top of page

111-vjetori i lindjes - Presidenti Reagan, ose ëndrra amerikane e jetësuar



Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Në përzgjedhjen e këtij libri për përkthim, Dr. Arian Starova, President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, duket se është frymëzuar fort nga mesazhet që ai përcjell. Kjo për faktin se, nga përpjekjet për të mos lejuar ndikimin komunist edhe në qytetin e mirënjohur të filmit, në Hollywood, në qytetin e tij të artit, deri në shembjen e sistemit komunist në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjerë satelite përreth tij në fundin e viteve 1980 e fillimin e viteve 1990 dhe ende sot, Presidenti Reagan u shndërrua në njeriun-simbol të nevojës ndërkombëtare të luftës kundër “perandorisë të së keqes” siç e quante ai sistemin politik komunist. Rrugëtimi i jetës së Reagan-it i pasqyruar me mjeshtëri të veçantë nga autorja e librit, Peggy Noonan, përbën njëheresh edhe një kujtesë-thirrje kundër regjimeve autoritarë të ditëve të sotme dhe politikave të tyre luftënxitëse



Njëzet vjet më parë (në shkurt të vitit 2001), një sondazh i opinionit publik i kryer nga CNN, USA Today dhe Gallup i pyeste amerikanët për emrin e njeriut të cilin ata e mendonin si presidentin më të madh të ShBA-së dhe në krye të tij u rendit Ronald Reagan-i me 18 përqind. (Më pas, vinte Xhon F.Kenedi me 16 përqind dhe pas tij Abraham Linkoln me 14 përqind).

Katërmbëdhjet vjet pas atij sondazhi (2015), profili i Ronald Reagan-it vjen i plotë në shqip nëpërmjet monografisë së Peggy Noonan (“Kur mbretëron karakteri – Renald Reagan” ndër bestseller-at botërorë më të shitur e të kërkuar të viteve të fundit ), të përkthyer nga Dr. Arian Starova, ish Ministër i Jashtëm i Qeverinë së Pajtimit Kombëtar të vitit 1997.

Siç shprehet vetë Z. Starova, nxitja për këtë përkthim ka qenë vetëm rrugëtimi krejt i veçantë i jetës së Ronald Reagan-it, ku vështirësitë, mungesat dhe sukseset kanë qenë ndërthurur më shumë se sa ato të çdo presidenti tjetër të 100 viteve të kaluara. Presidenti Reagan lindi në 6 shkurt të vitit 1911, në Ilinois, në një qytet të quajtur Tampiko, në një shtëpi me qira me një dhomë që ndodhej mbi ndërtesën e një banke.


Prof Dr Arian Starova

Qoftë dhe vetëm nga kapitulli i dytë i librit “Të gjithë presidentët kanë prejardhjen e tyre”, s’është e vështirë të kuptojmë se “Regan është i papërsëritshëm, në kuptimin se familja e tij nuk kishte asnjë përkatësi shoqërore të caktuar ose arritje, nuk kishte as prejardhje prej fisnikërisë vendore ose shtresës së mesme, nuk kishte asnjë profesion të trashëguar të tillë si infermier ose doktor dhe nuk kishte asnjë pronë, asnjë fermë, ose dyqan të vogël”.

Nga ky libër ndër të tjara, marrim mesazhin se Reagan-i ishte dhe mbeti një politikan romantik i magjepsur nga lëvizja e historisë, nga besimi i thellë te Zoti dhe nga rëndësia e të qenit të njeriut gjithnjë i drejtë dhe i ndershëm, nga ideja se është diçka e mirë që të bëhesh pjesë e një gjëje të madhe që bëhet për mirë. Ai i shfaqi këto cilësi gjatë gjithë kohë së tij si drejtues, nga Sindikata e artistëve të Hollivudit deri te Presidenca e tij.

