëj atë që dua.


***


Duke përfunduar, në moment nuk më vinin pyetje të tjera, ndërsa mendoja që të zhvilloja me orë të tëra një bisedë me këtë zonjë të nderuar, me këtë drejtuese të përkushtuar. E kështu syri dhe mendja ishin magnetizuar me ambientin e shkallët ngjiteshin ngadalë, kur ja mendoja se e gjitha bëhet nga dora e mendja e Njeriut dhe me mendjen e dedikuar profesionale. Ndaj më tej kur shihja anën ndryshuese teknologjike, fryma më tejçonte gjetkë në vitet pas dhe ata që do të vijnë, duke menduar mësuesit dhe një drejtuese të tillë në paravijë.



28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page