42 vjet nga çmimi i parë kostumeve popullore
F. Terziu
Dy dasma pata rastin të shijoj me të gjitha anët e tyre tradicionale në Shtërmen, ndërsa ishte koha kur drejtoja shkollën, thuajse më të madhe në rrethin e Elbasanit, për nga numri i nxënësve dhe mësuesve. Edhe pse ishte një periudhë kur vrulli i njeriut rrokte kah emigrimit, natyrshëm gëzimet e tilla që janë thuajse emblematike në atë zonë, shijohen me larminë dhe bukurinë e veshjeve tradicionale, që kanë gratë në atë fshat.
Si një dimension kulturash veshja e grave të Shtërmenit dallon dhe përmbledh të gjithë arsyet e një bukurie të dallueshme, por dhe si një kombinim i vlerave të zonës rreth saj. Kostumi i grave të Shtërmenit është një gërshetim i veshjes së Shpatit me atë të Dumresë. Ka xhokë shajaku të bardhë, me sue të nxjerra anash, jelek kadife vishnje me shirita ari, brez leshi të gjerë dhe bohçe pambuku ose leshi në disa raste. Këmisha është me mëngë të gjera, thuajse e ngajshme si e Shpatit, pasi në fakt ky fshat bën pjesë edhe vetë në hapësirën gjeografike të quajtur Shpati i Poshtëm.
Kur theksojmë se është një ngjashmëri, natyrshëm kuptojmë atë anë të cilës mjeshtret e endjes tradicionale i kanë gjetur dhe sajuar anët e përshtatjes. Por natyrshëm dallimi shkon në detaje. Kostumi i grave të zonës së Shpatit është variant i veshjes me fustanellë, e mbuluar përpara me bohçe të leshtë shumëngjyrëshe rombike. Në kokë mbajnë rizë. Veshin një jelek të mbrendshëm kadife të kuqe dhe një jelek të sipërm të mbushur me pare. Mbi të vishet xhoka prej shajaku të bardhë.
Por kjo është një zonë malore, ndërsa në zonën fushore të Elbasanit kostumi i grave dallohet nga fustanella e gjatë deri në fund të këmbëve dhe përpara bohçe pambuku me ngjyra të ndezura. Këmisha është pëlhurë vegje dhe jeleku basmë e bardhë me qëndisje me fije mëndafshi shumëngjyrësh. Mbi kokë vihen kryqe prej nape të bardhë, vendoset lëverja prej pëlhure të hollë, që lëshohet nga koka deri në fund të këmbëve.
Në vitin 1978 rrethi i Elbasanit mori çmimin e parë për kostumet popullore, duke u paraqitur me 20 të tillë, ku spikaste dhe bukuria e veshjes së Shtërmenit. Nuk duhet harruar se në festivalin e vitit 1983 u vlerësua si trevë e pasur dhe e larmishme për kostumet popullore.
Comments