top of page

145 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit


145 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe roli i dibranëve

Nga Sakip Cami


(Abdyl Frashëri për në Prizren në qershor të vitit 1878 udhëtoi nëpër Dibër nga Golloborda deri në Prizren dhe u shoqërua nga dibranët)

Iljas pashë Dibra (Qoku) me krijimin në Stamboll të Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të drejtave kombëtare u bë anëtar i tij. Kur në prill të vitit 1878 u muar vesh përmbajtja e traktatit të Shën stefanit, që ja jepte Dibrën Bullgarisë, me propozimin e Iljas pashë Dibrës u mblodh kuvendi i mbarë trevës dibrane për mbrojtjen e ytërësisë tokësorë të Dibrës dhe trojeve shqiptare. Veprimtaria e Iljas pashë Dibrës për Lidhjen e Prizrenit filloi që në këtë periudhë, bile ftesat në Shkodër dhe në disa vende të tjera për Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, i kishte shpërndarë i biri, Xhemal bej Qoku. Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara.

Në Muzeun Historik të Dibrës figurojnë delegatët e Dibrës të cilët ishin Iljas Pashë Dibra që u zgjodh edhe kryetar i Kuvendit (Lidhjes), Sadik Pashë Hoxholli, Ahmet Sabri Karasani, Mehmet Reshit Beu, Ismail Abdullai, Bajram Bej Dibra, Jonuz Zyhdiu, Hoxhë Hasan Moglica, Sheh Sula i Zerqanit, Hoxhë Buci etj.

Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut.

Organi më i lartë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte Komiteti Qendror Kombëtar prej 56 anëtarësh, të cilët përfaqësonin të gjitha trevat e vendit. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm u zgjodh Iljas Pashë Dibra (Qoku)

Në etapën e fundit Lidhja shqiptare e kaloi qendrën në Dibër. Në Kuvendin e Qernanicës, korrik 1878 ku morën pjesë 10 mijë burra nën kryesinë e Iljas Pashë Dibrës dhe Abdyl Frashërit, dibranët u solidarizuan me Lidhjen e Prizrenit dhe si një zë i vetëm falën gjaqet dhe dhanë besën.

Sipas traditës së lashtë patriotike shqiptare, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme.

Ekzistenca, në pranverën e vitit 1878, e besëlidhjeve lokale ose e komisioneve të vetëmbrojtjes, e lehtësonte punën e udhëheqësve politikë. Duhej vetëm thirrja e kuvendit të përgjithshëm dhe organizimi me sukses i punimeve të tij.

Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren.Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë.

Porta e Lartë nuk e la fatin e politikës së saj në Shqipëri vetëm në duart e autoriteteve shtetërore të vilajeteve, por ndërhyri edhe vetë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Personalitetet shqiptare i rezistuan presionit të qeverisë osmane ndaj Porta u përpoq t’i mbante në Stamboll me pretekste të ndryshme, për të penguar pjesëmarrjen e tyre në Kuvendin Kombëtar. Por ata u nisën për në Prizren pa lejen e saj.

Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashe Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuaip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj.

Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar, me qëllim që kërkesat shqiptare t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Kuvendi i Përgjithshëm i zhvilloi punimet në një nga sallat e medresesë së ndërtuar në shek. XVII nga Mehmet Pasha; kjo ndërtesë ndodhet pranë xhamisë ose Bajrak-Xhamisë, siç quhej nga qytetarët prizrenas.

Kryetar i Kuvendit u zgjodh delegati më i moshuar, Iljaz pashë Dibra (Qoku). Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë. Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të të katër vilajeteve, të cilët ishin nga të gjitha besimet fetare dhe përfaqësonin forcat atdhetare të vendit. Tri komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale, mbetën siç ishin, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, të Haxhi Shabanit e të Sulejman Vokshit. Kanuni, i miratuar më 2 korrik 1878, shënonte fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit.

Kjo fitore ishte e dyfishtë. Nga njëra anë, detyra për të mbrojtur vetëm trojet shqiptare, me të cilën e ngarkoi ky kanun, e ktheu përfundimisht Lidhjen e Prizrenit në një organizatë politike kombëtare dhe i dha të drejtën për ta përfaqësuar Shqipërinë e robëruar në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, të drejtat që i dha po ai kanun për të pasur administratë, ushtri, buxhet dhe gjyqe të veçanta, e pajisën Lidhjen e Prizrenit me funksione pushtetore të veçuara nga ato të shtetit centralist osman.

Në programin e saj, Lidhja konsideroi të domosdoshme krijimin e një ushtrie. [1]Nisur nga kushtet historike, politike dhe ekonomike, ajo filloi punën me përgatitjen e terrenit të përshtatshëm për organizimin e saj. Lidhja bëri një organizim të plotë ushtarak, ku format e luftimit u vendosën në themel të veprimtarisë së rregullt, duke i ngritur në shkallën strategjike, ku në themel të tyre u mbështet në format organizative popullore e tradicionale.Organizimi më i lartë i Lidhjes në sistemin e drejtimit, ishte seksioni i Financave dhe i Mbrojtjes.

Delegatët dhe luftëtarët dibranë në Lidhjen e Prizrenit


Në mëngjezin e datës 8 qershor 1878 Abdyl Frashëri, Iljas Pashë Qoku (Dibra) dhe personalitete të tjera që ndodheshin në Stamboll u nisën me tren dhe udhëtuan deri në kufi me Shqipërinë , që me datën 10 qershor të ndodheshin në Prizren.

