ÇAST
Dallgë të zhurmshme, kthetra luanësh,
Dhëmbë tigrash, shkreptima rrufesh.
Një lule mes petlash shtrëngon fort pjalmin
Pret të vijë, ta marrë, bëjë mjaltë ndonjë bletë.
GJITHË ËNDRRAT QË SHOH
Fjongo të lidhura në këmbën e pëllumbit postier,
Mozaik gravurash gërvishtur me thonj bubullimash,
Skelete skulpturash skalitur me daltë shiu,
Piktura portretesh, pikturuar me penel rrufesh.
Në frëngjitë e myshkura të vendlindjes.
BROHORITJA E TË MARRIT
Kambanat s’pushojnë
Shpojnë qiellin, dang-dang-dang.
I shurdhti:
Shurdhërimin ushqim të përjetshëm e dua,
Dëgjimi veshët më çanë.
Rrufetë ndezin natën
Llamburitje, shkëlqim.
- Jo ditë (dritë), - thotë i verbri,-
Ditë-dritën dot s’e duroj
Kush guxon të më ndajë nga nata
Do t’i ngul thonjtë në bebe, do ta verboj.
Vrundullon era,
Do të rrëmbejë, të shtyjë përpara,
T’i jap këmbë të gjymtuarit,
Sikur dhe një hap të hedh
Të çapisë ngadalë me këmbët e prera.
- Ik, - bërtet i zemëruar ai i sakatosuri sakat, -
S’ka më bukur se sa
Kështu, ulur këmbëkryq në trotuar
Të brej thonjtë e mi të gjatë.
Dhe mua,
S’ka ç’më duhet gjuha,
Kurrë le të mos flas,
Mërmëron përmes mërmërimave memeci,
Po fola ,
Fjala, halë peshku, në fyt le të më ngeci.
- I veçanti i të veçantëve jam unë, - brohoriti I Marri.
Unë I Marriii... e di mirë, që,
Këtë botë Të Marrë
S’ka dreq që e ndreq.
Unë, unë me Marrinë time
Të Marrën Botë
Pa sy, pa dritë,
Pa duar e këmbë,
Pa vesh,
Ma lini mua,muaaa..
Se vetëm unë, unë,
Kam ngelur
Që di, si për hundësh, ta tërheq.
Comentarios