![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_8a3546b7e2e4484caca2d5460ffd55c3~mv2.jpg/v1/fill/w_428,h_418,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_8a3546b7e2e4484caca2d5460ffd55c3~mv2.jpg)
URIM MIKUT TIM EDMOND HALILIT NË 65 VJETORIN E LINDJES
Shumë i dashur Mondi!
65 vite në jetën e njeriut nuk janë pak, por në jetën e një artisti nuk janë as shumë. Nuk janë shumë, pasi tani mund të shpërfaqet me gjithë forcën e vet, e gjithë ajo përvojë që ai ka grumbulluar. Ca më shumë kur ky artist është humorist si ti. Dhe çfarë humoristi. Jo i kultivuar nëpër shkolla të specializuara, por i lindur i tillë. Pra, një artist që ka mbetur gjithmonë vetvetja. Nga ata që ka ditur të mbijetojë dhe të triumfojë mbi dallgët, shpesh të pamëshirëshme të fatit. Nga ata që kanë çarë me forcat e veta, pa mbështetjen e dikujt tjetër. Nga ata që nuk i ka lëshuar kurrë dhe u ka qëndruar besnik talenti. Se talenti është kapriçioz; ai shkon tek ai që i hahet muhabeti. Tek ai, ku ndihet mirë. Tek ai që e di se nuk do turpërohet nga veset dhe menskinitetet e të zot. Talenti është i pandarë nga vlerat e mirëfillta njerëzore. Dhe ti i ke të plota ato. Kjo kuptohet fare lehtë teksa sheh sesa të duan shokët, miqtë e njerëzia në përgjithësi. Të duan, se ti e di rëndësinë e të qeshurës. Se ajo ashtu sikurse thosh Viktor Borge “është distanca më e shkurtër ndërmjet dy njerëzve”. Dhe për ty njerëzit janë të gjithë njësoj. Ti me të gjithë je i sinqertë në humorin tënd. Ti edhe ato që tregon i ke të sinqerta. Të sinqerta dhe të vërteta. Ti e di se fundja, humori është e vërteta me pak zbukurime në fund të saj. Ti je nga ata që humorin e fillon nga vetja dhe pastaj shkon te të tjerët. Humori yt është i shëndetshëm, edukues. Jo vulgar e bajat. Ti ke dhe dhuntinë e një kujtese të mahnitshme, ndaj dhe asnjëherë nuk përsërit të njëjtën gjë. Kjo të mban të freskët dhe të bën të këndshëm. Je i besueshëm, pasi te ty nuk ekziston ndjenja e cmirës dhe përçmimit ndaj kolegëve. Ti je modest deri në kufijtë e të pabesueshmes. Ti, sa herë bije fjala, flet për artistët e tjerë me nderim, respekt e simpati. Ti thekson se prej tyre ke mësuar dhe se mes tyre, pohon se ke qënë gati një nxënës. Kjo ty t`i rrit vlerat. Nuk ka virtyt më të madh se thjeshtësia. Le pastaj thjeshtësia e modestia. Është vetë ajo që ti bën, lëvdata më e madhe. Për ty ka rëndësi zbatimi i asaj shprehjes së Horacit te “Satirat”: “Mutato nomine de te, fabula narratur”, pra “Me një emër të ndryshëm në fabul flitet për ty”. Pra, je i lumtur kur sheh se nuk të ka shkuar mundi kot; çdokush ka gjetur në skeçet, anekdotat a barsaletat e tua, diçka nga vetja. Se të gjithë kemi se ç`të korrigjojmë për t`u bërë më të mirë. Se vetë bota edhe pse rrotullohet rreth harmonisë hyjnore të saj, gjithmonë ka vend për përsosje. Rëndësi ka që ajo dhe jeta mbi të, është e bukur. Aq e bukur, sa nuk duhet të lemë asnjë çast të na ikë kot. E meqenëse përmenda Horacin, atë poetin që me satirat e tij të mprehta, goditi mrekullisht veset dhe zakonet e këqia, po të kujtoj edhe thënien e tij prej hedonisti të vërtetë: “Carpe diem!” që do të thotë “Gëzoje ditën!” Gëzoje duke ua zbukuruar edhe të tjerëve atë. Duke ua zbukuruar me gjërat e mençura që thua. Dhe gjërat e mençura nuk duan t`ia dinë nga vitet që ikin. Madje ato sa më shumë që kalon koha, aq më shumë mënçurohen. Prandaj, kurrë mos mendo se duke dalë në pension, je larguar edhe nga arti yt. Ti tani, krejt i pavaruar, mund t`i jesh afruar akoma më shumë atij. Jetë të gjatë dhe të lumtur familjarisht dhe suksese të më tejshme!
Miku yt që të do
Shpendi Topollaj
Durrës, 10.06.2020
Comments