top of page

110 vjetori i shkollës së Trebishtit të Gollobordës dhe ajo që mundon


110 vjetori i shkollës së Trebishtit të Gollobordës dhe ajo që mundon

Prof Dr Fatmir Terziu

 

Shkolla emërmadhe, 9-vjeçare, „10 Dëshmorët“ e Trebishtit të Gollobordës më datën 3 maj 2024 në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar Bulqizë, organizojnë veprimtarinë „110 vjet shkolla shqipe në Trebisht“. Në ftesën që më është dërguar thuhet se në festimin e 110 vjetorit të themelimit të shkollës 9-vjeçare “10 Dëshmorët” të Trebishtit, Gollobordë, do të ketë vizitë në muzeun e shkollës, program artistik, kumtesa dhe pritet të marrin pjesë edhe zyrtarë lokalë dhe qendrorë krahas atyre që janë ulur dhe ende ulen në bangat e një shkolle që u hap njëherazi me atë të Peshkopisë. Ishte koha kur Aqif Pasha, Guvernatori i Elbasanit, i cili i kishte nën administrimin e tij të gjithë këto fshatra me urdhër të Presidentit të Qeverisë së Përkohëshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beut. William Willard Howard, sekretar i “Komiteti i Ndihmave” të Kryqit të Kuq të SHBA (The Relief Committee) sqaron se Aqif Pasha[1] ishte jo thjesht një Kryetar i Elbasanit, por ai kishte tërë autoritetin dhe forcën të menaxhonte territorin e tij shqiptar të Gollobordës, gjë që ai e konsideronte pjesë të zonës së tij qeverisëse. Gjithashtu, mes bisedës së Howard dhe Aqif Pashës mësojmë se Golloborda dhe Gegëria, që ndahen nga Lumi Shkumbin, rrezikoheshin nga orekset bullgare dhe serbo-malazeze. Kështu një zonë e braktisur dhe në një pikë nevralgjike natyrshëm kërkonte ndihmën, por dhe shkollën. Dhe shkolla hapi dyert, sikurse dihet… më 15 Prill 1914, nga mësuesi Ramiz Qatja, ndërsa një ditë më parë, pra 14 prill 1914, në Peshkopi me mësues, Haki Sharofi. Populli i Trebishtit hapi shtëpinë e Mulla Elez Pupulekut, dhe më pas shtëpinë e Idriz Muçinës, deri sa u ndërtua godina e shkollës me bamirësi dhe kontribut vullnetar në vitin 1948.

Historia e emrave që e zanafillën këtë shkollë është tashmë në shkrime, në refleksione, në libra e në memorje, po aq sa dhe ajo që dihet e duhet sqaruar më tej. Por shkolla është vetëm një pikë në tërë atë që kërkon sot e mot ajo zonë, rruga që ka përshkuar në tërësinë jetike, ndaj dhe nuk u ndala pasi shumë gjëra janë thënë e stërthënë me emra që flasin e fliten, duke thënë herë meritoren e herë atë që na vjen si shkas për ta stërthënë sipas shkruesve. Enigmat e tjera janë pjesë e një debati të madh, që faktohet në ditët që jetojmë, ku lëvizja e lirë për arsye të ditura ka bërë që shkolla së pari të mos e ketë më atë numër që ka pasur disa dekada më parë, dhe fshati, po ashtu dhe zona të reduktohet në banorë. Gjithkush e di se pika ku mbaron fjalia është Lëvizja e Lirë. Dhe në këtë pikë të gjithë jemi dakord. Po kohët me një lëvizje të tillë e me të tjera të detyruara si duhet ti kuptojmë deri në një të vërtetë të pranueshme? 

***

Shekuj më parë një kryeprift kallogre, një poet shëtitës i kohës, personifikoi Gurin dhe Zjarrin dhe i bëri ata të flasin në vargje të paharrueshme, duke futur me mend me afirmime dhe kundërshtime të konkurimit estetik midis tyre, etikën e tyre të kundërt dhe të mirat dhe përfitimet që secili i ka i dhënë njerëzimit mes produktit të bardhësisë. Ky dialog tipologjik nga prifti kallogre, ribotoi në lavdi jo vetëm të emrit të tij, por të Kishës së vogël të Kallogjerit, fama e së cilës mbështetet ekskluzivisht mbi atë të transmetimit gjenial të rrëfenjave të bashkëjetesës së kohërave dhe të çdo lloj mënyre vargu të huazuar, ngjallës të produktit që largonte kolerën, pastërtinë, digjte të gjitha mikrobet dhe problemet e padiktueshme me ikjen e njeriut.

Ndoshta polemika e famshme e imagjinuar nga poeti kalimtar mund të shërbejë si një precedent letrar për të më lejuar tani të personifikoj kohën e errët dhe tymin e zi, dhe t’i lëmë ata, nën maskën e një legjende, të mbështesin meritat e ikura bashkë me erërat dhe kohërat e fraqta, duke mbetur jo thjesht tek gjuha që rodhi, por tek kënga që kënduan mbi bazën e tekstin “në tokën Arbërore”. “E ndërsa vesa binte në tokën Arbërore”, sipas tekstit të poetit kalimtar, produkti i bardhësisë jepte rezultatin e një kohe kur vdekja vinte nga e padukshmja, kështu gëlqerja që vinte nga alegoria poetike e djegjes së gurit dhe tymit të zi, në lutjet e kryepriftit kallogre tashmë krijonte emrin tek i cili mblidhej Jeta, Njeriu, Familja. Por, duke ndjerë gjithnjë se diçka ka munguar, siç gjej unë, ndoshta jo edhe tek autoriteti i kalimtares, qoftë si prifti e poeti kalimtar, për të ngjallur krijesa të fantazisë dhe t’u japë atyre pasione njerëzore dhe domethënie mbinjerëzore, gjithçka që mund të bëj është të përcaktoj, në prozë të çuditshme, kontrastet e mahnitshme që kam vërejtur në qasjet dhe rrëfimet e ndryshme historike dhe produkte gojore të transmetuara, mbi të cilat mbështetet historia kulturore e Gollobordës.


Këto kontraste nuk janë as fetare dhe as morale, siç ishin ato të rimuara nga prifti kallogre dhe kalimtari poet midis zhdukjeve mëkatare të njeriut dhe shpresave prej Gurit dhe përkoreve të Zjarrit pastrues, në ekzistencën e qëndrueshmërinë e Tokës, emrit dhe vetë Jetës. Guri dhe Zjarri janë kundër njëri-tjetrit në aspektin ekonomik, ashtu si në fushën sociale dhe kulturore, pasi guri në atë zonë ishte një nga arsyet e jetës, lidhej me fatin dhe vetë zanatin e Njeriut Usta, dhe Zjarri frika e ardhur nga pushtuesi që vinte, digjte në zjarr jetën dhe tërë produktin e një jete, madje edhe moralistët me rreng të ngushtë i kanë marrë ata në shqyrtim gjatë historisë së tyre, duke e parë si një, edhe me mosbesimin, edhe tjetrin e debatueshëm, me favorin. Për më tepër, paralelizmi i kundërt midis gurit dhe zjarrit është kurioz, si ai mes dy personazheve në dialogun rrëfimtar, se ai shkon përtej kufijve të një problemi thjesht kulturor e shoqëror dhe prek pjesët e poezisë. Një poet mund të jetë në gjendje të na japë në mënyrë të fortë dallesën midis gurit dhe zjarrit në kuptim tjetër, ku aspekti kulturor i referohet faktit të tokës, pasi gurët janë produkte të tokës, ku njerëzit janë duke luftuar për jetën dhe ekzistencën dhe zjarri me gurët është një marrëdhënie e lidhur me jetiken e vetë jetës. Ky lloj kompozicioni i dialoguar i cili bart dialektin dramatik të jetës në sferën e artit gjithmonë ka qenë i preferuari i muzave popullore të ngjizura në poezi, muzikë, valle, këngë dhe dramë. Shembujt e shquar të kësaj në Gollobordë janë lutjet antifonale të liturgjive të dy grupeve që karaktorizohen mes kësaj si qëndresë dhe ikje e vendasve dhe të tjerat me kalimtarët dhe misionarët e ardhëqëllimtarët, pikën më nevralgjike të sfumuar nga vetë guri dhe zjarri, që i përket asaj arbërore të palexuar, por të diktuar e rrëfyer duke u shuar dhe kalimtares së shkruar në gjuhë të huaj.

Një baladë popullore tipike, ose një nga ato poezitë e stanzës dhjetë rreshta në rrjedhën e këngëve, kundërshtarët e së cilës ishin protagonistët mashkullorë të diktuar si parësorë e të privilegjuar nga pushtuesi dhe aspektet femërore të vëna në një hapësirë tregu dhe dialektike inferiore, mund të jenë me vlerë edukative në shoqëri dhe dasma, sikurse ndodh mes tekstit të këngëve, sepse në studimin e fenomeneve kulturore dhe efektet e tyre sociale do të ishte e vështirë të gjesh mësime më elokuente, sesa ato që jep Ballkani në kohë dakordësish, për vetë kundërpeshën befasuese midis gurit dhe zjarrit. Kjo është vetëm tek kënga më e detajuar, “Shtatëdhjetë e dy ditë me radhë”, por ndoshta jo tek e vetmja, pasi morali qaset si një hapësirë gjeografike më e madhe, kur flitet për një kontrast kaq të domosdoshëm për ta kuptuar, sikurse do ta sqarojmë.

