KORRIK 1267 - 26 NËNTOR 2019
752 VJET MË PARË DHE E NESËRMJA
Në librat që janë shkruar, botuar e që shkruhen, edhe unë kam shkruar e botuar, në kënd vështrimin tim, arrihet të tregohen, nxirren jashtë vetes, për të mos u shuar apo harruarr, vuajtjet, dhimbjet, amanetet, ashtu dhe sukseset, arritjet pozitive të breznive para nesh dhe ato të brezit tonë, për t’ia dhënë ato kohërave që do vijnë.
● Nga lartësia e viteve që kam arritur, mendimet e drejtëpërdrejta, tregojnë se e shkuara është evidente (e dukshme) në mënyra dhe forma të ndryshme. Atë e gjejmë në nëntokë nëpërmjet kërkimeve gjeollogjike, arkeologjike, skulpturat, ndërtimet e ndryshme nëntokësore si në miniera, ndërtime rrugësh, themelet e ndërtesave, rezervuarë; ajo na del edhe si efekt i lëkundjeve sizmike, rrëshqitje dherash, përmbytje, apo dhe fenomene të tjera të kësaj natyre.
Të shkuarën e gjejmë tek artet e ndryshme, si në modernet dhe në ato primitivet nëpër shpella, guva, objekte kulti, etj. Gjithashtu të shkuarën e lexojmë tek të shkruarit, të cilat gjendet në raftet e bibliotekave shtetërore, private dhe personale. Tërësia e të gjitha veprave të shkruara (artistike) dhe të veprave nga krijimtaria gojore, të shkruara ndër kohëra i trashëgojmë nga letërsia. Letërsia është art i fjalës së shkruar, e cila është krijuar nga njerëzit e shkolluar. Krahas letërsisë së shkruar kemi edhe letërsinë gojore, e cila është krijuar nga këngëtarët popullorë, anonimë tek të cilët pasqyrohet jeta e vërtetë, ngjarjet që kanë shoqëruar ndërshekuj njerëzimin.
Dihet nuk është vetëm letërsia që përfaqëson të gjitha veprat, ato u takojnë edhe fushave të tjera të dijeve si historisë, filozofisë, sociologjisë etj. Emërtimi “letërsi artistike” shënon dallimin midis veprave shkencore dhe veprave letrare në kuptimin e ngushtë të fjalës. Në letërsi autorët, sipas llojeve të gjinive, ngjarjet i tregojnë kryesisht nëpërmjet personazhene ku shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre.
Në këndvështrimin tim, vend të rëndësishëm, të sigurtë, të drejtpërdrejtë dhe pasqyrim më të vërtetë, zënë shkrimet dhe botimet historike. Këto të fundit, ndryshe nga veprat e artit që përqëndrohen, lexohen dhe studiohen në grupe, apo rangje të caktuara njerëzish; kanë një shtrirje më të gjërë, janë më të kërkuara, më të pranishme tek mbarënjerëzimi. Është pikërisht kjo veçori, që shkrimet dhe botimet me temat historike, kanë gjetur shtim interesash me shtrirje të madhe në të gjitha shtresat shoqërore. Shkrimet dhe botimet me tema historike sjellin në çdo kohë realitetet e së shkurës, të vërtetat e prekshme, prandaj këto botime kanë përparësitë e tyre.
● Duke qenë se Historia është shkencë shoqërore që studion të kaluarën e shoqërisë njerëzore gjatë evolimit mijëra vjeçarë të njerëzimit dhe që bazohet në të mbledhurat e dokumenteve dhe materialeve të shumta të grumbulluara nga arkeologët, antropologët, vendosa, që kohën e jetës në pension, t’ja kushtoj studimeve në fushën e historisë, me përqëndrim kryesisht tek prejardhja, ngjarjet dhe rrugëtimin mbi 4 mijë vjeçar të fisit “thesprot-çam” të etnisë shqiptare të Rajonit të Thesproti/Çamërisë, të banuar në kufij fort mirë të përcaktuar që nga lashtësia e deri ditët e sotme.