Mesazhi tjetër i qartë që përcillet nga ky libër është ai i dashurisë së pamatë të ish guvernatorit të Kalifornisë dhe presidentit të 40-të të SHBA-së për Zotin, Amerikën dhe vlerat morale të njeriut. “Ai e donte Amerikën, jo vetëm sepse ai ishte mësuar për këtë nga familja e tij dhe nga kultura e asaj kohe për ta dashur Amerikën, jo vetëm sepse besonte tërësisht në vërtetësinë mahnitëse dhe vlerën e pohimeve të etërve të saj themelues. Ishte edhe fakti konkret dhe vetjak se ai e donte Amerikën meqënëse liria që ajo ofronte (kushdo mund të hapte një radiostacion, edhe ndonjë mjek me ide të çmendura) i jepte atij mundësinë (kushdo mund të fliste në radio, edhe një dikush që nuk dinte asgjë) jo vetëm për të hyrë në moshën e rritur mbi një themel të mirë por edhe për të shpëtuar familjen e tij gjatë Krizës së Madhe.

Ai ishte provë e gjallë e ëndrrës amerikane. Ai nuk mendonte se ajo ishte një ëndërr e përsosur, nuk mendonte se çdo njeri kishte marrë një përfitim të barabartë, sepse ai mendonte se jeta ishte e vështirë dhe fati plot me padrejtësi. Megjithatë, ai mendonte se, ndërsa sistemet njerëzore përparojnë, ai i Amerikës ishte i mrekullueshëm dhe i përshtatshëm për një premtim të arritshëm”.

Gjithsesi, rëndësia e këtij libri mbi Presidentin Reagan mund të lidhet me faktin se para lexuesit shqiptar vjen trashëgimia politike, letrare e artistike e Ronald Reagan-it, e cila vazhdon të jetë e fuqishme, veçanërisht për republikanët, që shqyrtojnë mundësinë e kandidimit dhe të fitores në zgjedhjet presidenciale të vitit 2023.

Ata që kanë qenë të pranishëm në ditën e vrenjtur kur ai u betua si guvernator i Kalifornisë betohen se ndërkohë që ai po bënte betimin, dielli doli pak prej reve dhe ndriçoi mbi të. Edhe ata që kanë qenë atje në ditën me re kur ai po përurohej si president në vitin 1980, thonë se dielli doli prej reve ndërkohë që ai vuri dorën për të bërë betimin … Kjo nuk duket si e vërtetë, por e tillë është.



REAGAN ISHTE EDHE NJË SHKRIMTAR I MIRË


Për lexuesin është interesant kapitulli i tretë “Ylli i kinemasë”, nga ku del qartë se si Regani kënaqej me aktrimin, dashuronte pikturën dhe praktikisht donte të bëhej aktor, një yll kinemaje, por e kishte të vështirë të shprehte këtë gjë. Ai arriti që ta shndërrojë talentin e tij për të shkruar në talent për komunikim. Reagan-i e ktheu artin e tij në shërbim të ideve te të cilat ai besonte. Proza e tij nuk përmban kurrë zhvillime të papritura, nuk bën ndalime të paparashikuara, nuk befason. Ajo ka butësinë e një rrjedhe të thjeshtë.

Duke u përpjekur të japë të plotë arsenalin krijues të ish – presidentit Reagan, autorja e librit, Peggy Noonan, evidenton vlerat e tij si prozator i talentuar. Sipas saj, ajo çka shquhet në tregimet e Ronald Reagan është rrjedhshmëria shumë e madhe. Ai ka një fjalor të gjerë … , korigjon rrallë ato çka duket se janë kopje të para. Si adoloshent dhe i ri 20-vjeçar, ai shkroi për burrat në frontin e luftës. Reagan-i shkruante ndonjëherë edhe për teatrin, për shfaqjet vendore të teatrit dhe për futbollin amerikan. Megjithatë në shkrimet e tij gjeje kurdoherë njerëz shumë të zemëruar që kthehen prej luftës në shtëpi, të rënë shpirtërisht, të hidhëruar prej asaj çka kishin parë. Heronjtë e tij të rinj janë të mavijosur, të rënduar nga kujtimet e llogoreve.


Reagan-i shkruante ku të mundej, në tryezën e tij të punë në shtëpi s, në zyrë, ndonjëherë në avion, kur shkonte nga një fjalim në tjetrin, gjatë viteve ndërmjet fundit të mandatit të tij si guvernator dhe fillimit të presidencës. Ai nuk u sundua kurrë nga shkrimet e tij, merrte përsipër të përkufizonte lirinë, të përcaktonte synimet e etërve themelues, të përforconte kuptimin e pjesës përkatëse të Kushtetutës.