Kontrasti midis gurit dhe zjarrit në folklor daton nga momenti kur të dy u mblodhën në mendjet e zbuluesve të produktit të bardhë, gëlqere (var). Në kohën e pushtimit të kësaj treve në territorin Arbëror, në shekujt që trazuan gjuhërat, nga okupimet që sollën civilizimin e Evropës në Botën e Re, mendja e këtyre pushtuesve ishte nga ana tjetër e maleve dhe kodrave, ngase kishin fiksuar tashmë lakminë territoriale duke parë bardhësinë e gurëve, produktin tjetër që dilte prej tyre, me të cilën njeriu i atyre anëve realizonte bardhësinë e shtëpive, po aq dhe talentin e të qenit usta që nga lindja (faktet dihen-zanati i ustait trashëgohej). Lakmitarët, tashmë menduan se kishte ardhur çmimi më i mahnitshëm i zbulimit, një lak i fuqishëm i shqisave si me një lloj të ri prosperiteti, mendja me një mister të ri, shpirtin me një mëkat të ri në mësymjen e tyre brenda bardhësisë. Dy gjetjet, gur dhe zjarr, që prodhonin bardhësinë i bënë të shtojnë kërshërinë e tyre territoriale, po aq sa dhe produkti i tokës së pasur në ushqim e malet e mbushura, i bënë këta të iknin e vinin me armën e tyre të shuarrjes së jetës mes zjarrit, si shpagim i mosbindjes.

Jashtë këtyre synimeve territoriale, oreksi shtoi dhe zgjerimin e produktit të tokës së artë që për kohën ishte dhe një arsye më shumë të fiksohej si një interes ekonomik, të bëhej histori e re, të ritregohej fati i gurit dhe zjarrit odave që prisnin e përcillnin tashmë frikën dhe pasigurinë e jetës. Guri dhe zjarri mbetën kështy dy gjëra kryesore në jetëudhën e njeriut të kësaj treve.

Të dy tashmë nuk ishin si shkas të vetmit e një zone, nuk ishin as dhe zbulimet e para, pasi qytetërimet kishin shkuar përtej tyre, por në kohëhapësirën e ndodhur ishin më shumë se sa një arsye. E kështu mes gurit që digjej e zjarrit që përvëlonte, kishte filluar ndryshimi i një bote. Një botë që kishte trazuar vetë rrjedhën e saj. Gjuha në këto raste vinte e bëhej plot mëkate. Digjte rrjedhën e saj, digjte e përfundonte në varre, bashkë me fatet e të parëve.

Guri dhe zjarri janë të dyja prodhime të gjetjes së arsyeshme që seleksionohet, përpunohet dhe qaset për delektimin e kulturave që i konsumojnë në mënyrë estetike për shtëpitë që gjithnjë kanë qenë syri dhe vëmendja e ustait të kësaj zone dhe elementit femëror, që e donte bardhësinë, pastërtinë, shëndetin dhe bukurinë në shtëpitë që dallonin tashmë nga të tjerët. Për më tepër, në prodhimin e produktit të lindur prej gurit dhe zjarrit me produktin që në fakt kishte përdorim të dyfishtë, shëndetësor dhe estetik, të katër faktorët janë të pranishëm: toka, riprodhimi primitiv, puna dhe paraja, kombinimet e ndryshme të të cilave përbëjnë historinë e këtij produkti, që u ngjiz si gëlqere, një nga elementët më të rrëndësishëm, pas vetë grurit, baltës, rërës dhe drurit në një proces të ngritjes estetike të një banese. Por që nga momenti i shkuljes së tyre nga toka, deri në formëzimin e fundit të gurit e produktit të fundit të vënies në shërbim të obligimit njerëzor, si produkt i tij pas zjarrit, gëlqerja, vetvetiu sillen në mënyra gati se gjithmonë kundërshtojnë rrënjësisht lidhjen me zjarrin. Shtëpitë janë të tilla pas së gjithave, por kur zjarri dhe zjarrvënësi nuk kanë arsyen e dhimbjes, natyrisht kundërshtia shkon përtej dhimbjes në të gjitha rrëfenjat, këngët e rrjedhat. Në këtë kornizë të ardhur nga rrëfenjat guri i skalitur në duart e ustait e mbajti zjarrin në shpirt, në zemër e në tërë udhën e tij të ecjes jetike. Sakaq ustai forcoi dashurinë me gurin.

Të ndërmarrësh një studim të tillë në një kohë kur Komisioni i Ligjeve të Parlamentit të Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare[2], në të cilin ka përcaktuar se minoritetet në Shqipëri janë nëntë, përfshirë dhe pakicën bullgare, të cilësuar si të tillë popullsinë e fshatrave të zonës së Gollobordës, (që është brenda truallit shqiptar) natyrisht shtohen akoma më shumë vështirësitë. Ashtu sikurse vështirësi të tilla ka pasur dhe më parë, ashtu sikurse problematika e këtyre vështirësive gjithnjë ka lënë në mes të gjitha iniciativat, studimet, ndërrmarjet e mirëfillta studimore në të gjitha kohërat dhe për të gjitha mendimet dhe idetë e bazuara në atë që ka ardhur si e thënë apo e folur në ditët tona mes gjuhës. Ndaj që në krye të herës dua ta them atë që është thelbësore në këtë studim, atë që më detyron të forcojë bindjen time personale se të thuash atë që është realitet, atë që mendon personalisht dhe që e bazon në mjaft fakte të ardhura deri në ditët tona, nuk është thjesht angazhim, nuk është domosdoshmëri për debat, as edhe ndonjë kundërvënie mendimeve të tjera, por një detyrë të cilën duhet ta bëjnë mjaft të tjerë, qofshin nga ajo zonë, apo që kanë arsye të tjera me atë trevë historikisht të njohur, po aq dhe në kuadrin e mendimit të lirë dhe kontributit aq të domosdoshëm për të larguar sadopak errësirat e shekujve.

Në këto errësira sot, ndryshe nga ato që hodhën mirëfilli synimet e duhura, është mjaft lehtë të manipulohen më së shumti, pasi lëvizja e lirë, demokracia, zgjedhja personale, e drejta dhe mjaft të tjera, që shkojnë deri tek përditësia dhe ekonomia, deri tek motivimi me një pasaportë, apo më shumë se kaq, mund të provojnë se errësira është dritë, dhe me këtë dritë të tillë, në mjaft raste verbuese, pa e kuptuar shtohet më së shumti ajo që të paktën kishte mbetur si e tillë e mbuluar, dhe e hutuar në ndasi, përbuzje, zhdërvjelltësi dhe sinonime të tjera për një zonë mjaft të begatë, punëtore e duarartë, që përditë e më shumë sot po zhvishet e po çpopullohet masivisht. Ndodh që në këtë errësirë të quajtur dritë të mbesin edhe mjaft gjëra të tjera, që akoma më shumë e largojnë fatin e kësaj zone nga rrjedhat e gjyshit, stërgjyshit e vetë origjinës në fakt.

Por ky studim, sikurse e thamë, është një ndërrmarje personale disavjeçare, një qasje e mendimeve dhe fakteve toponimike të mbledhura, pos shpjegimeve që vijnë nga aspektet e njeriut, qoftë në gëzim, apo hidhërim, qoftë mes lotëve të gëzimit dhe qoftë mes atyre të vajtimit, qoftë mes arsyeve të tjera, ku jeta ka rrjedhur në ecurinë e saj shekujve të mbuluar nga dheu dhe gurët, atyre shekujve ku shuhej jeta e të parëve të kësaj zone bashkë me emrat e tyre të largët e me gurët e bashllagëve të varreve që u flasin mbi kokë me gjuhëra të tjera, se e folura tretej bashkë me frymën. Por, sikurse dihet dhe pranohet gjithnjë është më mirë të synohet dritë në rrugëtimin e të parëve, në fatet e shkruara prej tyre, edhe pse gjuha e folur, ajo që ka mbetur ka një rrjedhë të vetën[3].

Është më mirë të përfundosh te gjyshi dhe stërgjyshi, se  sa të mbartësh mbi supe fatet e ngulura me forcë, toponimet me gjuhërat që të ka ngarkuar pushtuesi për breza të tërë. Ajo që rrjedh nga ilirët dhe pellazgët, mbart më vete, edhe dëshira, edhe mjaft detyrime që të hapet si një kapitull më vete në historinë e kësaj treve të lënë në harresë, jashtë synimeve të caktuara. Jam i sigurt që të gjithë e dinë mirë, që popujt për shkaqe të ndryshme përgjatë kohërave kanë lëvizur. Lëvizjet dhe pushtimet kanë sjellë ndryshime, jo vetëm në konstrukt, por dhe në A.D.N. Për shembull, Anglezët e sotëm janë të trazuar me romakët dhe fiset gjermane; francezët me algjerianët, turqit u shkëputën nga mongolët; që të mos e zgjas, popujt kudo në botë kanë pësuar ndryshime në A.D.N. Midis tyre dhe shqiptarët, të cilët kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë nga romakët, turqit, sllavët, etj. Po ashtu dhe banorët e kësaj treve, që kanë qenë të pushtuar për shekuj të tërë jo vetëm nga të gjithë, çfarë u sqarua më lartë, por dhe nga vet bullgarët. Atëherë, sa gjak të pastër ka mbetur në genin e popullsisë së Ballkanit?! Dhe pse të tjerët duhet të përjashtohen ka ky evolucion njerëzor?! Pra, dua të them, se sot është e vështirë të gjesh popuj me A.D.N.-në e dëshirave të duhura, ndoshta dhe aq sa për të mbushur librat me financime të shumta. Njerëzit e teorisë së gjakut të pastër për mendimin tim, dashur pa dashur e vendosin veten ndaj bindjeve naziste.

