top of page

Sot mbushen 132 vjet nga lindja e Anton Harapit , një elitë e mohuar


Vilhelme Vrana Haxhiraj

Vilhelme Vrana Haxhiraj


Sot mbushen 132 vjet nga lindja e Anton Harapit , një elitë e mohuar


Pater Anton Harapi,ishte frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar.

Shkëputur nga libri im,“ Elitat e Mohura..., Krenari Kombëtare”,(f.72-77)

Vilhelme Vrana Haxhiraj

A e dini pse çdo ndêrtese i vihen temelet n’dhé? Edhe pse n’vàrr, ne hijshëm duhet t’jemi gurt' e temelit t’njiasaj bînaje t’cillin sot e quejm Shqypni!)A.Harapi.

Anton Harapi,  lindi në Shkodër, më 5 janar, 1888 dhe vdiq në Tiranë, më,  20 shkurt, 1946, n

Lindi në Shirokë, lokalitet afër liqenit, më 5 janar 1888. Prindërit e tij janë i biri i Lorosdhe i Çile Koliqit. Qysh në moshë të re bashkë me të vëllanë, Markun, qenë të thirrur nga rruga e kishtarisë. Hyri në kolegjin e jezuitëve, ku kreu mësimet fillore dhe u largua duke lënë aty të vëllanë. Antoni, vazhdoi vitet e para të shkollës së mesme në kolegjin e françeskanëve. Rezultatet e larta në shkollë bën të mundur që të vazhdojë klasat e tjera të gjimnazit në Salzburg, e më pasSchwaz e VillachTirolitnë Austri. Kurse studimet teologjike i kreu në Romë. Lidhur me formimin e tij si personalitet i kulturës, Dom K.Prennushi, jep këto vlerësime:



“...Anton Harapi ( Gaspri), dallohet për mendje dialektike, që shkruan kryeartikuj, ndër të cilët disa janë kryvepra. Dija e thellë, arsyetimi i qartë, analiza të hollësishme, stili i mirëmenduar, që e dallojnë atë në të gjitha shkrimet e tij. Mund të jetë i thatë, i ftohtë, por ai është i drejtë e i pafajshëm”.

Pasi kthehet në atdhe më 1910, shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e caktuara të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913, kur Shkodra ishte rrethuar nga trupat malazese e serbe, iu përkushtua shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, Anton Harapi, kërkohej nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit L.von Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës. Por në mungesë të tij, morën si vëllanë françeskan, P. David Pepën.Më 1916 kur në Dukagjin ra kolera, P. Antoni vajti si shërbëtor pranë tyre, për t’i ngushëlluar dhe ndihmuar drejtpërdrejt nga ana profilaksike kundër kolerës. Dy vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore e gjetën famullitar në Grudë të Malcísë së Madhe. Organizon menjëherë tri bajrakët Hot, Grudë e Triepsh, të cilët i mblodhi me parinë e Shkodrës. Synimi i tij ishte që t'i dorëzonin komandantit francez në Shkodër, memorandumin e përgatitur nga ai vet në vitin 1918. Në bashkëpunim me L.Gurakuqin  dheAt Gjergj Fishtën, harton peticionin e nënshkruar nga paria e 200 përfaqësuesve të tri bajrakëve të lartpërmendur. Ky peticion i drejtohej  Konferencës së Paqes në Paris, ministrave të Jashtëmtë ShBA-së,  Anglisë, Francës dhe Italisë. Në përkrahje të negociatave diplomatike, përfaqësuesit e Grudës, Hotit e Triepshit në Shkodër, organizuan demostratën te Ura e Maxharrit, duke brohoritur:

“Hot e Grudë ishin betue,

Pa gjak malet mos me i l’shue...”

Në mars-prill, të vitit1923, merr pjesë si përfaqësues i françeskanëve me të rinjtë Ermest Koliqi e  Z. Harapi, të shoqërisë "Rozafa" dhe "Bogdani" konkretisht, në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve”, ishte bashkëpunëtor dhe nismëtar i botimit të fletores me të njëjtin emër, që rregullisht filloi të nxirrte grupi në fjalë.

Kur kam nxjerrë “Orën e Maleve”, përveç kolegut tim, Dom Lazër Shantojës, nuk kam pasë asnji njeri që të më përkrahë e të më japë ndihmë. Po, edhe miku im, Nush Topalli, më ka pague shpenzimet për botimin e tre numrave të parë”,-dëshmon nxënësi i tij, P. Zef Pllumi.

