top of page

360 gradë me varg


360 gradë me varg

360 gradë me varg


Nga Fatmir Terziu


Fjala

Dhe Ti e ndjek

filtrin e ajrit që bekon të qarën e parë

si një Perlë

nga një farë.

Ecja

Qenkan mbledhur sytë në një pikë

mbledhin

lotët në zgjim të jetës në rrugëtim

mallkojnë syrin e keq

besomë,

kjo është ende një ecje që heq

vallen e jetës sonë.

Rritja

Gishtat rrëmbejnë tinëz substancën e qejfit

në sytë e përskuqur

zbresin e bëhen njësh rrezet e Diellit.

E kuptojmë nga larg

rritjen

kur mbledhim me sy gjethet e rëna në park.

Musht

Në të gjitha stinët

pa i lodhur aritmetikisht sekondat,

minutat, orët, ditët, netët, javët, muajt, vitet,

brenda një trupi të prushtë

gjithnjë ka një melhem që thëritet

Musht.

Mjalt

Në sytë e jetës

pikturohen bletë punëtore

të gjitha ëmbëlsohen si hoje të bekuara të fatit

por, gjithnjë brenda tyre

më i ëmbël mbetet mjalti i mjaltit.

Zverdhje

Dehen të gjithë

ngjashëm

me fjalën e vënë në mendje e në buzë

pak mbeten të zverdhur në jetë

me një mendim

brenda një bote ku gatuhet art i qetë

sikurse poeti antik Nedim.

Këtu brenda makinave që tështijnë ditën

peshqit brenda qelqit bëjnë paradë

nuk e dinë se të dehur fikin dritën

në errësirë zhyten ngadalë.

Shënim: Nedim (1681-1730) Poet turk i “Mosha e tulipanëve”.

Gozhda

E kërkoj një të tillë,

dhe s’e humb kurë,

brenda dhe jashtë rregullit metrik,

ku poezia ime është një gozhdë në mur.

Me kujdes, në një kornizë përditë

vendos poezitë

me këtë gozhdë në të… përditë.

Kutia

Duart plot me zhurmë

britmat i tjerr kërcitja e gishtave.

Brenda një kutie ajri si një kurbë

mbledh qepallat e syve.

Gropa

Lajmi i sillet Diellit si planet në orbitë

aty poshtë

brenda një copëze të ngrirë

në errësirë.

Maidstone, Britani e Madhe, 12 Nëntor 2019


13 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page