Se kush janë banorët e një zone të tillë në derivatin e origjinës dhe në diskursin e gjuhës, apo dhe të dygjuhësisë, gjithashtu dhe përsëri për mendimin tim, mund dhe s’mund të përcaktohet nga gjuha që flet dhe shkruan, ndërtimet dhe shenjat e lashta që e rrethojnë aty ku jeton dhe gurët e shkruar nëntokë e mbi tokë. Këta komponentë popullit të kësaj zone, nuk i mungojnë, kur vjen fjala e këngëve të mbetura që edhe në gjuhën e grave dygjuhëfolëse[4] këndohet dhe faktohet se “Rosa rosit vo arbanoshka zemja…” (vesa veson në tokën arbërore…)[5], por i mungon dëshmia e shkruar, i mungon madje mjaft arsyeja e gjuhëve të shumta mbi këta gurë, i mungon, ajo që të tjerët në shekuj e bënë sipas rrethanave të tyre për të nxjerrë në pah “orrigjinën” dhe mbi të gjitha dhe “dominimin” e dëshirave të hershme të shtrirjes masive territoriale. Ndërsa ekzistojnë toponimet, dhe shumica e tyre flasin në gjuhët sllave, natyrshëm theksi shkon përshtat teorive që banorët e kësaj zone i përcaktojnë, sipas orekseve të këtyre gjuhë-studiuesve, në një parcelë studimore mbajnë origjinë maqedonase, dhe në tjetrën bullgare, ndërsa toponimet më së shumti janë një përzierje anormale mes gjuhëve të ndryshme sllave, ose në mjaft raste zhargone me ose pa kuptim të saktë, por që mbartin dëshmitë gojore të rrëfimeve, legjendave, miteve.

Kohët e fundit studiuesja bullgare Веселка Тончева (Veselka Toncheva) ka realizuar një libër studimor nga terreni në gjuhën bullgare, më së shumti me banorë të Steblevës dhe disa të tjerë nga kjo trevë me banim në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku ka marë biseda, të dhëna kulturore, gjuhësore, këngë të kënduara, por edhe mjaft të dhëna të tjera. Sikurse thuhet në pasthënie “Libri “Bullgarët nga Gollo Borda-Shqipëri: Tradita, muzikë, identitet[6] prezanton një bashkësi jo të njohur në Bullgari, por dhe në Gadishullin Balkanik, fati historik i të clëve është shumë interesant – bullgarët nga Gollo Borda, Republika e Shqipërisë. Pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë gjatë viteve 1912-1913 dhe përcaktimi i kufijve të saj të rinj, pjesa më e madhe nga qytezat e krahinës Gollo Bordo mbeten në territorin e Shqipërisë – 21 fshatra mbeten në Shqipërinë Lindore, kurse 6-në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut” (Toncheva, 2009: 302). Në plan të parë duket se ky libër nuk shkon në komente të debatueshme, përveç atyre që shkojnë në përcaktime nga kënde të njohura. Nëse mbetet për të dëshmuar, ajo që thuhet se gjenden edhe sot banorë të kësaj treve, që nuk flasin gjuhën shqipe, kjo është një plagë e dyfishtë, pasi ata nuk flasin dot as gjuhën vendase. E folura e tyre, është një e folur sikurse ndodh me njerëz të tillë, të izoluar ekonomikisht, të rrethuar në kushtet e tranzicionit të vendit e me mjaft probleme të tjera, që kërkojnë natyrshëm vëmendje më vete. Sidoqoftë, ajo që trajtohet deri diku edhe pajtohet me realitetin e folur, por nuk shkon me atë që duhet të bazohet në faktorë të cilët kanë rrjedhat e veta historike dhe kulturore. 

Ndryshe a do të na vinte në ndihmë ekzistenca e thellë toponimike sllavo-bullgare deri në Vlorë me “Novoselë”; më tej me “Boboshticë”, “Çorovodë”, “Starovë; “Zadrimë”, “Zvezdë” etj., që të themi se toponimet janë emërtesa të vëna qëllimshëm dhe zyrtarisht për të realizuar qëllime të njohura prej kohësh. Kuptohet fare qartë se gjatë sundimit bullgar, në hapësirën e Gollobordës ishte vënë shtresa e parë e toponimeve sllave, dhe ky shtresim sllav ka vazhduar me intensitet edhe më të madh gjatë shekujve XIII e XIV, kur tokat arbërore u pushtuan dhe u administruan nga Nemanjidët serbë, për plot dy shekuj, deri në depërtimin e osmanlinjve aty rreth vitit 1389, të cilët mund të themi se ndërprenë sllavizimin e mëtejshëm të toponimeve dhe antroponimeve në viset verilindore dhe helenizimin e mëtejshëm në ato jugperëndimore të Arbërisë Mesjetare etnolinguistike dhe etnografike. Sikurse është vënë në dukje edhe nga profesor Eqerem Çabej[7], “për krijimin dhe ngulitjen e gjithë kësaj toponimie detyrimisht ka ndërhyrë administrata shtetërore bullgare”[8]. Kjo ndoshta mund të thuhet se mbi bazën e asaj kur dihet se gjuha nuk është mënyra e vetme për të përcaktuar përkatësinë etnike, natyrisht duheshin dhe forma të tilla, që të mbushnin arsyen e qëllimit (Siegel, 2017: 24). 

Pas depërtimit të sllavëve në Ballkan, dhe sidomos pas vendosjes së administrates së tyre në tokat arbërore gjatë shek. XIII - XIV, ata bënë ndryshime të mëdha në jetën shoqërore të popullsisë balkanike, si në aspektin material, ashtu edhe në atë religjioz. Administrata dhe kisha sllave ka lënë gjurmë të thella në të gjitha fushat e jetës shoqërore, por këto gjurmë më së shumti mund të shihen në lëmin e ndryshimeve të toponimeve. Edhe mendimi i shumë dijetarëve vendës si edhe të huaj, e sidomos ai i bizantologut francez Alë Dykelie (Allain Ducellier[9]), dhe të historianit anglez Noel Malkolm (Malcolm[10]), është se gjatë sundimit mesjetar bullgar dhe atij serb, është vënë shtresa e parë e toponimeve sllave.

Fakte të shumta të traditës së trashëguar gojarisht në këtë trevë ndoshta hedhin dritë në një errësirë që vjen nga shekujt si e tillë. Thuhet se kur një fëmijë qante shumë, ndërsa lindte dhe nuk pushonte së qari, dhe kur nuk i njihej “dermani”, prindërit e dërgonin në një kishë aty afër, edhe pse fëmija mund të ishte i besimit Islam nga prindërit, pasi në heshtje kjo thuhej se ishte “derman i të parëve”, ashtu sikurse ky “derman” (shërrim) shikohej dhe në mjaft aspekte të tjera kulturore, që dallonin nga lagjja në lagje, nga fshati në fshat e më tej në zonë. Veshjet ndryshe të grave, pothuajse për secilin fshat, fjalë dhe fjalëformime të ndryshme, pa pasur ndonjë afërsi me ndonjë gjuhë, sikurse ndodh me emërtesën “Rebori” për një vend që kishte dy emërtime. Njëra vinte si e tillë nga trashëgimia e mbetur, pra si “Rebori” dhe tjetra si “Bellana zemja” (toka e bardhë), nga rëra e bardhë gëlqerore, që gjendej aty, pikërisht në zemër të malit Ahu i Koços, që kishte toponimin sllav “Koçoska Buka”. Në kërkimet tona për këtë fjalë, pra për toponimin “Rebori” nuk gjendet ndonjë lidhje me gjuhët sllave, bullgare, serbe apo maqedonase, as me ndonjë zhargon vendas, por me një kuptim që hamendësohet të jetë krijuar nga barrinjtë e fshatit Trebisht Bala, ndërsa atje retë bëheshin si bori, dhe mali në atë pjesë gjëmonte nga rrufetë. Kështu retë si bori, apo rrufetë që binin retë si bori, mund të ketë sjellë këtë emërtim toponimik, të pafshirë nga kujtesa në gjuhën e të parëve, duke mbetur vetëm si toponim “Rebori” i atij vendi që banorët e quajnë me dy emërtesa.

Kjo bëhet më efikase, pasi tashmë dihet se më tej me pushtimin nga serbët, filloi edhe ndryshimi i emërtimit të vendeve dhe vendbanimeve në hapësirën ku përfshihej edhe Golloborda. Vetë transformimi i emërtimit të kësaj zone nga “Dulgoberda” në variantin e sotëm “Golloborda”, duket se ka qenë më në favor të synimeve të pushtuesit, për ta cilësuar atë si një zonë me kodra të zhveshura në gjuhën e tij. Në studimin e I.S. Jastrebov[11] ndeshet dhe një emër tjetër për këtë zonë që ai e quan “Kollobormë” (1904: 120).

“Kriteri më i mirë për përcaktimin e përkatësisë etnike do të ishte një deklarim vetë-referencial i vetëdijes etnike, por ky kriter është i pa praktikueshëm” (Herrin dhe Saint-Guillain; 2011: 117-118). Atëherë edhe efekti i ndjekjes së rrjedhës së individit, në një formë a në një mënyrë tjetër, mbetet mjaft problematike. Fatkeqësisht kur bëhet fjalë për përshkrimin e njerëzve në një prosopografi[12], është e pamundur të përcaktohet se kush e foli atë gjuhë dhe kur. E vetmja konsideratë e qartë është se në zona etnike homogjene zakonisht flitej një gjuhë, ndërsa zonat me popullsi të përzier dhe familje të përziera janë dygjuhëshe. Në këtë drejtim, roli i vendit të banimit fiton rëndësi.

