top of page

137 vjet nga 7 Marsi 1887


DUKE KUJTUAR 7-MARSIN, “DITËN E MËSUESIT”


            Kanë kaluar plot 137 vjet nga 7 Marsi 1887. Ato mbeten vite vitale, vite përpjekjesh, përkushtimi, djerse e mundimi për lartuar shkollën e parë shqipe, shkolla më e re e shfaqur “pas përpjekjeve të mëdha të rilindësve dhe atdhetarëve në kontinentin e plakur të asaj kohe.

Por është momenti të përulemi me respekt të thellë, për ata që bënë të mundur hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Populli ynë rezistoi me të gjitha mënyrat. Shkrimi i shqipes u mësua fshehurazi në kasollet e fshatarëve, pranë staneve të çobanëve, në shtëpi të thjeshta, në ndërtesat e kultit etj. Shikojmë aty këtu edhe ndonjë shkollë, si në Kurbin në vitet 30 të shekullit 17, në Pllanë e në Blinisht të Lezhës me 1638 dhe 1639, në Kurbin 1670, në Prizren e gjetkë. Këto shkolla patën jetë të shkurtër dhe lëvizja për hapjen e tyre ishte sporadike. U deshën të kalonin 2 shekuj, që lëvizja për shkollën dhe gjuhën shqipe të fitonte përmasa reale zhvillimi. Intelektualët tanë të shquar, që nga N. Veqilharxhi, Zef Jubani, K. Kristoforidhi, Pashko Vasa, Sami e Naim Frashëri, H. Tasimi, J. Vreto, K. Hoxhi, P. Doçi, N. Mjeda, Gj. Fishta, N. Naçi etj., edhe pse pa shtetin e tyre, pa asnjë institucion kombëtar, të drobitur pa miq e aleatë ditën të gjejnë gjuhën e bashkimit kombëtar. Abetaret e Veqilharxhit e Tasimit etj. u përhapën dorë në dorë dhe u bënë shpresë për popullin dhe rininë e kohës, u bënë tmerr për pushtuesit, po aq sa pushka e komitëve, që shpejt mbushën malet e Shqipërisë.

        Për intelektualët e shquar, gjuha dhe shkolla shqipe u bënë pikënisje e shpresës së madhe, “sofra” e parë e fundshekullit të 19, që këtu i bashkoi shqiptarët për beteja të ardhshme. Ata lanë mënjanë dasitë fetare krahinore e fetare dhe u bënë një për çështjen e gjuhës kombëtare.


                             8 Mars 1887 - Drita e së ardhmes


         Mësonjëtorja e parë shqipe u hap me 35 nxënësit e parë, e më pas breza të tërë nxënësish nisën udhën e bukur të dijes në një shkollë të vërtetë shqipe. Një ditë më vonë, me 8 Mars 1887 Th. Mitkoja shkruante : “ Dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla”.

         Pas mësonjëtores së parë u hapën edhe shumë shkolla të tjera, si në Pogradec e Kolonjë, shkolla e Vashëzave në Korçë etj. Asgjë s`kaloi lehtë, përkundrazi u deshën përpjekje dhe sakrifica të mëdha për të bërë përpara çdo hap në udhën e ndritur të arsimit. Armiku reagoi shumë ashpër dhe u përpoq me të gjitha mënyrat që ta mbyste këtë dëshirë dhe luftë të madhe të shqiptarëve drejt dijeve dhe emancipimit të tyre shoqërore. Nga përplasjet me armikun e zi u flijuan shumë patriotë e atdhetarë të shquar me burgosje, vrasje e internime. P. Sotirin e hodhën nga kati i tretë i shtëpisë së tij, Papa K. Negovanin e therën me thika, Petro N. Luarasin e helmuan...E, megjithatë mësimi në gjuhën shqipe nuk ndalej. Shkollat shqipe po ngriheshin, populli po i mbante ato në këmbë, duke hequr edhe kafshatën e fundit të gojës. Popullit i duhej drita dhe atë dritë diturie e jepte vetëm shkolla. Vetëm një populli i ditur dhe i arsimuar mund t`i bënte ballë pushtuesit dhe forcave reaksionare që vepronin brenda Shqipërisë. Ndaj nga të gjithë njerëzit përparimtarë të kohës, nga atdhetarët e vërtetë hapja e shkollës së parë shqipe konsiderohej dallëndyshja e parë që lajmëronte pranverën. Dhe, dihet,  dallëndyshet s`vijnë vetëm, të tjera dallëndyshe do të vinin dhe Shqipëria e shtypur dhe e masakruar në shekuj do të shikonte dritën. 8 Mars 1887 ishte  fillimi i dritës që lajmëronte të ardhmen e ndritur.


