top of page

Hije


Hija

Nga Fatmir Terziu


Përreth meje, unë shoh hije të pafund.

Hije që bie nga lartësitë, kolovitet e sigurt,

hije nga prishja e balancave në shkurt

hije nga errësira, hije nga trukimet

hije nga shkëlqimi në atë majë, hije nga fjalimet.

Kjo është hija që mund t’a shohim më të plotë

sepse është lak, e dhelpërt, e pakuptueshme edhe sot.


Është hija nga ku prodhojmë më shumë hijeshinë

kur të gjithë i lëmë të na konsumojnë si një lot,

është më e thellë,

e errët,

e ftohtë.


Është hija e (ar)miqësisë,

hija që lind nga dashuria për pushtet,

hija nga gjendjet përpara nesh

por edhe më shumë nga ato që janë bërë përshesh

hija që s’na lë të shohim se çfarë është vërtet më larg

fytyrat ku të gjithë ne i gënjejmë

me hijen që na mbeti në prag.


Hija nga e panjohura

hija nga ajo që dimë

hija nga fjala dhe gjuha me kockë

hija konform për diçka më shumë

hija që krijon kufijtë në kokë,

hija që turbullon dete e lumë,

hija e pakëndshme e shtëpisë

hija nga mashtrimi i rehatisë.


Hija nga çfarë syri fsheh

hija nga përpjekja për përsosmëri

kur përsosmëria është kaq e paarritshme.


Hija nga i njohuri, nga e shkuara

hija nga një e zhbërë

hija nga trillimet e kaluara,

hija e reflektuar mbi një jetë të tërë.


Po flas nga hija e emocionit

nga hija që shfaqet e s’zhduket

hija nga heshtja, por edhe rrota e tranzicionit,

hija që nga vetja s’na shkulet.


Unë i shoh këto hije dhe çuditem

pse nuk mund t’i ndryshojmë?

Pse nuk mundet që këto hije të frikësohen të fshihen

nga gjendja e njeriut të lirë?

Dhe e kuptoj pse ndodh, sepse të gjithë

mbi hije kemi mbirë.

Dhe mbjellim shumë hije gjithashtu.


59 views0 comments

Kommentare


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page