Gjatë ceremonisë së akordimit të titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Arrasit e Dibrës, në Muzeun Historik Kombëtar me datën 26 maj 2008, historiani, Profesor Kristo Frashëri,  iu përgjigj edhe një pyetjeje  të  bërë  për Gollobordën. Pyetja ishte: Gollobordasit janë minoritet  maqedonas, minoritet bullgar apo janë shqiptarë? Ai u përgjigj: “Historia shkruhet dhe argumentohet me dokumenta”, – theksoi Frashëri. Sipas tij, në Gollobordë banojnë tre grupe njerëzish: Në Gollobordën Përëndimore  ka fshatra shqipfolës, identiteti i tyre as që vihet në dyshim që janë shqiptarë. Në Gollobordën Lindore ka fshatra dy gjuhë folës, shqip dhe bullgarisht. Rajoni i Vjetër i Maqedonisë ka qenë përbërë nga helenët, ilirët dhe thrakët. Pra nëqoftëse bëjmë fjalë për maqedonas etnikë, janë ilirët.”

Sikurse e citova që në fillim se ky studim është një detyrim personal për të nxjerrë në dritë disa nga toponimet që flasin mes “dhimbjes” së tyre të hershme të mbuluar e të panjohur, por të ardhur vetëm mes rrëfimeve dhe interpretimeve nga më të moshuarit, dhe nuk ka për qëllim të merret me debate e mjete të tjera jashtë këtyre fakteve dhe faktorëve që flasin vetëm me aspektet e tyre kulturore, që u ngjizen toponimeve. Të tjerat janë një e tërë që kërkon lexim dhe jo interpretim ndryshe të këtij faktori që u bë objekt i këtij studimi.

Banorët e kohërave historike thonë në rrëfenjat dhe në tregimet e mbetura gojarisht brez pas brezi se popullsia e këtyre zonave shtohej dhe ndryshonte herë pas here dhe se ardhësit e rrinj gjithnjë ishin fizikisht një popull i përzier i barinjve dhe endacakëve, që endeshin nëpër male dhe kodra të rajonit. Ndërsa ata banorë, të cilët e quanin veten vendasit dhe më vonë njiheshin si "majstori", ishin në fazën para-metalike të civilizimit rreth 3000 p.e.s. Provat kryesore të ekzistencës së tyre sigurohen nga gjetjet spontane dhe gërmimet e herëpashershme, sigurisht të rastësishme, që kanë ndodhur dhe që janë harruar, nga disa objekte që ndodhen diku nëpër muzeume, apo dhe disa të shkatërruara nga kohërat dhe mos-interesi institucional, por kuptimi i provave gojore dhe atyre të trashëguara kulturalisht në shumë raste është padyshim spekulativ.

Ata që pretendojnë për pastërtinë e racave në gjuhën e një banori nuk do të gjejnë tek ata asnjë provë të tillë mbështetëse për të vërtetuar pikëpamjet e tyre. Kjo zonë u çlirua në 1912 nga Perandoria Osmane, sikurse i gjithë territori shqiptar, dhe para kësaj kohe kjo pjesë u bë gropa që spontanisht u mbush me ardhjet dhe ikjet prej dhe drejt qytetërimeve të tjera. Njerëz të ndryshëm migruan dhe ata u infiltruan në kulturën e banorëve vendas, ashtu sikurse dhe ata që ikën e u larguan u përshtatën në kulturat e vendeve ku shkuan, gjatë okupimeve të ndryshme dhe shumë prej tyre gjatë okupimit shekullor Otoman u konvertuan në besimin Islam. Por bashkëjetesa e besimeve ka qenë mjaft efikase, faktet e ekzistencës së xhamive dhe kishave nëpër fshatra të ndryshëm të kësaj treve flasin për një fakt të tillë, përjashtuar disa fshatra që mbetën në besimin e vetëm kristian, apo dhe të tjerë në besimin e konvertuar mysliman.

Gjithnjë flitej dhe tregohej në fakt se deri në disa vite të mëvonshme fise dhe familje të ndryshme janë ngulur në këto treva dhe kanë gjetur qetësi dhe bashkëjetesë të paqtë me vendasit. Klima e tillë e butë e vendasve, rajoni ndoshta i përshtatshëm për tu mbrojtur nga ndërhyrjet brutale deri shfarosëse i kanë bërë këto veprime gjithnjë e më jetike, deri në gjetjen e gjuhës së përbashkët, akulturimit dhe përshtajes. Në raste të tjera, kostumet që ende trashëgohen, janë gjithnjë e më shumë dalluese në fshatra të ndryshëm, gjë që ndoshta rrëfen qartë për këtë fakt. Sikurse e kemi cituar në këtë studim, kostumet tradicionale të grave janë dalluese, madje me to mund të dallosh ende dhe mjaft lehtë nëpër dasma e festa tradicionale se të kujt fshati janë ato. Këto kostume janë një trashëgimi, sikurse gjuha që trashëgohet për të sjellë në pah mjaft gjëra që janë dhe mbetet mister. Me këto dy fakte deri në një farë mënyre mund të themi se mund të hapet një dritë më shumë në përqasjen e fateve të popullsisë së kësaj zone, të paktën sot kur mundësitë janë më të lira në shfaqjen e mendimeve të bazuara në kërkime shkencore.

Gjatë viteve të shkollës së mesme në Elbasan, jam përballur, shumë herë, me emrin që quante banorin e lindur në këto fshatra "Gollo", sepse kishte lindur në një nga fshatrat që prodhonte ndërtues me shkollën e trashëguar nga të parët, fshatra që janë pjesë e Gollobordës dhe flasin dygjuhësi edhe gjuhën e tyre tipike të përzier, që në disa raste e quajnë „nashki“, „bullgarsko“, por dhe „makedonski“ dhe gjuhën shqipe. Ata e thërrisnin emrin e të rrinjve që vendosin në qytet, për shkollim, edukim dhe në ratse të tjera me prindërit e tyre familjarisht, në mënyrë nënçmuese, që tingëllonte keq dhe sillte konotacion mjaft të keq. Nuk do ta kisha mendjen nëse ata do të kishin thirrur së pari në ndonjë grup tjetër etnik shqiptar. Në fakt ishte absurditet i pakuptueshëm që i thërrisnin në këtë mënyrë, sepse ishin gollobordas dhe flisnin të dy gjuhët, pra një gjuhë që flitet dhe nuk shkruhet në zonën e Gollobordës dhe në gjuhën shqipe, gjuhë, sikurse shumë të tjerë në fshatrat që ndodhen në territorin e Shqipërisë, mjaft prej tyre e kishin mësuar në shkollë, pra në klasën e parë të shkollës tetëvjeçare.

Paraardhësit e tyre kishin veshje të ndryshme nga ajo e qyteteve ku vendoseshin ata, por ajo në kohën e tyre nuk ishte parësore, pasi komunizmi i kishte bërë unike veshjet, sepse ato shfaqeshin vetëm në festivale, e në disa ceremoni festive tradicionale, sigurisht nga jo të gjithë. Klima në Gollobordë ndoshta bënte më parësoren që veshjet të ishin më të trasha e prej leshi gjatë dimrit. Si rezultat, veshja në tërë Gollobordën, karakterizohej nga rroba të rënda leshi. Qytetet, duke përjashtuar atë klimë si e qytetit, kur bëhej fjalë për Shqipërinë e Mesme, ndodhte të ishte me një ndryshim klimatik më të butë, por mjaft fshatra ishin thuajse me dimra të ashpër.

Njësoj si në vendin fqinj, Maqedonia e Veriut, ku hershëm thuhet se gjuha maqedonase e shkruar nuk ekzistonte, Golloborda fliste një dialekt që përmban fjalë nga gjuha bullgare. Dhe kështu dhe në anën e Maqedonisë së Veriut, kur atje u zhvillua një lloj zyrtarizimi i gjuhës, ata të cilët u përshtatën me këtë gjuhë në vitet që pasuan, i quanin fshtrat e Gollobordës me nofkë dhe vendasit e tyre "torbesha" me vërejtje poshtëruese, duke i treguar analfabetë dhe jo shumë të zgjuar. Pra një zonë e mbetur nga të dy anët e nofkëzuar, me një gjuhë të lënë pas dore, natyrisht mund të thuhet se me të gjithnjë është luajtur me fatin e krijuar nga Zoti. Edhe pse njerëzit, burrat e kësaj zone kanë ndërtuar qytetet dhe kryeqytetet e të dy vendeve, dhe mjaft vendeve të tjera në kohëra të ndryshme, ajo që sillej akulturalisht me fatet njerëzore sillte në jo pak raste dyshime të thella. Fati përcaktohej vetëm nga gjuha. Edhe, nga dygjuhësia që sillej si një faktor i papëlqyeshëm tek të gjithë që flisnin vetëm një gjuhë, kjo mjaft e theksuar në kushtet e komunizmit, ku mirëfilli funksiononte si një racizëm nënsipërfaqësor, i strukur, por mjaft i rrezikshëm.

E gjithë historia ballkanike, kryesisht historia shqiptare gjatë komunizmit, bazohej në nacionalizëm duke mos marrë parasysh faktet historike. Fëmijët mësoheshin që në moshë të hershme të mendonin se asnjë vend tjetër me fjalë nuk është më i mirë dhe ka arritur bëma të një shoqërie të madhe të rëndësishme sesa Shqipëria. Aty të gjithë në fakt ishin të detyruar të pajtoheshin, mënjanonin vetveten, huazonin nga vetja, shkrinin nga tradita dhe dalëngadalë dhe humbisnin përditë e më shumë nga origjina. Kjo është e prekshme. Kjo është e ndjeshme. Kjo është e kuptueshme. Por, ajo që mbetet një problem është e shkuara. Është ajo që duhet të përcaktohet shkencërisht dhe pa hamendësime se ku i ka rrënjët, dhe me cilët rrënjë është mbajtur gjallë kjo zonë, që tashmë ka fituar zyrtarisht statusin e etnicitetit bullgar.

