top of page

13 MUAJ KINEAST


VIKTOR STRATOBËRDHA, 13 MUAJ KINEAST


Rreth librit me të njetin titull të përgatitur nga regjisori i njohur Kristaq Dhamo


Nga Skifter Këlliçi


Një ditë vere të vitit 2010, në shtëipnë time në Boston, ku jetoj dhe punoj prej 24 vitesh, më erdhi me postë një libër që ma dërgonte miku im, regjisori i njohur Kristaq Dhamo, që jetonte aso kohe në Nju jork, pranë së bijës së bashku me të shoqen Dhorkën, historiane e arteve . Libri I shkruar prej tij, titullohej “Viktor Stratobërdha, 13 muaj kineast”. Qe një e papritur shumë e këndshme, sepse, siç do të rrëfej më poshtë, ruaja edhe unë disa kujtime për Viktorin, këtë kineast të talentuar, mbi supet e të cilit për disa dekada rëndoi pesha mizore e diktaturës komunisto-enveriste me internime dhe burgime.

Duke shfletuar librin të pajisur me foto edhe nga veprimtaria krijuese aq e pakët e tij në fushën e kinematografisë, m’ u fanitën disa kujtime të pakta, por kuptimplote që lidhen me takimet që kisha pasur edhe unë me të gjatë kohës që Viktori kishte qenë dënuar në Berat në vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur unë punoja arsimtar në atë qytet, dhe për të cilat do të rrëfej më poshtë së bashku me përshtypjet e mia për këë libër.

... Një pasdite, aty nga fillimi vitit 1953, unë atëherë 15-vjeçar, me fëmijë të tjerë mësuam se nga Bashkimi Sovjetik kishte ardhur një grup kineasësh dhe aktorësh sovjetikë, për të xhiruar skena të filmit ”Skëndërbeu”, ku luanin e dhe aktorë shqiptarë. Ne kishim kurreshtje të shihnim, sidomos aktorin e madh gjeorgjian Akaki Horava, të cilin e kishim parë në filmin sovjetik “Gjergj Sakadze”, një hero i Gjeorgjisë së Mesjetës, që do të luante rolin e Gjergj Kastriotit tonë.

Mësuam se pjesëtarët e grupit bujtnin në hotel “Dajti”, prandaj një pasdite u sulëm andej. Patëm fat, sepse, ndërkohë, pamë disa prej aktorëve që bisedonin në sheshin e vogël të këtij hotel. Njohëm edhe Horavën, ose më mirë një burrë i ri që i shoqëronte aktorët na tregoi se cili ishte Horava , sepse ai nuk kishte as mjekërr, as mburojë dhe shpatë, siç e kishim parë në film. Madje burri i ri , diç i tha Horavës, që u kthye nga ne dhe na përshëndeti me bujari.

Mësuam se ky burrë ishte Viktor Stratobërdha dhe punonte me regjisorin e madh madh Jutkjeviç, emrin e të cilit e kishim parë dhe në filma të tjerë sovjetikë. Me fjalë të tjera, mësuam se ai ishte ndihmës i tij në filmin “Skënderbeu”.

Ky ishte takimi imi I parë me Viktorin, emri i të do të bëhej i njohur vetëm me tre filma të tjerë dokumentarë dhe asgjë më shumë, sepse pas Konferencës famëkeqe të Tiranës në prill të viti 1956, ai së bashku me Nesti Zoton, atëherë drejtor i Konostudios “Shqipëria e Re” dhe me rreth 200 intelektualë të tjerë, ish-partizanë komunistë, drejtues institucionesh të rëndësishmë të larta partiake dhe shtetërore, specialistë në fusha të ndryshme, gazetarë profesorë, u dënuan drejtpërdrejt nga diktatori Enver Hoxha, sepse me guxim dhe çiltërsi, siç do të vë në dukje më poshtë, ngritën zërin kundër udhëheqjes së Partisë së Punës, e cila po shkëputej nga masat e gjera të popullit, që po varfërohej gjithnjë dhe më shumë.