Ai ishte një shkrimtar i mirë, dhe karrierën e tij politike e kishte bërë në të vërtetë duke u mbështetur te fjalimet që kishte shkruar dhe rishkruar vetë – mbi skeda, të cilave, siç dihet mirë, ai ua ndryshonte vendin që t’i mbante gjërat të freskëta.

Reagan-i ishte shumë ambicioz, por ai nuk i ndante gjithnjë me njerëzit ambiciet e tij të veçanta. Kudo që ai shkonte, prej shkolle në kolegj dhe në radio ai ia arrinte që të konkurronte, të fitonte dhe të ngrijhej gjithnjë më lart.


VEPRIMTARINË E REAGAN-it, E SUNDOI PËRBALLJA ME SFIDAT


Nuk ishin vetëm ekzistenca e komunizmit dhe synimi keqdashës i komunistëve ato çka e shtynë Reagan-in të pranonte të jandidonte për president, por edhe fakti se komunistët po luftonin për të marrë nën kontroll Hollivudin, qytetin e tij të profesionit, prodhuesin e madh të historive që shpjegojnë Amerikën e Amerikanëve …. Duke rrezikuar emrin dhe jetën e tij në periudhën e një kohe të errët dhe të ngarkuar të historisë së Hollivudit dhe të amerikanëve, ai u shndrrua në njeriun e ndershmërisë heroike që nuk e lejoi komunizmin të pushtonte Hollivudin.

Autorja Noonan shkruan: “Reagan-i filloi si “i pari” dhe përfundoi si “i fundit”. Ai ishte i pari guvernatori i Kalifornisë, i pari aktor, i pari i divorcuar, i pari konservator modern me ide serioze për tu bërë president … Por dhe “i fundit” prej më të mëdhenjve, i fundit që e ka pasur praninë e tij më të madhe, si atë të një anijeje … Ai udhëhoqi në një mënyrë të tillë që pjesa më e madhe e njerëzve të zakonshëm dhe e të mëdhenjve të Amerikës – heronjtë e përpjekjeve të palodhura të “fluturimeve luftarake” – e besuan instinktivisht sepse ata e dinin se ai do të përpiqej të bënte atë që ishte e drejtë …”

Mendimi filozofik dhe jeta e tij ishte mbizotëruar nga sfida e bashkuar me përpjekje të cilat shpërbleheshin: “Kërko diçka dhe do të të jepet. Kërko dhe do të gjesh”. Ai kishte kërkuar dhe pyetur, kishte punuar fort, kishte ëndërruar gjëra të mëdha dhe përfundonte duke bërë punën që dashuronte, e cila i jepte pasuri, kënaqësi dhe respekt.

Nëse i referohemi jetës dhe veprës së tij, nga ky libër del qartë se Ronald Reagan-i nuk krijoi asnjëherë mendim të mirë për pesimistët dhe për humbjet që ata dukej sikur i kërkonin vetë. Përkundrazi, ai inkurajoi dhe mbështeti “ata që luftojnë për liri dhe kundër komunizmit kudo që ata të jenë”, siç bëri me fjalimin që mbajti në 8 qershor të vitit 1982, në Parlamentin e Britanisë. Po ashtu, siç është shprehur Natan Sharanski, hapi më i rëndësishëm në Luftën e Ftohtë dhe shkatërrimi i perandosisë sovjetike kanë qenë fjalët dhe veprimet e Reganit në fillim të detyrës si president.

Do të mbeten përherë profetike dhe si thirrje për shndërrim fjalët e Reganit drejtuar Presidentit Gorbaçov: “Rrëzojeni këtë mur Zoti President” duke pasur parasysh murin simbolik ndarës të Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore. Pas atyre fjalëve filloi shpërbërja e Bashkimit Sovjetik komunist”.


VLERAT QË SOLLI REAGANI NË SJELLJEN E AMERIKËS NË BOTË


Ajo çka e formoi Reagan-in ishte diçka më shumë se sa të qenit spiker në radio, diçka më shumë se sa të qënët aktor, diçka më shumë se sa të arriturit e suksesit.