Anton Harapi emërohet drejtor i kolegjit françeskan më 1923. Mbasi përkrahte Gurakuqin, i cili mori pjesë në Lëvizjen e qershorit, me fitoren e Legalitetit më, 24 dhjetor, 1924 arrestohet dhe burgoset për pak kohë. I tërhequr nga politika, vazhdoi të japë mësim në liceun "Illyricum" (ku më vonë u emërua drejtor) dhe mësimdhënës në Shkollën Normale Femrore të Motrave Stigmatine po në Shkodër. Në harkun kohor të viteve 1930-1936, është drejtor i “Hyllit të Dritës”, siç kishte shkruar gazeta “Posta e Shqypnisë” dhe më tej, te “Zani i Shen Ndout” ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thana e thasha” (thashetheme).Gjatë vitit 1936, i kërkuar nga intelektualët e atij qyteti, u dërgua në Korçë nga At.Gj.Fishta. Pse pikërisht A.Harapi? Pasi ishte i njohur në shkallë kombëtare për shprehinë e tij të zhdërvjellët për një kuvend mbi vlerat, parimet, kulturën e krishterë dhe atdhetarinë.Më 1937, kreu shërbimin e fundit famullitar në Bajzë.

Me pushtimin italian, paria e Shkodrës, ngarkoi Gjon Marka Gjonin që të bisedonte me kontin Çiano më, 12 prill, 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes, ishte Patër Antoni. Bisedimet nuk kaluan pa tension mes parisë së Shkodrës dhe pushtuesve italian. Këto përplasje ndodhën pasi njëri nga krerët e dërgatës së asambleistëve të Shkodrës i kërkon Asamblesë Kushtetuese të Tiranës :“Pavarsínë e Shqipërísë, flamurin, gjuhën, shkollat...”-këto kërkesa ishin mëse të drejta dhe imediate për të mos humbur identitetin kombëtar. Në prill të 1940, bëhet anëtar i Institutit Mbretëror të Shkencavedhe më, 1941, u zgjodh Provinciali i Urdhrit Françeskan në Shqipëri.

Me kapitullimin e Italisë, Mehdi bej Frashëri i paraqet propozimin për t'u bërë përfaqësues i katolikëve në Këshillin e Naltë të Regjencës që do mbushte boshllëkun qeverisës të lënë në mesrrugë. Fillimisht, duke qenë klerik A. Harapi, nuk pranoi, që nga ajo zyrë të dilnin listat e firmosura të dënimeve me vdekje..  Aq më tepër ai nuk mund të pranonte pa lejën e eprorëve. Për këtë arsye, Asamblea i bëri një telegram Selisë së Shenjtë, duke i kërkuar që t'i jepte leje Át’ Harapit që të marrë pjesë në këtë Këshill të përkohshëm. Selia e Shenjtë ia dha lejën Patër Antonit që të merrte pjesë dhe të ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, por me kushtin e paravendosur nga frati që mos të nënshkruante asnjë vendim me vdekje.

Më, 13 shtator, 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij, me rastin e betimit si anëtar i Këshillit të Naltë, do të shprehej kështu:

"Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m'a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem".

I plotfuqishmi i Rajhut në Evropën Juglindore, Herman Nojbaher  shkruan në Kujtimet e tij me vlerësim të madh për personin e P. Antonit. Ishte fundi i qershorit të 1944, kur Nojbaher, i hipi avionit për të fluturuar drejt Beogradit dhe Át’ Antoni i thotë se, "nuk mund ta duronte më politikën"dhe shkoi me të. Pas disa javësh qëndrimi në Vjenë e Tirol, kthehet në Shqipëri.


Pamje nga gjyqi, në këmbë nga e majta: Lef Nosi, At Anton Harapi dhe Maliq bej Bushati.

Dënimi me vdekje:

Me marrjen e kryeqytetit nga komunistët, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, L.Nosin shkojnë në Shkodër dhe bujtën për disa ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit. Iu ngjitën Dukagjinit dhe pas pak ditësh në Kir, më, 5 dhjetor, të 1944, u vendosën në plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon tek një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi.

Më, 6 ose 8 qershor, 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur.