Zgjodha për të shkruar dhe botuar në të 12 librat, pikërisht në fushën e veprave shkencore, konkretisht historike, mbasi kjo bën dallimin mes letërsisë artistike. Pra, zgjodha të shkruaj realitetet, të pasqyroj ngjarjet e vërteta, sigurisht të ndërthurura me ndjenjat, mendimet, por të bazuara në analiza konkrete, në gjykime dhe llogjikë të pastër, jo me personazhe, ngjyra poetike, apo frymëzime artistike, kjo sepse në radhë të parë e mbi të gjitha, treva e vendlindjes time dhe banorët saj, ishin lënë në harresë nga historia, nga politika, të nëpërkëmbur, të përbuzur me strategji armiqësore, fort mirë të ndërtuar që fisi “thesprot/çam” të shuhej. Jam i vetëdijshëm se objektivin e caktuar e kam arritur, kjo edhe se shkrimet dhe librat e botuara janë mirëpritur dhe vlerësuar nga mjaft intelektualë me emër (me zë)!
● Kjo trajtesë, në të vërtetë mori shkas nga ngjarja e fenomenit natyror të 26 Nëntorit 2019, tërmet me magnitudë: 6.4, i cili vrau njerëz, krijoi ankth, pa siguri në masë tek njerëzit si dhe shkaktoi dëme të përmasave të mëdha, i shoqëruar me të veçantën e tij të paslëkundjeve të shumta, të cilat nuk kanë të rreshtur. Të moshuarve u vrau harresën, u kujtoi dhe i rizgjoi të shkuarat, të rinjve u bëri të njohur, të ditur forcën e natyrës që të jenë koshient dhe të parapërgaditur për të përballuar forcat e fenomeneve natyrore. Të gjithë së bashku të mos harrojmë se Toka, ashtu si trupi ynë rënkon, dhe rënkimet rrahin fort, si flevët (damarët) e gjakut në trupin tonë. Kjo ka qenë dhe është e vërteta. Në këtë realitet detyrimisht kërkohet që njerëzimi të respektojë ligjet e natryrës, t’u përshtatemi sa të jetë e mundur, të kujdesemi për Tokën, siç kërkohet të kujdesemi për trupin tonë, sepse është vetëm dhe vetëm në interesin tonë. Çdo abuzim, apo tejkalim nga normaliteti, si ndaj trupit tonë dhe Tokës, na kthehet, ose në siguri, ose në pasiguri të së nesërmes, nëse arrihet!. Askush të mos mashtrohet, por gjithkush të jetë i sigurtë që trupat tanë, gjithë shoqëria njerëzore dhe gjithçka që na rrethon është produkt, i ndërlidhur me ’të.
● Katastrofat, ndodhitë e rënda natyrore ndaj njerëzimit, njihen nëpërmjet shkrimeve dhe botimeve historike, të cilat nuk duhen marre e parë si kuriozitete, por duhet të shërbejnë për të siguruar mbrojtje sa më të mundshme prej tyre. Tërmeti i ndodhur 752 vite më parë, i vitit 1267 në Durrës, dihej si nga historia, por dhe nga pasojat e lëna, të dukshme e të prekshme edhe në ditët tona. Një katastrofë afro tetëqind vjeçare, nuk mund të anashkalohej, por detyrimisht duhej të ishte e pranishme, duke filluar nga struktura ndërtimore, arkitektura, instalimet inxhinerike, studimet gjeologjike, sizmike, etj, ashtu si çdo shtet është i ndërtuar me struktura institucionale.
Siguria, fuqishmëria për zhvillimin, prosperitetin e vendit dhe popullit të tij, varen plotësisht tek ndërtimi dhe funksioni i strukturave institucionale shtetërore, ashtu edhe tek ndërtimet e të gjitha llojeve siguria, jetëgjatësia dhe qendrueshmëria ndaj fenomeneve natyrore varen nga saktësia e strukturave solide (të forta), të cilat gjatë ndërtimit mbajnë në konsideratë detyrimisht zbatimin e studimeve dhe projekteve përkatëse.
