AT GJERGJ FISHTA O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA E SHPIRTI I POPULLIT SHQIPTAR !
Vllazen e Motra Shqiptarë!
Me daten 22 Nandor asht Dita e Alfabetit Shqip, që u punue në Shoqninë “Bashkimi” të Shkodres në vitin 1908, nga Poeti Kombtar At Gjergj Fishta, dhe u aprovue në Kongresin e Manastirit.
Ai Alfabet na mësoi me shkrue fjalët Nanë, Babë e Shqipni…
Veprat tjera të Atdhetarit At Gjergj Fishta i sherbyen gjithmonë Bashkimit Shqiptarve nen tingujt e Hymnit Flamurit Kombtar, Flamurit të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Në këte 80 vjetor që i madhi At Fishta mbylli sytë pergjithmonë, mendoj se, Shqiptarët duhet të kujtojnë Veprat e Tij të Perjetëshme tue i kushtue:
“VITIN 2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES”
Melbourne, 20 Nandor 2019. Me respekt, Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh librin:
Daniel GAZULLI - Fritz RADOVANI
Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!
Ia kushtojnë, Autorët.
Dhjetor 2010.
Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007
Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010.
JETA DHE VEPRA E
AT GJERGJ FISHTËS OFM.
ASHT PËRGJITHMONË:
MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I
POPULLIT SHQIPTAR !
5 Ai parashikoi...
Poeti ynë kombëtar asht i ndërgjegjshëm se:
Jo, jo! Për burra, që me gjak praruen
Namin e kombit e Lirinë ia sollën,
Atdheu kunora s’ ka. Për ta nuk gdhendet
Gur, as nuk ndizet qiri. Mbi vorr t’ tyne
Shpërthen rrushkulli e ferrmana, strukë ndër t’ cilat
Pret dhelpna e shqarthi...e shumta
As vorr nuk patën me u kondisë për s’ dekuni
Veç n’për t’ errshmet humnera e nëpër prroska
Kurmat e tyne shkapërderdhë përdhe,
Prej orlash edhe korbash t’ zez qenë shqye,
Shqiptarët, po, i kanë harrue...
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botue në Tiranë në vitin 1985 nga Akademia e Shkencave e RPSSH, në faqe 270–271, shkruhet: “Fishta Gjergj (1871 – 1940). Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike.
Që në fund të shek. XIX mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik.
Në vitin 1913 e deri me 1938, me ndonjë ndërprerje të shkurtër, drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat ma aktive të reaksionit klerikal. Në shkrimet e tij publicistike luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare. Me 7 prill 1939 përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane. Krijimtaria letrare e tij është shumë e gjerë dhe e larmishme; shkroi vjersha, poema dhe drama etj. Vepra e tij kryesore është poema Lahuta e Malëcisë (botuar e plotë më 1937) një panoramë poetike e ngjarjeve kryesore historike të viteve 1878 – 1912, të pasqyruara nga pozita e klerit katolik; në të Gj.F. himnizoi prapambetjen e jetës së malësisë, patriarkalizmin, padijen, lartësoi mercenarizmin etj. Më 1923 shkroi pamfletin me vargje Gomari i Babatasit që drejtohej kundër laicizmit të shkollës, dhe, në përgjithësi, kundër përparimit shoqëror e kulturor të vendit. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij letrare përshkohet nga fryma e besimtarisë fetare. (V.B.)” Siglat V.B. në redaksinë e letërsisë përfaqsojnë “prof.” Vehbi Balën, nga Shkodra.
Sikur ky Fjalor Enciklopedik të ishte botue para vitit 1912 nga mejtepet e Stambollit, me siguri autorët do t’ishin tregue pak ma të kujdesshëm në shprehjet e tyne të pakontrollueme anadollake, se sa “profesori ynë shkodran”. Ai të pakten të kishte parasyshë dekoratën e dhanun nga Mbretnia Turke në vitin 1912, apo aprovimin që qeveria e Stambollit dha në 1902 për futjen e Gjuhës Shqipe ndër shkolla me kërkesën e At Fishtës. Me siguri Vehbi Bala ka harrue se asht tue shkrue për atë At Fishtë, që në vitin 1913, kur vuni Flamurin Kombëtar të Kastriotit në kompanjelin e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, ka pas lidhë vargun e kandilave me drita prej atij kompanjeli me minaren e Xhamisë në Fushë të Çelës, në shenjë vëllaznimi e miqësie të katolikëve me muslimanët shkodranë, pse të gjithë ishim e jemi Shqiptarë. Përgjegjen At Fishta ia jep vetë në poezinë “Shqipnia e lirë”:
Por, po ndodhi se vjen dita,
Që me faj Shqipninë e darni,
Që e Lirisë u erret drita
Edhe n’ t’ huej Atdheun e mëvarni,
A për pare a marri t’ tjera,
Si ndër kohë, që shkuen, atëhera,
Ju marroftë i Madhi Zot!
Melbourne Mars 2020.
Vazhdon...
Comments