Gjyshi dhe gjyshja gollobordase me siguri flisnin gjuhën e zonës, por gjuha e zonës ka lëvizur bashkë me ikje-ardhjet, bashkë me trazimet dhe zhdukjet e paevidentuara dhe hera-herës ata e trazonin atë, duke sjellë në vëmendje se kjo gjuhë nuk ishte një gjuhë e qëndrueshme, por një gjuhë që kishte mbetur e trazuar dhe e trashëguar me ndërhyrjet e dukshme dhe të padukshme të disa gjuhëve. Të parët me heshtjen dhe zgjuarësinë e tyre udhëzuan në fëmijërinë e secilit mes kësaj gjuhe që të bëhen ata që janë sot, i këshilluan të jenë të denjë, të edukuar dhe gjithnjë gëzoheshin kur u sillin nipër e mbesa nga shkolat ku edukoheshin, nota të mira nga shkolla ku mësonin gjuhën shqipe. Por, dihet që mjaft të tjerë, dhe nga ata që përbënin një numër të konsiderueshëm që herët kishin folur dhe gjuhë të tjera, si turqisht, italisht, bullgarisht, greqisht e ndonjë gjuhë tjetër. Të parët gjithnjë tregonin me këto gjuhë në bashllagët e mbetur të varrezave dhe shpeshherë shfrynin me dihamën që e mbante guri dhe toka. Por atëherë askush nuk sillte nëpër mend se një ditë do të duheshin aq shumë ato rrëfime të tretura tashmë në dhe.

Sidoqoftë dhe mbi të gjitha shkolla e Trebishtit feston 110 vjetorin e saj në kushte ndryshe, ku secili tashmë që i përket lëvizjes globale, po aq dhe synimeve për një Europë të bashkuar është i lirë në zgjedhjen dhe përcaktimin e  tij personal. Shkolla që ka nxjerr emra të mëdhenj ka natyrshëm meritën e saj dhe merita e përmbush urimin Gëzuar në shekuj!

 

Pjesa 1: Golloborda nga memorja

 

Sot gati me një zë thuhet gjithandej se Golloborda ka nxjerrë nga gjiri i saj figura të shquara, njerëz të edukuar e konkurues në mjaft drejtime, ka bërë emër me të aftë e drejtues, me intelektualë e profesionistë, ka ngritur lart emrin e saj me mjeshtrat e gurit e të drurit, me të angazhuar në drejtime e fusha të ndryshme. Dhe emra të tillë, (ata janë të shumtë) kanë dalë nga rrugëtimet e jetës, nga zanafillat e edukatës dhe edukimit, shkollat, universitetet, e të gjitha institucionet ku interesi i tyre ka shkuar e është radhitur me elitat. Historikisht nuk dihen shifra njerëzish që u edukuan jashtë territorit, por dihen figura që herët u përfshinë në shkolla fetare dhe që më pas ushtruan dijet  e tyre të fitura larg vendlindjes në vendlindje e më gjerë. Të dhëna të shumta tregojnë se në vitet e hershme mjaft të rrinj u dërguan të studionin në Greqi, Turqi, Itali, Austri, por përveç atyre që shkuan në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut, pas viteve nëntëdhjetë nuk ka të dhëna të tjera. Me këtë fakt një pyetje normative del në plan të parë, ku natyrshëm mbetet, se pse nuk u interesua Bullgaria që pushtoi trevat shqiptare dhe ngriti kisha e kulte deri në Ballsh dhe nuk e bëri këtë me një zonë ku flitej një gjuhë mes gjuhëve të tjera dhe sillte në planin parësor lidhjen mes gjuhës së folur. Aq më shumë kur 24 maji, në Bullgari ende njihet si “Dita e Edukimit dhe Kulturës Bullgare dhe shkrimit sllav”, të përcaktuar me ligj vite e vite më parë. Kjo datë u bë dhe festë. Me rastin e festës, janë paraqitur edhe fotografi gjatë mësimit së fshatarëve të moshuar nga Maqedonia e Veriut, botuar në revistën gjermane “Berliner Illustrirte Zeitung” në vitin 1942. Përgjigjja mund të jepet me forma të ndryshme, por fakti mbetet fakt.

Sidoqoftë kjo është dhe një arsye të kujtojmë se, në kohën e sundimit të dy mbretërve/carëve të fuqishëm bullgarë Borisit[13] dhe Simeonit[14], në Shqipëri vepruan “pionierët” e kulturës dhe shkrimit cirilik, Klementi[15] dhe Naumi[16], të cilët ngritën kisha/katedrale (shembull: Gllavenica[17]/Ballshi i sotëm) dhe manastire (shembull: Shën Naumi[18]), por ata nuk arritën të imponojnë shkrimin dhe pjesërisht kulturën protobullgare në këto treva. Në fakt, si gjuhë, një dialekt i sotëm i bullgarishtes (me elemente të gjuhës serbo-kroate) flitet edhe në Maqedoni, por atje nuk mund të dallohen qartë variante dialektore sipas zonave etno-kulturore, sepse gjuha sllave është gjuhë zyrtare, ndërsa në Gollobordë (duke përfshirë fshatrat gollobordase përtej kufirit), bullgarishtja e vjetër, nuk shkruhet, por vetëm flitet[19].

Në rastin e Gollobordës kemi të bëjmë së pari me një shtresëzim gjuhësor. Në Antikitetin ilir, kjo trevë shtrihej në territorin ilir të dardanëve dhe, mbas shekujve V-VI, në hapësirën arbërore. Sllavizmat në gjuhën shqipe ka të ngjarë të kenë depërtuar gjatë pushtimeve të shtetit bullgar (815-1018), por s’janë për t’u përjashtuar edhe kontaktet më të hershme me botën sllave. Në kohën e mbretërimit të car Borisit[20] (852-889) u pushtuan territore të gjera në qendër të vendit, ku bie në sy pushtimi i qytetit të dikurshëm ilir Antipatrea (Berati i sotëm), që pushtuesi e quajti Beligrad [qytet i bardhë]. Më vonë, gjatë sundimit të Simeonit (893-927), kufijtë e shtetit bullgar u shtrinë jo vetëm në zonat limitrofe të Arbanon-it, por edhe më në jug, deri në Vlorë, Himarë e Butrint. Ai e ktheu shtetin bullgar në një perandori dhe e shpalli veten “Car të bullgarëve”.

Në Antikitetin ilir, Golloborda, sikurse dihet, ashtu si gjithë lugina e Drinit të Zi, banohej nga fiset dardane (ultësira Pollog/Shkup), “Penestia”[21] (me kryeqendër Uskanën [Dibra e Madhe?]) dhe “Desarete”, në fushëgropat e Ohrit dhe të Strugës. Nga periudha Romake është për t’u përmendur, në rradhë të parë, Ura e Grykës së Trebishtit që i përkiste zgjatjes së Spiljes mbi lumin Drin i Zi, afër Trebishtit, ku një degë e tij bashkonte këtë fshat dhe mjaft të tjerë me një rrugë, që mbërriti deri vonë, para se të vihej brezi i butë dhe kufiri që ndante tërësinë e kësaj zone dhe shtetet. Ajo bënte pjesë në trasenë e rrugës “via Egnatia”, e cila kalonte në Prisoj të Trebishtit. Kjo sipas mjaft të dhënave që transmetoheshin nga më të vjetrit u rindërtua në shek. XVII, por u shkatërrua gjatë inkursionit të ushtrisë serbe në këtë zonë. Shkatërrimi i kësaj ure nga serbët në fakt sipas disa të dhënave gojore të mbledhura konsiderohej si një shkak për të mbajtur nën zap njërëzit e kësaj treve, me qëllim që ata të mbaheshin në varfëri e mjerim, mos kishin mundësi të shkonin të punonin andej nga Selaniku, apo Stambolli, dhe kështu ata do të detyroheshin të gjenin rrugë të tjera e mundësi të tjera mbijetese. Kjo mund të merret edhe si një arsye tjetër të shpërfilljes sllave në atë zonë që fliste edhe fjalë të ngatërruara të gjuhëve të tyre, ku hamendësitë dhe pyetjet shtohen akoma më shumë. Sidoqoftë ura e ndërtuar për të bashkuar njërëzit, sikurse ndodh me agresorët e pushtuesit gjithnjë këputet dhe shkon në kahun tjetër.

Kjo urë ka qenë një nga nyjet e një qytetërimi që mori vrull në zonë, sidomos në Trebisht, Vërnicë, Ostren të Vogël, Gjinovec ku thuhej se ndërtimi i saj solli mjaft shtëpi të reja, dykatëshe, mjaft zhvillim e qytetërim. Ajo urë ndihmoi dhe shkurtoi rrugën e karvaneve me mushka e kuaj që kalonin Drinin e Zi dhe shkonin deri në Çamëri për të marë dërrasat e mirrënjohura, me të cilat ende thuhet se ndërtoheshin teliza (ballkone të varrura dërrasash), musandra (dollape muri për sende e rroba), dysheme, sënduqe dasmash, djepe fëmijësh, krevatë e mindera etj. Thuhej e emërtohej “dërrasa e çamit”, (çamoi shtici) se këto dërrasa nuk i hante kollaj mola dhe duronin shumë lagështirën.

Njerëzit e kësaj treve udhëtonin nga kjo urë dhe pasi linin pas Dibrën e Madhe për pazare, kalonin mes fshatrave të tjerë të kësaj zone për të përcjellë Drinin nga Struga, Ohri, Resnja e më tutje në zonën e Prespës e në Çamëri. Kjo urë sipas mjaft të dhënave u bë shkas i mirë edhe për martesa, dasma, lidhje të shumta miqësish në këto dhe ato anë, matanë dhe këndej Drinit të Zi, gjë që më parë nuk mund të bëhej në të gjitha stinët e vitit, ose bëhej me shumë vështirësi e me rrugë të gjata. Në vitin 1966, ura u mbulua përfundimisht nga ujrat e hidrocentralit të Spiljes[22], pasi që në vitin 1962, Shqipëria i kish lejuar ish-Jugosllavisë devijimin e ujërave deri në 8 metra kub në sekondë. Marrëveshjes iu shtua dhe kjo pikë.