Me vendim të Gjykatës speciale në Tiranë, më 19 shkurt, P. Antoni është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Madje nuk i dihet as vendi ku iu varros trupi.

Veprat:

I nxitur siç qe kleri për mbledhjen e folklorit dhe vendosjen në rugë të mirë trashëgiminë kulturore dhe dijet zakonore në gjithë gjerësinë e vet, edhe P. Antoni gjatë kohës, kur shërbeu si famullitar në Grudë mbante shënime rreth ndodhive, shprehjeve, dokeve, të cilat u botuan tek e përkohshmja françeskane "Hylli i Dritës" ndër vitet 1933-'35 me titullin,“Urtí e burrní ndër banorë të Cemit”. I pajisur me kulturë austriake, A. Harapi i jepte shumë rëndësi të veçantë pedagogjisë. Meqenëse tekste posaçërisht për këtë lëmë nuk ishin shqipëruar ende, atëherë më, 1925, boton përkthimin e "Edukata a se mirërritja e fëmijëve"të autorit, Anton Herget. Ligjëratat e mbajtura në gjashtë konferenca në Korçë u botuan si libërth më, 1936, me titullin "Vlerë shpirtërore" dhe u ribotua më 1942. Kur rikthehet më 1939, vjen me prozën e tij psikologjike "Valë mbi valë", ku përshkruhet rrugëtimi i tij drejt Grudës. Emri i tij përmendet në historinë e letërsisë shqipe tek vëllimi "Shkrimtarë shqiptarë" të 1941, të përpiluar nga ResuliGurakuqi.

Me marrjen e pushtetit nga partizanët dhe pushkatimin e tij, vepra e një personi që mbante etiketën e kuislingut nuk e pa dritën e botimit në Shqipëri gjatë kohëzgjatjes së regjimit komunist. Komiteti "Shqipëria e Lirë", thërret si përgjegjës për kulturën P. Daniel Gjeçajn dhe i jep detyrë të botojë publicistikën e P. Antonit, gjë që arrihet më, 1959, me vëllimin nën titullin "Andrra e Prêtashit" në Romë 1959,më tej u ribotua edhe publicistika që rrëfente e përshkruante udhëtimin për në Grudë me titullin "Valë mbi valë" më, 1994.


Át’ Anton Harapi në burgjet e diktaturës, nga Pjerin Sheldija.

Veprat:

Referenca e botime:

-M.Gjinaj; M. Mele; M. Elmazi ,  "Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 28.

- P.Pepa , Si u pushkatua regjenti, gjeniu Patër Anton Harapi: 20 shkurt 1946 - pushkatohet në Tiranë Pater Anton Harapi - 53 vjeç, gaz.55, 6 dhjetor, 2005, fq. 6.

-K. Prennushi , Kuvendi i Giuhadolit në rasën e shtatdhetepesvjetorit, HD XII, 1936, fq. 583.

-N.Ndoja, “Dushman- Temali në rrjedhje të kohëve”, “Camaj - Pipa”, Shkodër, 2008. fq. 73-74. 

-R. Elsie, "A Biographical Dictionary of Albanian History", I.B. Tauris & Co. Ltd., London-NY, 2012.

-Gj. Duka, Parathënie e "Andrra e Prêtashit", Botime Françeskane, Shkodër, 2008.

-O. Pearson , "Albania in the Twentieth Century, A History”: Volume I: “Albania and King Zog", I.B. Tauris & Co. Ltd., London-NY, 2004 fq. 462.

- E. Çoba, "Jetë e humbun", Mediaprint, Tiranë 2010 fq. 127-128.

-AQSH, F. 200, V. 1940, Doc. 1.

- H.Neubacher, "Sonderauftrag Südost 1940-45: Bericht eines fliegenden Diplomaten", Göttingen 1956, fq. 105-121.

-Fjalimi i Shk. P. Anton Harapi O.F.M., në “Hylli i Dritës”, 1944 (XX), n. 1, fq. 6.

- D. Gjeçaj, Si e njohta unë Atë Antonin ndër Parathanjet tek "Valë mbi valë", Romë 1995, fq. 10-30.

- Marrë nga At’ Daniel Gjeçaj, Vepra 1, 2012, Botime Françeskane, Shkodër.

-V.Kamsi, Vdekja e një françeskani dhe shqiptari të madh : At’ Daniel Gjeçaj, Phoenix. - Nr. 1 - 3,


52 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page