Askush nuk e mohon të ardhmen, por në të vërtetë e ardhmja nuk dihet, vetëm mendohet, imagjinohet. Ajo nuk ka siguri të njëjtë për çdo individ nëse vërtet do të vijë, do të preket, apo do të bëhet e “sotme”. E sigurtë për njerëzimin është e shkuara dhe e sotmja. E nesërmja nuk është tjetër veçse e sotmja ose e shkuara, të ardhmen e gjejmë vetëm në mendime, në dëshirën dhe shpresën. E nesërmja apo e ardhmja bëhen të vërteta dhe ekzistente vetëm kur vjen e sotmja dhe kjo, mbas 24 orësh bëhet e djeshme dhe e shkuar. E sotmja dhe e shkuara janë koncepte vetëm të shoqërisë njerëzore dhe që e gjejnë të vërtetën, apo realizohen këtu, në Tokë.
● Sado të fuqishëm të jemi fizikisht, diturakë, të pushtetshëm apo të pasur,përpara Tokës, Universit, jemi të papërfillshëm. Shumë, shumë mundet të bësh emër në histori, por kjo mbetet e izoluar vetëm dhe vetem tek një rreth i caktuar shoqëror; ndërsa ndaj Natyrës, jemi të panjohur, të papërfillur. Një asgjë, natyra ekziston edhe pa ne, nuk na e ka nevojën, përkundtazi ne e duam dhe jetojmë në saje të natyrës. Ne, veçse jemi pjesë e një lloj energjie mes shumë energjish që qarkullojnë në Univers. A nuk u shpall Çezari mbret, perandor i përjetshëm? Historia na tregon se po. Ashtu u shpall, por ligjet e natyrës vazhduan të sillen ndaj tij, si për gjithë të tjerët!.
● Në këtë shkrim trajtohen dy ngjarje të ndryshme, njëra fenomen natyror (tërmeti, magnitudë: 6.4); tjetri fenomen shoqëror (gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë “magnitudë: 10.0). Në gjykimit tim, lidhja mes tyre qëndron tek e përbashkëta, që ka ndodhur dhe thuhet me forcë: “Mos ekzistenca, harresa dhe shuarja”!.
U harrua tërmeti i vitit 1267, po ashtu u harruan edhe tërmetet e tjera dhe ndodhi gjëma. Historisa shkroi, njerëzit donin ta harronin, por natyra na e solli. U përpoqën Fuqitë e Mëdha ta shuanin shqiptarizmën, me ndarje, coptime dhe predikime dhe ndodhën gjëma, vrasje, dhunime, shpronësime, dëbime masive ndaj popullatave autoktone si në Kosovë dhe në Çamëri. Historia nuk duhej ta harronte, prandaj duhet shkruar dhe po shkruhet. Lidhja qendron tek të shkruarit e historisë që gjëmat, shkatërrimet të mund të mënjanohen, të ulen sa më shumë efektet goditëse ndaj shoqërisë njerëzore, qoftë të atyre që sjellin goditjet e forcave të natyrës apo dhe goditjet që sjellin forcat e egërsive që lindin në gjirin e shoqërive njerëzore!. Të jemi vigjilent, të ruhemi, të kujdesemi dhe të respektojmë ligjet e natyrës, të ndalojmë veprimet goditëse të egërsive çnjerëzore ndaj racave, etnive, ngjyrave dhe besimeve fetare. Të përpiqemi të sigurojmë kushte për bashkjetesë dhe të mundohemi ti përshtatemi fenomeneve natyrore duke respektuar gjithçka na rrethon, të mos neglizhohet ndaj pritshmërive natyrore dhe tendencave ekspansioniste etno-fetare. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se jemi të përfshirë në nji nga llojet e energjive, sepse ajo është pjesë e natyrës. Jo të gjitha energjitë i dallojmë, i njohim apo i kuptojmë. Shpesh themi: "Sa të vegjël jemi para natyrës",kur në të vërtetë nuk jemi tjetër veçse një transformin në një nga shumë llojshmëritë e energjive të saj. ● Ndaj të ndjekim urtësitë e shkuara: "Të punojmë sikur nuk do vdesim kurrë dhe të duam, respektojmë e të tolerojmë sikur do të vdesim sot"!. Tiranë, më 14 dhjetor 2019.- #Fahri #Dahri
Comments