Në fund të lumit të Radikës me krijimin e rezervuarit të Dibrës për hidrocentralin e Spiljes në vitin 1969 (viti i funksionimit të hidrocentralit), zgjatja e ujërave arriti deri në vendin ku ishte ura e vjetër, ajo urë që fshiu përfundimisht fakte e mite, ajo që u fundos për të mos folur kurë.

Vërtetë, në fazën e civilizimit të këtyre trevave, sikurse në fazën e civilizimit të mbarë shqiptar janë mjaft enigma që përcillen vetëm me ndonjë transmetim gojor dhe që shuhen apo zmallohen sipas “orekseve” të ndryshme, ajo që mbetet është se të gjithë janë në ambientin e hershëm arbëror dhe të sotëm shqiptar. Duhet shtuar se çdo mjedis etnik e kombëtar tjetër në Ballkan e në Evropë, do t’i konsideronte pjesë përbërëse të pandashme të kombit të tyre. Ndaj, kam guximin të rikonstatoj se kërkesat aktuale, thënë shqiptarçe, të të gjitha arsyeve dhe formave, por edhe të nocioneve të tjera nxituese dhe momentale të interesit, për identitet etnik e civilizues të veçantë, për shoqata kulturore të veçanta, madje edhe për shkollë në gjuhën enigmatike, është pasojë e pa aftësisë komb-formuese dhe shtetformuese të shqiptarëve dhe në rend të parë të inteligjencies, e cila duhet të ishte gjallëruese e kombit si bashkësi shoqërore, civilizuese e shtetërore politike unike.

Kujtimi e krenaria për kombin me gjak ilir të pastër, si dikur te gjermanët për kombin me gjak arian, janë antihistorike, janë antikombëtare dhe janë johumane. Duke i mbajtur gollobordasit, vllehët, torbeshët, goranët dhe të tjerët në distancën shqiptare dhe aktualisht duke i “bojkotuar”, për faktin se ndonjë plangprishës nga radhët e tyre e ka keqpërdorë dikush me para, me nëpunësi apo me dhunë, me ndonjë pasportë për të rimarë lirinë e munguar drejt Europës, padashje financojmë paudhësinë dhe telashet që lindën shekujve me bashkëjetesë të vështirë, por të bukur, si për të gjithë dhe për shqiptarët dhe për ata, kundër të ardhmes së fateve integruese të Shqipërisë, edhe pse kjo interpretohet me fate “integruese”. Mbi të gjitha financojmë për dënimin e brezave të rrinj të këtyre grupimeve etnokulturore për të qenë përjetësisht injorant, të huaj, në vatrën e tyre iliro-shqiptare ku u lindën gjyshër e stërgjyshër.

Nga ana tjetër mos të harrojmë se mjaft pasues të pikëpamjeve romantike të studiuesit gjerman Herder[23] (1744-1802), që më pas u bë boshti i “pangjermanizmit”, janë ringjallur në vendet fqinje, njësoj sikurse atëherë kur ata i bënë bosht të disa ideologjive të tyre, me elemente që përmenden si histori e pashkruar dhe si fe jo-zyrtare, ata u bënë një armë nacionale shoviniste, shprehje  e superioritetit të racave të pastra dhe të drejtës së tyre për sundim.

Një fakt tjetër është dhe ekzistenca e një emërtese tjetër në librin e shkrimtarit Haki Stërmilli “Dibra në prag të historisë[24] (1940:3). Haki Stërmilli që ka qenë edhe punonjës i sigurimit shtëtëror në administratën e Mbretit Zogu I, ndoshta me siguri ka ditur si të anashkalojë një emërtesë të tillë si Golloborda, ku ai pjesën lindore të saj e njeh si “Topallti”, ndërsa atë perëndimore si “Malësi”. Këtë e vërteton nga ana juridike e organizative, sipas studiuesve dibranë edhe Sadikaj, ku thekson se në shekujt XVI -XVIII e deri në dhjetëvjeçarët e shekullit të XIX-të, popullsia e vendosur në zonat e larta njihej si “Malësi” dhe pjesa tjetër emërtohej si “Topallti”. Edhe studiuesi dibran Haki Sharofi[25] e quan me këto dy terma.  Sipas tij “Nahija e Gollobordës, e gjysmës së dytë të shekullit të XIX-të, na jepet me emrin e sotëm.

 

1.    Emri, rrjedhat dhe gjuhët

 

“Defteri Osman”[26] i vitit 1467, të cilin e solli në vëmendje për herë të parë në këtë drejtim historiani Hilmi Sadikaj (1999), thekson se kjo krahinë ka qenë e regjistruar me emrin “Dullgoberda ose Dollgoberda”. Pra, emri i kësaj krahine vjen nga bullgarishtja e vjetër dhe do të thotë në shqip “kodër (bordo) e gjatë (dollgo)”[27]. Ky toponim gjendet i pranishëm pjesërisht në emërtime lokale vendesh, si në Trebisht (kodra përballë lagjes Kasaj të fshatit, që quhet “Borda” nga banorët vendas), në Steblevë (në formën Vetarno Bordo), në Rekë (Velebordo) dhe në Vollnisht (Ternino Nebordo). Por, me këtë emër, thirret edhe një fshat midis qyteteve Pleven e Svilen në Bullgari, si dhe Novobordo në Rrafshin e Dukagjinit/Kosovë. Më pas sqaron Sadikaj, fjalën “Golloborda[28] e ndeshim nga përkthyesi, i cili siç duket nga ndikimi që mund të ketë patur nga emërtimi i sotëm, tashmë i konsliduar, e ka dhënë pa as më të voglin ngurim. Por në fakt, nga Defteri Turk i vitit 1467 mësohet dhe ekzistenca si “Vilajet i Dulgo-Bordos[29]. Në një kontekst më të lakuar e më të ngjeshur e ndeshim emrin e kësaj treve të lakuar edhe si “Kalabërdenej” nga Trejmeri, që na sjell studiuesi bullgar A. M. Selishev, konsuli rus në prizren I. S. Jastrebov, që shkon më tej tek emërtesa “Kolloborne” e më tej tek rilindasi i shquar Sami Frashëri që e cek si “Kollobardhë[30]. Kjo mjafton për të kuptuar se kemi të bëjmë me një hapësirë territoriale, që përmblidhte fshatrat të cilët do ti sqarojmë më poshtë.

Në një numër të madh të fshatrave të Gollobordës, gjithnjë më së shumti për fshatrat që mbetën brenda kufirit shqiptar të pas 1913-ës, banorët në ditët e sotme janë bilingual (dygjuhësh). Themi në ditët e sotme, pasi më parë, sidomos kur fshatrat ishin mjaft të ndarë mes njëri-tjetrit, edhe gjuhët përziheshin, kishin ndasi, kishin shtesa dhe diferenca fjalësh, kishin të folurën turke, atë arumune, kishin dhe ardhje dhe ikje gjuhësh rome, sikurse ndodhte në tërë hapësirën territoriale e më gjerë. Thuhet se në Zaborgja, një lagje e sotme, dikur fshat më vete, emri i të cilit vinte nga pishat[31], që të parët e atij fshati mbollën aty për të prodhuar dërrasa dhe si mjete për ndriçim. Dihej se në ato kohë ndriçimi bëhej me copa pishe dhe pisha në atë zonë nuk ka qenë e rritur. Ajo merrej nga zona të tjera në formën e tregëtisë. Kur të parët vendosën të mbillnin pishat ndoshta askush nuk e kishte në mendje emrin që ai fshat do të pasonte deri në ditët tona. Ai u bë i njohur për pishat, që u rritën shpejt dhe pastaj u bënë një lloj tregëtie për fshatrat përreth. Të gjithë vinin aty dhe kështu e quajtën pos pishave, që ata i quanin në shumës “borje” nga njësi “bor” ose “borina” në disa fshatra të tjerë, edhe fshatin e quajtën “Zaborje”, ndërsa shtesa “Zaborgje”, ndoshta ka ardhur nga artikulimet e ndryshme, gjithnjë sipas të dhënave që janë transmetuar vetëm gojarisht. U quajt kështu pasi fshati ndodhej tashmë pas pishave, i fshehur në grykë të vogël mes tyre, dhe duke përdorur parashtesën “za”, që mbetet një shkurtesë e “zad”, u ndërtua dhe ë që i dha emrin këtij fshati, pra Zaborgje.

Një zhargon i vjetër sllav, që ndoshta i përkiste ndonjë dege tjetër të gjuhëve, thuhej se flitej nga disa shtëpi që i përkisnin ndasisë “Markoikuqi”, apo në shkurtesën “Markukuqi”, që pasonte në atë zonë, kur aty ndodheshin vetëm disa varre dhe gërmalla banesash të braktisura nën hijen e mjaft drurëve frutorë, sidomos qershive, që thuhej se ishin të prura nga larg. “Markukuqi” nuk ishte thjesht një toponim, por për shumë vetë ishte dhe një arsye më shumë që fliste për ata njerëz mjaft të mirë, të edukuar, zanatçinj të produkteve bujqësore, trajtimit të grurit si “bullgur”, apo ata që kishin prurë në vëmendje gatimin e të brendshmeve të qingjave, apo dhe kafshëve të tjera me një lloj supe që ata e quanin ‘kaurma”. Varret e lëna si dëshmi, por që koha dhe shkujdesja gati i ka dërguar në harresën e përjetshme, kanë lënë vetëm pak shenja se aty ka jetuar një pakicë kristiane, por me një gjuhë të trazuar, paksa ndryshe nga gjuha që flisnin ata që ishin aty, nga ata që thuhej se ishin ndoshta vendas të hershëm. Edhe sot në kohët e vona, në krahinë ngulet këmbë për një gjuhë/dialekt “gollobordas” (nashki, nashinec), meqenëse banorët ndihen më mirë kur flasin këtë “gjuhë” në bashkëbisedim me njëri-tjetrin.