Duke lexuar librin e mësipërm të Kristaq Dhamos, mësojmë së një ndër ta ishte dhe Viktor Stratobërdha, i cili, nga ish-partizan , u bë komunist, shkoi tërë entuziazëm në Bashkimin Sovjetik për t’u bërë regjisor filmi, u kthye po me atë entuziazëm që andej pas gjashtë vitesh studimi me regjisorë nga më të njohurit edhe në botë, Pudovkin, Dovzhenko, Rom, Gerasimov, Jutkjeviç, i cili, ndonëse nuk ishte delegat në këtë konferencë, mbështeti hapur diskutimet e mësipërme, ashtu siç i kishte mbështëtur edhe në mbledhjen e organizatës së Partisë së Kinostudios, dhe shprehet kështu në faqet e librit:


“Konferenca e Tiranës ishte përplasja e parë e të gjithë ish-partizanëve komunistë, idealistë me një realitet që kishte zhgënjyer ëndrrat tona rinore, që na bënë të dilnim malit për çlirimin e Shqipërisë. Aty të gjithë ata që nuk donin që të merreshin nëpër këmbë synimet e larta të luftës së tyre liridashëse dhe demokratike,i bënë atentatin e parë kultit të individit, polarizimit të jetës, dogmatizmit dhe sektarizmit enverist”.

Ndër viktimat e para që ndëshkoi Enver Hoxha pas kësaj konference, ishte edhe Viktor Startobërdha, edhe sepse pas punimeve të saj tërë duf i ishte shprehur një kolegu komunist me fjalët:”Atje ia thyen hundët Enver Hoxhës”.

I përjashtuar nga partia, dëbohet nga Konostudioja dhe degdiset ...drejtor i së së vetmes kinemaje të Beratit. “Ma merr mendja se duhet të jetë një rast i veçantë dhe unikal në rruzullin tokësor, që një regjisor , duke qenë mendërisht dhe fizikisht tepër në regull, të ketë një jetëgjatësi kaq të shkurtër, - vë në dukje Stratobërdha në një letër dërguar Kristaq Dhamos më 21.12.1998, kur ndodhej i mërguar në Greqi, ecila është përfshirë në libër .- Vetëm në një diktaturë si kjo jona dhe që bota nuk arrin ta kuptojë, ndodhin të tilla fenomene”.

Mesditë vere e vitit 1960. Gazetar prej dy vitesh në Radio Tirana së bashku me Petro Kitën, atëherë nëndrejtor i saj ,ndodhem në Berat. Ai për një konferencë politike dhe unë për një reportazh. Dhe ja, pas drekës, kur ndodhemi në një kafene, shohim të na afrohet një burrë ende I ri . Takohet me me Petro Kitën. Mezi e njoh. Eshtë Viktor Stratobërdha. (Ishte koha kur diktatura komuniste nuk i kishte shtrënguar dhe më shumë burgjitë, prandaj dhe ata biseduan përzemërsisht, doemos pa përmendur Konferencën e Tiranës, pas së cilës ishte kritikuar nga lart edhe Petroja, si anëtar liberal i Byrosë së Partisë së Radios që kishte miratuar diskutimin e rreptë të gazetarit Niazi Demi në këtë konferencë) .

Pastaj Viktori na tregoi edhe kinemanë që që kishte shndërruar në një sallë të këndshme. Asnjë fjalë midis tyre për atë... konferencën e nëmur as edhe, siç u mor vesh vite më vonë, për pyetjen më të tmerrshme që i kishte sugjeruar ai Nesti Zotos që ta përfshinte në diskutimn e tij në konferencë: ”A ka dijeni K.Q. për varfërinë në vend dhe cili është shkaku i kësaj varfërie?”. Me kaq u ndamë nga ai.

Tri vite më pas Viktori arrin të bëhet regjisor i Estradës së Beratit, që nga e dobëtat nën drejtimin e tij, u bë nga më të mirat e vendit. ”#’mund të kishte ndodhur? Rehabilitim,? Zbutje e vijës së Partisë? Keqardhje? Asnjera. Gjithçka në vazhdën e politikës sënjohur të “shtrëngimit dhe lirimit paksa të vidave,” - vë në dukje Kristaq Dhamo në librin e tij.

Por, ndërkohë që pritet që të mbarojë afati i dëbimit të tij nga Berati dhe të rikthimit në Kinostudio, Viktorit i komunikohet nga Komiteti i Partisë së Beratit një pesëvje#ar tjetër qëndrimi në këtë qytet. Ka një arsye. Në një nga shfaqjet më të sukseshme të Estradës së Beratit, ai ka vënë në skenë një skeç të marrë ng a Estrada e Elbasanit, ku angazhimet e bujshme të fundvitit që nuk realizohen, kthehen në parodi. Por Viktori shton nje detaj shumë të mprehtë: Angazhimet janë materializuara në një arkivol që e mbajnë në supe katër aktorë, të shoqëruar nga një marsh funebër. Për më tepër që ato ditë Berati ishte nderuar me Flamurin e Garave të ashtuquajtura Socialiste, ku në fakt të dhënat , si gjithnjë, ishin të fryra, ndryshe nga të vërtetat. “Drejtuesit e partisë së rrethit të Beratit, - shkruan Kristaq Dhamo në librin e tij, - e cilësuan këtë skeç si denigrim të qëllimshëm të ’’sukseseve socialiste” . Dhe si pasojë këtu fillon edhe kalvari i gjatë i punëve të krahut në gurore, pyjore, ndërtim, ndërmarrje bujqësore”.