Udhëtimi i Abdyl Frashërit për në Lidhjen e Prizrenit kaloi në fshatrat e Dibrës që nga Elbasani në Gollobordën Perëndimore, në Zerqan, Shupenzë, Bllacë, Dibër e Poshtme ku ju odrua një pritje e ngrohtë në shtëpitë e tyre dhe e shoqëruan sipas zakonit. Në Okshtun (Moglicë) Abdyl Bej bujti te Hoxhë Moglica, në Zerqan bujti te Sheh Sula, në Shupenzë te lisat u bë një tubim i madh popullor. (Në vitin 1978 këtu u vendos një pllakë përkujtimore).

Nëpër Grykë të Vogël Abdyl Frashërin e shoqëronin Hysen Skarra, Tush Lleshi, Mane Dema, Mahmut Cami dhe të tjerë. [2]

Në këtë tubim Abdyl Bej Frashëri për mbrojtjen e trojeve shqiptare që Rusia dhe Europa duan tja japin të tjerëve si dhe për mësimin e gjuhës shqipe. Dërgoni fëmijët në shkollat shqipe bëri thirrje Ai.


Si në çastet e tjera, me rëndësi historike dhe kritike për kombin dhe vendin, Dibra qe “violinë” e parë edhe në Lidhjen e Prizrenit. Këtë e dëshmon jo vetëm fakti se në Prizren burrat dibranë qenë të shumtë, por edhe se që nga Bulqiza, Dibra e Madhe, Selishta, Dibra e Poshtme e “Nëntë Malet” shkuan në Prizren burrat më me zë për të thënë fjalën e tyre e për të dhënë kontribut në çështjen e bashkimit kombëtar dhe të mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë.Prizreni i asaj dite pati përveç delegatëve rreth 5000 mysafirë, vizitorë, luftëtarë, roje etj.


Sipas të dhënave historike, Dibra u përfaqësua në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit me delegatë mbi bazën e Nandë Maleve dhe krahinave , nga Iljaz pashë Dibra, Sadik Pashë Hoxholli, Mehmet Reshit Beu, Ismail Aga, Bajram bej Dibra, Jonuz Zydiu, Sheh Sulë Zerqani, Bajram Doda, Zenel Dema, Hysen Kuçi, Bajram Dull Shehu. Edhe Reka u përfaqësua në këtë kuvend të rëndësishëm me haxhi Iljaz Rustem Hoxhën, nga fshati Trebisht i Rekës. Nga të dhënat del që ky personalitet është zgjedhur anëtar i Komisionit Kombëtar.

Sulë Shehu i Zerqanit ishte përfaqësuesi i Grykës së Madhe, Hoxhë Moglica, përfaësues i Okshtunit dhe i Gollobordës Perëndimore, Hoxhë Buci qe përfaqësues i Katër-Grykëve, Ahmet e Sabri Karahasani ishin përfaqësues të oxhakut të Karahasanit në Brezhdan, Bajram e Isuf Doda qenë përfaqësues i familjes trimërore të Dodajve të Reçit etj. Hysen Daci, Merë Sufa dhe Mustafë Lita ishin përfaqësues të Kalisit.

(Gazeta “Ushtima e Maleve” , qershor 1988)

Në Prizren shkuan edhe Bajram Bardulla nga Peshkopia, Mazar Nuredini, Ismail Marku, Mahmut Muja, Xhemal Pashë Qoku (i biri i Iljas Pashë Dibrës) etj. Nga Dibra e Poshtme pjesëmarrës të Lidhjes së Prizrenit ishin edhe Llan Kaloshi, Halil Cani etj. Nga Lura ishin Staf Ajazi, Ali Mena, Hasan Kaci.

Nga Dibra dhe Luma përveç delegatve kishte edhe shumë forca të armatosura për të siguruar mbarëvajtjen e punimeve. Sulejman Daci nga Kalisi, u vu në krye të 100 forcave patriotike në mbrojtje të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

Nuk përmenden personat shoqërues të Abdyl Frashërit dhe të Iljas Pashë Dibrës, të cilët megjithse nuk ishin delegatë, kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e punimeve të LSHP .

Historiani vendor Metush Skeja në librin dhe studimin e tij bazuar në intervista dhe objekte, vë në dukje se nga Luma dhe Kalaja e Dodës që me datën 5 qershor 1878 për mbrojtjen dhe mbarëvajtjene punimeve të LSHP, u formua një gardë prëj 5000 luftëtarësh. Skeja thotë se nga kjo zonë ka patur edhe delegatë, por jo nënshkrues.

Historia e popullit shqiptar, vol 2, Tiranë, 2002, f.154 nënvizon se “nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve dhe numri i saktë i atyre që ndodhën të pranishëm në ditën e hapjeës së Kuvendit. Njihen vetëm 110 emra, kryesisht kosovarë.”

Me 1 korrik 1878 është mbledhur Kuvendi i Përgjithshëm me 300 delegatë nga të gjitha viset shqiptare. Përfaqësues i Kazasë së Radomirës në LSHP ka qenë Mulla Misin Hoxha nga Tejsi, por emri tij nuk është evidentuar. (M.Skeja)


Iljaz Pashë Dibra ka firmosur, me cilësinë e kryetarit, të gjithë dokumentet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, (kryetar Kuvendi) Ymer Prizreni, kryetar i degës lokale të Prizrenit, u zgjodh kryetar i Komitetit të Lidhjes, me atributet e një qeverie provizore, ku Abdyl Frashëri ishte ministër i Jashtëm dhe Sulejman Vokshi ishte ministër i Mbrojtjes.

[1] Prof Bernard Zotaj, organizimi ushtarak I Lidhjes se Prizrenit [2] Mendu Dema, “Homeshi nëpër shekuj”, 2022, faqe 90

43 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page