Disa thonë se ishte zhargoni i vjetër bullgar. Por ata nuk kanë lënë më shumë shenja aty. Ky zhargon i vjetër bullgar tashmë përdoret në komunikimin familjar e farefisnor, ndërsa shqipja përdoret prej tyre kryesisht në edukim, shkrim, shkresa e letra, libra e shkolla, përdoret në qytetet dhe shtetet ku ata janë shpërngulur e kanë emigruar. Bullgarishtja e vjetër përdoret rëndom në bashkëbisedim në ato pak shtëpi të mbetura sot në zonat e larta e më të thella, si në Gjinovec, Klenjë e Steblevë. E folura, ajo që përdoret si komunikim gjithnjë mes vetes e këtyre fshatrave dallohet në nuanca nga e folmja bullgarisht e fshatrave të tjerë të zonave më të ulta, të cilët përmes kontakteve më të shpeshta dhe hapjes relative me fshatrat e tjerë të Dibrës së Madhe përdorin edhe huazime nga e folmja e sotme maqedonase, apo dhe nga ndikimet e këngëve të vjetra folklorike, që hynë edhe në kohën e kufinjve me radiot e stacionet televizive të kohëve të fundit. Këngët e vjetra të dashurisë në një gjuhë krejt ndryshe, me fjalë e zhargone të përshtatura vetvetiu, me rima e vargje të sajuara, të cilat i dëgjoje në Klenjë, kur i këndonte me shoqërinë e gajdes Bajram Buziu[32], ato këngë tashmë kanë marë një formë të re dhe “oreksi” për të parë lirinë e gjuhës, lirinë e folklorit të mbetur në harresë ka bërë që të ndjehet rikthimi në situata të ndjeshme të gjuhëpërzierjeve. Nga ana tjetër financimet e mëdha kulturore të Bullgarisë në drejtim të kulturës dhe trashëgimisë kulturore kanë bërë që mjaft stacione televizive, mjaft grupe dhe instalime në Youtube, të kthejnë jo vetëm veshët dhe sytë, por dhe të zgjojnë orekse të tjera jo vetëm për ti dëgjuar lirisht, por dhe për dasma e gëzime.

Por kjo dihet tashmë se në rastin e Gollobordës kemi të bëjmë së pari me një shtresëzim gjuhësor. Ky shtresëzim sikurse e sqaruam ka prurë në dritë një fakt, se si gjuhë, një dialekt i sotëm i bullgarishtes (me elemente të gjuhës serbo-kroate) flitet edhe në Maqedoninë e Veriut, por atje nuk mund të dallohen qartë variante dialektore sipas zonave etno-kulturore, sepse gjuha sllave është gjuhë zyrtare, ndërsa në Gollobordë (duke përfshirë fshatrat gollobordase përtej kufirit), bullgarishtja e vjetër vetëm flitet. Atëhere kërkohet natyrshëm shpjegimi i pyetjes: pse në këto fshatra flitet bullgarishtja e vjetër, krahas shqipes? Gjuha “bullgarçe” është trashëguar brez pas brezi, me gjithë deformimet e natyrshme nga izolimi i zgjatur, pa e ditur me shkrim (me përjashtime të rralla) dhe pa e njohur alfabetin e saj, prandaj në të folmen gojore të vendasve thuhet “zbori bullgarsko”.

Një nga studiuesit bullgarë të kohëve të fundit, akademiku Veselin Hadjinikolov, edhe pse ka ide të ndryshme, sqaron se në vendin e tij Bullgari nuk ka të dhëna shkencore për bullgarët në Shqipëri. Por pranon se autorët bullgarë dhe rusë kanë shkruar gjithashtu për çështjen e popullsisë bullgare në Shqipëri në të kaluarën. Midis tyre janë emrat e profesorëve Iv. Snegarov, L. Miletich, D. Yaranov, M. Popruzhenko etj. Më hollësishëm dhe më e detajuar për sllavët dhe veçanërisht popullsinë bullgare në Shqipëri në të kaluarën ishte e shkruara nga profesori rus Athanasius Matveevich Selishchev, i cili u kushtoi sllavëve në Shqipëri një vepër të veçantë me titull “Popullsia sllave në Shqipëri”.

Në veprën e tij “Bullgarët në Shqipëri[33], Elgerovi flet jo thjesht për bullgarisht-folës, por edhe për bullgarë etnikë në krahinën e Gollobordës, çka do të “përligjte” hapjen e konsullatave përkatëse në Shqipëri e Bullgari më 22 tetor 1922. Deri para vitit 1912[34], në këtë trevë ishin hapur katër shkolla bullgare në Vërnicë, Zhepisht, Pasinkë dhe Drenok, të cilat u mbështetën sidomos në kohën e ardhjes së ushtrisë bullgare deri në Elbasan në vitin 1915. Kërkesa për hapjen e shkollave të tjera bullgare iu drejtuan edhe qeverisë së Zogut, p.sh. nga banorët e Klenjës në vitin 1929.

Në fillim të shek. XX, nën ndikimin e patriotëve të Rilindjes shqiptare dhe, më pas, të ndikimit të shtetit të ri shqiptar, në zonën e Gollobordës rizgjohet dëshira për gjuhën shqipe, çka pasqyrohet së pari në hapjen e shkollave shqipe në Okshtun/te Valanica e Sulajve (1902), në Trebisht (15 prill 1914, e mbyllur një vit më vonë, për shkak të invazionit serb më 1915, por që funksionoi në Crkov tek Sadikajt fshehurazi duke u rihapur më pas në vitin 1922), në Steblevë e në Ostren të Madh (1922) dhe më pas në fshatra të tjerë, Borovë (1923), Klenjë (1 mars 1926), Steblevë (1 shtator 1926), Gjinovec (shtator 1929) etj. Në kohën e caktimit të kufijve (1913), gratë e Trebishtit janë përgjigjur shqip përpara antarëve të Komisionit Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve te Guri i Vogël (Mall-Kamen). Kjo ngjarje bëri që një pjesë e krahinës (që fliste shqip) të mbetej brenda kufijve të shtetit të ri shqiptar. Në vitet 1912-1920, si të gjithë fshatrat e tjerë të Gollobordës, edhe Trebishti përjetoi mizoritë serbe, megjithë rezistencën e armatosur nga vendasit. Por kjo rezistencë solli që fshatrat kufitare të Trebishtit, Gjinovecit, Klenjës, Ostrenit të Vogël, Vërnicës, Zepishtit e Otishanit të mbeteshin zonë neutrale deri në pranverë të vitit 1923.

Kur bëhet fjalë për gjuhën, nga disa është hedhur edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës gjuha vendase e Gollobordës është maqedonishtja. Në këtë rast hipotezat e mjaft studiuesve bullgarë, maqedonas, por dhe disa studiuesve shqiptarë në të gjitha trojet etnike ku ata banojnë për ndasitë gjuhësore midis bullgarishtes dhe dialektit maqedonas të saj, flasin ndryshe. Në mjaft raste jashtë instrumentalizimit politik dhe shovinist nga struktura të caktuara e qëllimplote të Maqedonisë së Veriut[35], që synohet t’u bëhet “muslimanëve dy-gjuhë-folës”[36] të Gollobordës, për t’i lidhur ata gjenetikisht me banorët torbeshë të fshatrave rreth Dibrës së Madhe, efekti i studimeve të fundit ka dhënë rezultat kundër këtyre përpjekjeve të vjetra që në kohë të ish-Jugosllavisë me disa autorë[37], për të cilët është marë dhe ka dhënë shpjegim historiani Hilmi Sadikaj në studimin e tij “Gollobordasit e sotëm” (1999). Studiuesi Agim Çadri sjell në vëmendjen shkencore edhe emrin Gurabardhë, në vend të emrit të sotëm Gollobordë, duke shpjeguar se “shkëmbinjtë e bardhë gëlqerorë” ia ngjizën këtë emër. Sipas tij, “Për këtë arsye, iliro-arbërorët këtë krahinë e kanë emërtuar “Gurabardhë”, që pushtuesit sllavë e shndërruan në “Gollobordë” (malësi e zhveshur), që nuk pajtohet me realitetin.” (Çadri, 2014: 19). Në studimin  e tij studiuesi Agim Çadri pajtohet me mendimin e shprehur nga Prof. Dhimitër Shuteriqi “se gjuhën sllave në Gurabardhë e kanë përhapur gratë dhe vajzat bullgare të Sfetigradit që ndodhet pranë (një koloni bullgarësh në tokën arbërore), të cilat kalonin në anën tjetër të Drinit të Zi në kohën kur aviteshin aty ushtritë turke për të rrethuar këtë kështjellë, kiu mungonte madje edhe uji i pijshëm, siç na tregon Marin Barleti. Të tilla situata mund të kenë ekzistuar edhe në periudhën paraturke. Vajzat sllave martoheshin me djemtë iliro-arbërorë. Fëmijëve që lindnin nga këto masa, nëna u mësonte gjuhën e saj “bullgare”, siç e emërtojnë gjuhën e tyre sllavofolësit e disa fshatrave të Gurabardhës, që ndodhen përballë Sfetifradit...” (Çadri, 2014: 19).