Me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, edhe mua në vitin 1966 më emëruan arsimtar në Berat. Dhe në këtë qytet, që atëherë kishte vetëm një rrugë-shetitore, ishte e pamundur që një ditë të mos takoja edhe Viktor Stratobërdhën. Ndodhi krejt rastësisht. Një ditë dimri të vitit 1967, në kinemanë e Beratit, ku ai vite më parë kishte qenë drejtor, po shfaqej filmi “Skënderbeu” në të cilin, siç përmenda më sipër, kishte qenë ndihmës i regjisorit sovjetik Jutkjeviç. Filmi shfaqej vetëm nëpër rrethe, dhe jo në Tiranë , sepse ishte prodhim ...sovjetik, ndonëse ishte realizuar në vitin 1952-53 në periudhën staliniste dhendhmësregjisor...Viktor Stratobërdha. Paradoks qesharak!...

Me të mbaruar filmi, tek po dilnim nga kinemaja , befas u ndodha bri tij. Pandeha se nuk do të më njihte. Por dy shokë të tij që e shoqëronin, e kujtuan kush isha. Më mbante mend. Bëmë një bisedë të shkurtër, por kur mendova të ndahesha, dy shokët që nga pamja e jashtme dukeshin punëtorë me të cilët punonte, më ftuan të gjerbnim kafe bashkë me të. Pranova.

Më tha se me kishte ndjekur emisione letrare të Radios që përgatitja unë dhe më pyeti nëse po shkruaja ndonje libër. Iu përgjigja se pas disa muajsh do të botohej një vëllim imi me tregime. Më uroi të shkruaja më pas një skenar filmi, siç ndodhi vite më vonë.

Pata dhe raste të tjera të bisedoja me Viktorin, që, me sa mbaj mend, ishte martuar me një vajzë nga nje derë e fisme beratase, por “e prekur”. Sidoqoftë , ndjeja një farë shqetësimi që këto takime, të cilat dëshiroja t’i kisha më të shpeshta, ata të partisë në Berat nuk do t’i shihnin me sy të mirë.

Por ndodhi diçka që më shqetësoi dhe më shumë. Zakonisht drekën e haja në restorantin “Berati”, ku drekonin edhe shefi i Deges së Punëve të Bredshme me zëvendësin e tij, të dy të ardhur nga Tirana, që në biseda me mua më dukeshin të çiltër. Dhe ja pas disa ditësh zevendësshefi me të ciin ndodhesha vetëm në një tryezë të restorantit, më tha me zë të ulët që të kisha kujdes për dy gjëra: T’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën dhe të mbaja sa më ulët volumin e Radios në dhomën ku banoja, kur dëgjoja lajme dhe muzikë nga RAI.

“Më ka ardhur dhe më ka takuar enkas filani në zyrë,- vazhdoi ai dhe përmendi emrin e një ish-oficeri pensionist që banonte në hyrjen përballë hyrjes ku banoja unë dhe më ka raportuar se ti dëgjon atë ” Radion e degjeneruar italiane”. Veç kësaj më ka thënë se ti takohesh edhe armikun Viktor Stratobërdha, madje ka qëlluar edhe para pallatit ku banoja. Prandaj edhe një herë, ki kujdes”.

Kështu që nga ajo ditë unë nuk munda ta takoja më Viktorin, aq më shumë se ai u caktua të punonte në një gurore larg Beratit, nga ku kthehej shumë vonë në shtëpi. Veç kësaj, unë nga fundi i vitit vitin 1969 u riktheva në Radio dhe pastaj në Televizion dhe nuk pata më rast të takohesha me të.

Mirëpo, në vitin 1972, kur nisi një pranverë e vogël në artin dhe kulturën tonë, si pasojë e zbutjes të së ashtuquajturës ”luftë e klasave”, ( për shembull, Festivali i 11-të I Këngës në RTVSH), mora vesh se, pa pritur, Viktorin e kishin emëruar sërishmi regjisor në Estradën e Beratit. Gjykova me shokë se tashmë kishin marrë fund hallet dhe dertet e tij. Por kjo zgjati pak kohë, sepse pas Plenumit të 4-të KQ të Partisë, siç dihet, Enver Hoxha nisi një kryqzatë në lëmim e kulturës dhe artit , pastaj kundër kuadrove të lartë të ushtrisë, ekonomisë, që solli si pasojë që Viktor Stratobërdha në vitin 1975, pas një mbledhjeje demaskuese si armik I popullit, të arrestohej dhe të dënohej me 10 vjet burgim për... agjitacion dhe propagandë.