              Drita kërkon dritën, erdhi dita e 28 -Nëntorit 1912


            Shpallja e Pavarësisë me Plakun e Vlorës dhe me ministër arsimi L. Gurakuqi nxiti dhe realizoi hapjen e 70 shkollave shqipe. Për ta vazhduar më me ngulm fuqizimin e shkollës kombëtare, sidomos pas Kongresit të Lushnjës më 1920 e pas luftës antifashiste nacional çlirimtare shkolla do të pësonte arritje të papara. Në vitet 50’ do të zhdukej analfabetizmi nën moshën 40 vjeç, do të shpallej arsimi i detyruar fillor e pastaj 7 e 8 - vjeçar. Në vitin 1957 hapet Universiteti i parë shqiptar. Universiteti i Tiranës, pas tij, Instituti e, më pas Universiteti  i Shkodrës e më tej, i Elbasanit, i Gjirokastrës i Korçës, i Vlorës, Akademitë si e Shkencës, e Gjuhësisë, e Arteve të Bukura dhe Kulturës Fizike dhe Sporteve.


     7 Marsi - festë drite, festë bashkimi, festë përparimi


        Me festën e 7 Marsit, janë të lidhur të gjithë: gjyshërit dhe gjyshet, baballarët dhe nënat, të rinjtë dhe të rejat, adoleshentët dhe fëmijët e të gjithë moshave, pasi shkolla mbetet për ta institucioni i mësimit dhe i edukimit më të organizuar për nxënësit e të gjithë grupeve. Aty kultivohen vlerat e vërteta kulturore, normat morale dhe mënyrat e komunikimit njerëzor e civil. Aty mësohet dhe zbatohet parimi i demokracisë për zbatimin në unitet të të drejtave dhe lirive nga njëra anë dhe të detyrave e përgjegjësive nga ana tjetër. Në të vetmin institucion të organizuar, në shkollë dhe nga shkolla, përcillen tek gjeneratat e reja që do të drejtojnë vendin në të ardhmen mesazhe paqeje e mirëkuptimi, kultivohet toleranca dhe dëshira për të mësuar gjatë gjithë jetës në mënyrë aktive, krijuese dhe kritike.


                            Mësuesi -figura qendrore e shkollës


          Parë në këtë këndvështrim, 7 Marsi i sivjetmë, që përkon me 137 - vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, është një ngacmim disi ndryshe për faktorët dhe aktorët që e kanë detyrim ligjor, por edhe qytetar e moral për përkujdesje e vlerësim më të madh të mijëra mësuesve, që në mjaft raste punojnë në kushte ende të vështira dhe me trajtim financiar larg mundësive që ata të garantojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve. Mësuesi është ai që të hap portat e dijes, që të orienton në lumin e madh të informacionit, që të udhëzon më mirë se kushdo tjetër sesi lexohet e punohet me librin. Ai dhe vetëm ai edhe gjërat më të vështira i bën të lehta për fëmijët. Mësuesit, në shumicën e rasteve, punojnë me pasion të veçantë e intensitet për t’i përgatitur nxënësit jo për kohën që ata janë në bankat e shkollës, por për kohën që ata do të dalin në jetë dhe do të ndërtojnë Shqipërinë e së ardhmes, Shqipërinë e vërtetë Evropiane.

        7 Marsi apelon para politikanëve e pushtetarëve të të gjithë niveleve, para medias e intelektualëve, para të gjithë opinionit: Më shumë përkujdesje për shkollën dhe mësuesit, më shumë respekt për punën e tyre të veçantë dhe të lodhshme, më shumë vlerësim për të gjithë brezat dhe para së gjithash para kontribuuesve më të mëdhenj të arsimit dhe atyre që tashmë të kërrusur nga vitet e gjata të punës në arsim presin me padurim ditën e marrjes së pensionit në sportelet me radhë të gjata! Më shumë ndjeshmëri e vlerësim material e moral për ata që na mësuan shkrim e lexim, matematikë e kimi dhe që na orientuan të sigurt në jetë për të përballuar konkurrencën e tregut të punës!

          Më shumë kujdes për ruajtjen e gjuhës së bukur dhe të vjetër shqipe nga huazimet dhe fjalët e huaja, që mund të zëvendësohen lehtësisht me fjalë shqipe! Ndërsa prindërve, kudo ku jetojnë e punojnë, në Evropë e Amerikë, në Australi e në vendet e tjera, bashkë me respektin që kemi për kontributin që ata japin edhe për zhvillimin e Shqipërisë, ju lutemi dhe në njëfarë mënyre ju përgjërohemi që tua mësojnë gjuhën shqipe edhe fëmijëve dhe nipave e mbesave ! Në të kundërt gjuha jonë, ndër më të vjetrat, një ditë do të shuhet dhe kur ajo nuk flitet e shkruhet, shuhet edhe kombi, pasi gjuha është elementi kulturor që e mban gjallë një komb. Nuk ka identitet pa gjuhë.

         Festa e të gjithëve përcjell mesazhe edhe për mësuesit. Ata kurdoherë të jenë në ballë të punës për zbatimin e politikave për reformimin e shkollës, për kultivimin e vlerave demokratike tek brezi i ri, për zhvillimin e fuqisë krijuese tek nxënësit, për përfshirjen e të gjithëve në procesin e edukimit dhe të mësimit, të argëtimit dhe të zbavitjes !

           Në këtë ditë të shënuar nga thellësia e shpirtit tonë buron fuqishëm urimi: Gëzuar festën e dijes kolegë tanë të nderuar dhe të respektuar! Paçi gjithnjë suksese e mbarësi!.                                                    

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page