NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË KUJTESËS SË VIKTIMAVE TË
TORTURAVE, KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS --
PËRBALLË HARRESËS
Nga Frank Shkreli
26 Qershori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës – një ditë kjo kur -- anë e mbanë botës -- kujtohen e nderohen viktimat e torturës, ndërkohë që të mbijetuarve të torturave në të kaluarën, u ofrohet mbështetje.
Anë e mbanë botës kjo ditë u shënua në mënyra të ndryshme duek filluar nga Organizata e Kombeve të Bashgkuara () dhe nga shtete të ndryshme siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në një deklaratë me rastin e kësaj dite përkujtimore, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez tha se “Tortura është një praktikë e neveritshme dhe urrejtëse, njëkohësisht edhe një dhunim i dinjitetit njerëzor dhe shkelje e të drejtave të njeriut.”
Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në mesazhin e tij në ditën ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të torturës u shpreh se “Tortura kudo dhe kurdoherë që të përdoret, përbën një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale. Të gjithë ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për tu dhënë fund një herë e mirë praktikave të tilla jo njerëzore.” Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken në deklaratën e tij në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës iu drejtua, shteteve anë e mbanë botës si dhe të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të torturave, me këto fjalë: “Sot është një rast që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, shoqëritë civile dhe individët e interesuar anë e mbanë botës të bashkohen kundër përdorimit të torturave dhe të bëjnë thirrje për zbulimin e të vërtetës, për drejtësi dhe për ndëshkueshmëri për dhunuesit dhe shkelsit e të drejtave të njeriut. Për derisa në botë ekzistojnë të tillë individë që përdorin torturën si mjet ndëshkimi për kundërshtarët, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre për ta zhdukur torturën njëherë e mirë”, ka deklaruar kyrediplomati amerikan në mesazhin e tij, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës.
Ndonëse nuk pashë asnjë lajm në media as deklaratë në lidhje me këtë ditë, nga Tirana dhe Prishtina zyrtare – megjithëse të dy vendet janë ndër vendet më të njohura ku tortura përdorej rregullisht dhe ashpërsisht ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për këtë arsye, modestësisht, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, po kujtoj me pak fjalë, At Zef Pllumin --Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf -- i cili për fatin tonë dhe për hir të së vërtetës, “rrnoi për me tregue” për torturat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj tij dhe shumë vëllëzërve të tij françeskanë, por edhe për vuajtjet dhe torturat ndajë përfaqsuesve – kundërshtarë të tjerë të regjimit komunist -- më të dalluar të ajkës së Kombit shqiptar të gjysëm shekullit të kaluar.
Po e kujtoj At Zef Pllumin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave, sidomos për veprën e tij monumentale, “Rrno Për me Tregue”, me të cilën ka lenë pas një dëshmi të gjallë historike dhe të vërtetën mbi torturat e tmershme të shqiptarit kundër shqiptarit dhe një histori vuajtjesh të pa imagjinueshme të një pjese të madhe të shqiptarëve, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Torturës është një ditë me rëndësi edhe për shqiptarët. Duke kujtuar këtë ditë fund javën që kaloi, Presidenti Joe Biden, besoj se u shpreh për të gjithë njerëzit vullnet mirë, kur tha se, “Torturat, kudo dhe kurdoherë përbëjnë një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale…”. Ismail Kadare gjithashtu e ka vlerësuar librin “Rrno për me Tregue” – si një përshkrim të tmershëm të vuajtjeve mizore të ndërmarra nga një regjim i pamëshirshëm kundër një popullësie të pafajashme – si një vepër për të cilën, sipas Kadaresë, “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegja jonë”, ka thënë Kadare.
Dua të shtoj se në këtë Ditë Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës – në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare në kujtim të viktimave të torturës në Shqipëri dhe në Kosovë – ia vlen që vepra e At Zef Pllumit të shërbejë si pikënisje për kujtimin e viktimave të torturës komuniste në trojet shqiptare, si një përpjekje e domosdoshme për pajtim kombëtar. Sidomos në këtë periudhë sot, kur jo vetëm indidvidë dhe organizata shtetërore e madje edhe përfaqsues të qeverisë shqiptare kanë bërë deklarata favorizuese për ish- regjimin komunist të Enver Hoxhës, që ka shkaktuar aq shumë vuajtje që përshkruhen me aq hollësi nga At Zef Pllumi – deklarata të zyrtarëve të lartë shqiptarë që, fatkqesisht, duket sikur kanë për qëllim jo vetëm shtrembërimin e fakteve historike, por edhe mohimin e tyre. Madje edhe 30-vjet “post-komunizëm”, At Zef Pllumi nuk u lë të mohoni as të shtrembëroni historinë e vërtetë të vuajtjeve të shqiptarëve nën komunizëm!
“Torturuesit duhet të ndëshkohen për krimet e tyre dhe regjimet të cilat mundësojnë torturat duhet të shemben ose të transformohen”, tha Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres, duke shtuar se “Tortura është një krim kundër njerëzimit”. Kombet e Bashkuara e kanë dënuar që në fillim torturën si një nga aktet më të shëmtuara e të liga të njeriut kundër njeriut. Tortura, sipas Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të asgjësojë personalitetin e viktimës, të mohojë dhe të dhunojë dinjitetin ekzistencial të njeriut.
At Zef Pllumi nuk është më midis nesh fizikisht – por është gjithnjë me ne ashtu siç qëndronte gjithmonë -- i pamposhtur, shpirtërisht dhe moralisht. Prandaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, të kujtojmë atë dhe dëshmitë e tija si due vikimat e torturave të ish-regjimit diktatorial komunist – ndër më të egërit e ish-botës komuniste. Ashtuqë nepërmjet dëshmive të tija t’i bashkohemi botës së qytetëruar – të cilët si më sipër, me deklaratat e tyre shënuan këtë ditë për të kujtuar e nderuar mijëra viktima – të gjallë e të vdekur, “heronjë të heshtur” -- të regjimit komunist të Enver Hoxhës që humbën jetën nga torturat më çnjerëzore, përballë një qëndrese paqësore. Sidomos sot, 30-vjet “post-komunizëm”, kur heshtja zyrtare për krimet komuniste është mbytëse dhe refuzimi zyrtar i politikës shqiptare për tu përballur me atë të kaluar të errët të historisë kombëtare, ndërkohë që shumica e të mbijetuarve të torturave për të cilat ka dëshmuar At Zef Pllumi në librin e tij monumental, “Rrno për me Tregue”, po vdesin dalngadalë, ndërsa njohuria për “gulagun komunist shqiptar” po zhduket gjithashtu, sidomos në radhët e brezit të ri. Ndoshta ky është edhe objektivi, jo vetëm i përpjekjeve të viteve të fundit për të promovuar “të mirat” dhe “anën pozitive” të ish-regjimit komunist, siç kemi dëgjuar kohët e fundit nga zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, por edhe i heshtjes së Tiranës zyrtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës.
“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur…” (Dhiata e Vjetër, Predikuesi 3:
Bashkohuni me botën e qytetëruar! Ka ardhur koha për të FOLUR dhe për të kujtuar viktimat e pafajshme të torturave si dhe krimet e komunizmit gjysëm shekullore, në përgjithësi!
Comments