“Lirohem nga burgu pas nëntë vjetësh, - shkruan ai në letrën drejtuar Kristaq Dhamos, që kam cituar më lart. - Pas kryerjes së dënimit, jetë eremiti. Në ngjarjet e hyrjes nëpër ambasada, (korrik 1990), nuk munda të çaja. Isha i vonuar. Në 91-shin marr arratinë për ku të dalë, por nuk më eci. As me tragetet e marsit. Atëherë, më këmbë për në Greqi”.

Në vitin 1992, kur po shkruaja “Historinë e Radio-Televizionit Shqiptar, (1938-1990), botuar në vitin 2004, u njoha në Arkivin e Shtetit me dosjen e Konferencës së Tiranës, (4-8 prill 1956), me rreth 400 faqe të shaptilografuara, ku përfshiheshin të gjitha dikutimet e delegatëve pjesëmarrës në këtë konferencë, shumica dërmuese e të cilëve kritikuan ashpër udhëheqjen e partisëdhe shtetit për probleme që janë trajtuar më lart në këtë shkrim.

Mbi bazën e këtyre diskutimeve aq tronditëse, në shkurt të vitit 1995 në një gazetë të përditshme botova një dosier prej rreth 20 faqesh, që pati jehonë të madhe . Dhe kjo, sepse ishte hera e parë që tregohej publikisht dhe me fakte e vërteta tragjedia e kësaj konference, e cilësuar nga Enver Hoxha si “komplot i përgatitur nga Ambasada Jugollave në Tiranë dhe agjentët e saj renegatë, armiq të partisë dhe popullit”.

Dhe ja, disa javë më vonë më ndali në rrugë një i panjohur. Pandeha se do të më pyeste për ngjarje dhe rezultatë sportive, siç na ndodhte jo rallë neve komentatorëve radiotelevizivë të futbollit. Por jo. Ai më tha: ” Ke shumë të fala nga Viktor Stratobërdha, i cili është emigrant si unë në Greqi. Të kujton me shumë mall dhe të përgëzon për dosierin aq të goditur për Konferencën e Tiranës. Të përgëzon edhe për dy filmat e Xhanfise Kekos dhe Gëzim Erebarës me skenarët e tu që ka parë në kanalet shqiptare. Kur të vijë ndonjëherë në Shqipëri, ka shumë dëshirë të të takojë.” Por kjo mjerisht nuk ndodhi...

Në vitin 1999, u zhvendosa dhe unë me familien në Amerikë. Nuk dija si të lidhesha me të. Dhe ja, në maj të vitit 2000, pasi ishte vendosur si emigrant politik në Kanada, mora vesh me shumë keqardhje se Viktor Stratobërdha ishte shuar përgjithnjë. #’përkim i çuditshëm! Kishte lindur në maj të vitit 1925 dhe ishte ndarë nga jeta në maj të 75 viteve më pas.

“Do të kishte qenë një nga figurat më të më mëdha të kinematografisë sonë,- më thoshte Kristaq Dhamo në biseda telefonike, ai në Nju Jork dhe unë në Bostoni, në të cilat bisedonim kryesisht për kinematografinë. - Por do të shkruaj për të”.

Dhë kështu ndodhi. Kristaqi shkroi për të një libër të vogël, por me vlera të mëdha, të shoqëruar me intervista të botuara në gazeta dhe revista, kushtuar atij, si dhe përshtypje, së pari nga e bija, F lutura,psikologe dhe të shkrimtarëve dhe artistëve që e kishin njohur nga afër, Dionis Bubani, Arian Myrto, Xhovani Shyti... Shkroi si artisti për artistin, i shtyrë dhe frymëzuar nga dashuria dhe respekti për ato që Viktor Stratobërdha kishte mundur të bënte vetëm për 13 muaj regjisor, siç e ka titulluar librin e tij.

Në gusht të vitit të kaluar edheKristaq Dhamo u ndanga jeta, por nëmoshën 89-vjeçare , veç të tjerash, besoj, edhe me kënaqësinë që pas filmave të tij mbresëlënës , na la dhe një libër shumë domethënës në bibliotekën e kinematografisë shqiptare, për Viktor Stratobërdën.

14 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page