
Masakra në Krushë të Madhe është ndër masakrat më të mëdha në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. 26 vjet më parë nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe të Rahovecit 243 persona u masakruan nga forcat serbe. Krahas kësaj u dogjën edhe 893 shtëpi. Edhe sot e kësaj dite, shumë persona nga Krusha e Madhe vazhdojnë të jenë të zhdukur. Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Pavarësisht kësaj, për këtë masakër asnjëherë nuk pati një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërsëdrejti për krimet e kryera në këtë fshat.
......................................................................................................
Vizitori i parë i Krushës së Madhe
Nga Fatmir Terziu
(Ribotim me këtë rast)
Miliona vite u krehën në plazmin e qelqtë të lotit,
në një pellg të përlëngët,
një flok gërshetë i bukur me çantën e madhe të jetës,
u tret, kapi retë që mëgëllyen
fytyrën e ëndërrave djaloshare.
Mbi një fletë libri të shpërngulur të shkruar
sofra e bukës në odën e madhe
ka mbetur shtruar. Pret për tu lexuar
mbi lëkurën e vjetër të plisit
ishte letra më e mirë nga shqipja,
duke shkruar në qiellin e papirusit.
Uroj që ta njihja.
Në ritualin e çajit,
nga duart e grave të Krushës së Madhe
kam mësuar se si të pish nga sytë e një vejushe
të mbetur mes tregimeve në rrugët e Varrezave masive.
Gjithmonë arrijnë në kohë vizitorët e huaj
të shkruajnë për të mos harruar!
Vizitori i parë i Krushës së Madhe,
ishte vargu i një kënge
nisi me refrenin e djepeve në vaje
bitisi me fatin e jetës … në atë mbrëmje.

Pano Hallko
Përgëzime! Po harrohen ato masakra. Edhe Reçaku po harrohet.
Sëmundja shekullore e shqiptarëve, që bëjnë folklor maje krahi, e nuk shkruan.
Nuk padisin, nuk ngrenë Akuzë. Por vetëm shajnë njëri-tjetrin.
Por duhet. Duhet, që bota njohë dhe të shijojë nga afër "qytetërimin serb"...