Të gjitha këto janë thënë nga personalitete të politikës amerikane edhe ditën e përurimit të Aeroplanmbajtëses RONALD REAGAN, CVN 76, në 3 marsin e vitit 2001.

Admirali Vern Klark është shprehur se Shtetet e Bashkuara kanë emërtuar një numër aeroplanmbajtësesh me emrat e ish presidentëve – Xhorxh Uashington, Abraham Lincoln, Tedor Rusvlet, Harri S.Truman, Duajt Ajzenauer, Xhon F.Kenedi. Por sipas tij, emri i Ronald Reaganit nënkupton lirinë. Klark ka thënë se ashtu siç ndodhi me emrin e tij, ashtu do të ndodhë dhe me këtë anije … Ndërsa Senatori Xhon Verner i Virxhinias e ka quajtur anijen “një ishull të demokracisë që lundron nëpër dete”.


Ish presidenti Bush, krenar që ndodhej i pranishëm në pagëzimin e anijes më të re të forcave detare më të mëdha të botës ka shprehur bindjen se “Anija Reagan do të lundrojë gjigande dhe e fortë, ashtu si burri që ne kemi njohur … Ne jetojmë në një botë, e cila në aq shumë mënyra është formësuar nga vullneti dhe zemra e tij. “Ajo çka ne deshëm, ajo për çka ne luftuam, ishte një komb më i fortë në një botë më paqësore …Vlerat që solli Ronald Reagan-i në sjelljen e Amerikës në botë nuk do të ndryshojnë …”.

Si president, Ronald Reagani besonte në mënyrë të padyshimtë se tirania është e përkohëshme dhe se shpresa e lirisë është e përgjithshme dhe e përhershme, se kombi amerikan ka mirësi të papërsëritshme dhe duhet të mbetet në mënyrë të papërsëritshme i fortë, se Zoti mban anën e drejtësisë, sepse të gjitha të drejtat tona janë dhurata të vetë Atij. Disa arritje zbehen me kalimin e kohës. Arritjet e Ronald Reagan-it zmadhohen bashkë me kalimin e kohës.

Kur Reagan u zgjodh president në vitin 1980, konservatorët iu referuan kësaj fitoreje si “Revolucioni Reagan”, që nënkuptonte një qeveri më të vogël, ulje taksash dhe rikthimi i krenarisë së Amerikës në botë.

Kur u largua nga detyra në janar të vitit 1989, Presidenti Reagan e përmendi këtë në fjalimin e lamtumirës, që mbajti nga zyra ovale. "Fitorja ime u quajt ‘Revolucioni Reagan’, dhe unë e pranoj këtë. Por për mua ka qënë gjithnjë si një zbulim i madh, një rizbulim i vlerave dhe llogjikës sonë".

Por nuk janë vetëm republikanët që duan të përmendin emrin e presidentit të 40-të amerikan. Presidenti Obama i referohet herë-herë Ronald Reagan-it dhe trashëgimisë së tij, madje bëri këto komente gjatë fushatës së vitit 2008: "Unë mendoj se Ronald Reagani ndryshoi trajektoren e Amerikës në një formë që nuk e bënë as Richard Niksoni dhe as Bill Clintoni. Ai inkurajoi atë që njerëzit ndjenin dhe që kërkonin: qartësi dhe optimizëm".

Ronald Reagan-i është popullor jo vetëm për konservatorët, por për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike.

Shumë prej mbështetësve të tij të paepur thonë se ai do të mbahet mënd më shumë për ringjalljen e frymës kombëtare dhe të optimizmit, në një kohë të vështirë për ekonominë, ndërsa amerikanët vinin në pikpyetje vendin e tyre në botë. Pikërisht këtu konsiston edhe rëndësia e këtij libri të autores Peggy Noonan, e cila ka qenë ndihmëse e posaçme e Presidentit Ronald Reagan, prej vitit 1984 deri në vitin 1986.

Ky libër i shqipëruar nga Dr. Arian Starova, botim i “Tirana Times” na jep thuajse një profil të plotë të Presidentit Reagan, i cili mbetet një ikonë për shumë republikanë në arenën kombëtare, përfshirë edhe ata që mund të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.


18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page