Kjo vjen më së shumti nga faktet, dhe jo vetëm nga studimet, ndaj s’duhet të harrojmë se në vise të ndryshme të Ballkanit ekzistojnë edhe grupe të tjera popullsie që i takojnë besimit Islam dhe flasin gjuhë sllave: pomakët në Bullgari; goranët e Dragashit në Kosovë, sanxhaklinjtë dhe bogomilët e Bosnjës etj. Në këtë trevë ekziston frika se ekzistenca gjuhë “e vogël” është tashmë e rrezikuar. Një kulturë e mbajtur gjallë në këtë trevë, tashmë është trazuar nga “orekse” të tjera, të vjetra e të reja. Kjo gjuhë e folur, e pa shkruar, e cila vlen edhe për gjuhën e folur, qoftë si “zhargon” përzierjesh nga mjaft gjuhë edhe nga banorët në fshatrat e Gollobordës, duhet të mbrohet me një forcë të madhe, duhet të studiohet më tej, duhet të forcohet dhe të mos intrigohet nga ndërhyrjet e tjera në të, qofshin ata që mendojnë se duke e shuar, shuajnë identitete, qofshin dhe ata që thonë se duhet ridimensionuar e afruar tek njëra, apo tjetra gjuhë sllave. Sikurse dihet, në jo pak raste gjuha nuk përcakton fatin e tokës që e ushqeu, as dhe arsyet e tjera që e bëjnë të flasë ndryshe. Termi “minoritet” në një pikë të tillë, ndoshta dhe një “goditje” e re në atë që përcaktohet fare qartë se gjuha nuk është thjesht një përmbledhje fjalësh, por një entitet që lidh një individ me familjen, identitetin, kulturën, muzikën, besimet dhe mençurinë e tij. Është bartëse e historisë, traditave, zakoneve dhe folklorit nga një brez në tjetrin. Pa gjuhë, asnjë kulturë nuk mund ta mbajë ekzistencën e saj. Pra gjuha është një koncept i tillë fuqie, sepse ka aftësinë të formësojë plotësisht identitetin personal të dikujt. Përdorimi i fjalëve dhe frazave ndikon ndjeshëm në mendimet e individëve dhe karakterin/identitetin personal. Një nga elementët kryesorë të gjuhës që inicion zhvillimin e vetë-identitetit do të ishte i dëmtuar në këtë rast, kur forma e qasjes së gjuhës në këtë trevë nuk mund të quhet një formë e saktë gjuhësore, që i afrohet njërës, apo tjetrës palë, sepse gjuha nw fakt nuk përcakton identitetin, por mund të na ndihmojë të shprehim identitetin tonë ose identitetin tonë të perceptuar. Njerëzit shpesh përdorin fjalë ose veçori të një dialekti për të shprehur, ose përçuar një imazh, ose identitet me të cilin dëshirojnë të lidhen, ose të lidhen me grupe, rrjete sociale, apo edhe kompetencë kulturore. Të paktën kjo ka qenë dhe një arsye e hershme e domosdoshme e kësaj zone që të lidhej, komunikonte dhe të vinte në dobi të jetës shkëmbimet dhe traditat e tyre, si edhe të pefeksiononte mjeshtëritë e talentin.

 

Vijon… Lexo më shumë: TOPONIMIA E GOLLOBORDËS:

DISKURSI I DYGJUHËSISË DHE DERIVATI I ORIGJINËS

 

 

 


[1] Në prill të 1913 me largimin e trupave serbe nga qyteti, Ismail Qemali e emëroi prefekt të Elbasanit, detyrë të cilën e ushtroi derisa më 1914 u emërua ministër i Brendshëm dhe i Luftës në periudhën e Princ Vidit.

[2] Profesor Kristo Frashëri[2] ka deklaruar se “Në kuadrin e kartës së OKB, theksoi historiani Frashëri, ortodoksit e zonës së Gollobordës mbi bazën e vullnetit të tyre kanë të drejtën të vetdeklarojnë shtetësinë dhe kombësinë e tyre. Vetëm një gjë duhet patur mirë para sysh se toka e Gollobordës është tokë shqiptare dhe për mbrojtjen e saj nga pushtuesit serbë dhe bullgarë kanë dhënë jetën shumë patriotë të kësaj zone, kanë vdekur edhe gra e fëmijë.” (Frashëri, 2012).

[3] Akademik Veselin Hadjinikolov: Ndikime të ndryshme ndikuan edhe në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj. Shqiptarët prej kohësh kanë folur dhe shkruar në përkatësisht shqip, italisht, greqisht dhe sllavisht. Nga shekulli XII deri në XV, popullsia shqiptare në perëndim ndjeu ndikim kulturor italian, dhe në lindje - grek dhe bullgar.

[4] Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XI-XIII tek “Gollobordasit e sotëm”. Tiranë: “Marin Barleti”; faqja 72.

[5] Komentuar dhe nga A. Çadri si: “Një shembull në këtë drejtim paraqet edhe krahina e Gurabardhës, ku megjithëse flitet gjuha sllave, burrat mbajnë kos- tumin shqiptar, ku bie në sy veçanërisht mbajtja masive e qeleshes së bardhë, ndërsa gratë nëpër dasma këndojnë në sllavisht këngën “Rosa rosit vo arbanoshka zemja” (vesa po veson në tokën arbërore), pra ato pohojnë se jetojnë në Arbëri.” Gazeta “Rruga e Arbërit”, shtator 2014. Fq 19. 

[6] Libri është i ndarë në dy pjesë – tekst shkencor dhe materiale në terren. Teksti shkencor prek aspekte të rëndësishme nga historia, feja, traditat kalendarike dhe ritet familjare, muzika dhe identiteti i bashkësisë bullgare. Materialet në terren (të regjistruara dhe incizuar nga fshatrat Steblevë, Klenjë dhe Vërnicë, si dhe të njerëzve të shpërngulur nga Gollo Borda në qytetet Tiranë dhe Durës) përmbajnë: tregime të zgjedhura dhe intervista të lira për historinë, fenë, besimin dhe kulturën tradicionale të bashkësisë, si dhe identitetin etnik (me një përfytyrim personal për prejardhje, gjuhë dhe përkatësi etnike) të botuar në dialektin vendas: folklori muzikor-88 këngë me tekste me nota, harta dhe fotografi. Popullarizimi i këngëve dhe analizimi i tyre në tekst janë një farë akcenti i këtij botimi – deri në këtë moment foklori muzikor i bullgarëve nga Gollo Borda nuk është shkruar, inçizuar, i shkruar me nota dhe botuar jo vetëm në Bullgari, por dhe në vendet fqinje ballkanike.

Qëllimi i këtij libri është dokumentimi dhe ruajtja e dijes traicionale të bullgarëve nga Gollo Borda. Libri i njeh lexuesit me një bashkësi bullgare jashtë kufijve të Bullgarisë, e cila ka jetuar në një mjedis të huaj gjuhësor dhe të huaj për nga ana etnike, por që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat bullgare gjatë kalimit të kohës.

[7] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) Krahina e Gollobordës.

[8] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) “Krahina e Gollobordës gjatë shekujve të XI-XIII, faqja 71.

[9] Alain Ducellier ishte një historian dhe profesor francez emeritus në Université de Toulouse-Le Mirail i cili u specializua në studimet bizantine dhe krishterimin në Lindjen e Mesme. Ai ishte autori ose redaktori i më shumë se 40 librave.

[10] Sir Noel Robert Malcolm, FRSL, FBA është një gazetar politik anglez, historian dhe akademik. Një studiues i King's në Eton College, Malcolm lexoi historinë në Peterhouse, Kembrixh dhe mori doktoraturën e tij në histori nga Kolegji Trinity, Kembrixh.

[11] Jastrebov, S. I. (1904) Stara Serbija i Albanija (Serbia e vjetër dhe Shqipëria). Beograd: Putevije Beleshke.

[12] Në studimet historike, prosopografia është një investigim i karakteristikave të përbashkëta të një grupi historik të njerëzve (biografitë e të cilëve mund të jenë kryesisht të pashtershme) me anë të një studimi kolektiv të jetës së tyre, në një analizë të shumëfishtë-karrierës.

[13] Boris I, i njohur gjithashtu si Boris-Mihail dhe Bogoris, ishte sundimtari i Perandorisë së Parë Bullgare në 852–889. Në kohën e pagëzimit të tij në vitin 864, Boris u emërua Mikaeli pas perëndeshës së tij, Perandorit Michael III. Historiani Steven Runciman e quajti atë një nga personat më të mëdhenj në histori

[14] Car Simeon I Madh sundoi mbi Bullgarinë nga 893 deri në 927, gjatë Perandorisë së Parë Bullgare. Fushatat e suksesshme të Simeonit kundër Bizantinëve, Magjarëve dhe Serbëve e çuan Bullgarinë drejt zgjerimit të saj më të madh territor, duke e bërë atë shtetin më të fuqishëm në Evropën bashkëkohore Lindore dhe Juglindore.

[15] Shën Klementi i Ohrit (Bullgarisht dhe Maqedonisht: Свети Климент Охридски, lit. 'Sveti Kliment Okridski'; rreth 840 - 916) ishte një nga shenjtorët e parë bullgarë mesjetarë, studiues, shkrimtar dhe iluminist i sllavëve

[16] Shën Naumi (Bullgarisht dhe Maqedonisht: Свети Наум, Sveti Naum), i njohur gjithashtu si Naum i Ohrit ose Naum i Preslav (rreth 830 - 23 dhjetor 910) ishte një shkrimtar bullgar mesjetar, iluminist, një nga shtatë Apostujt e të Parës Perandoria Bullgare dhe misionari ndër sllavët.

[17] Epitafi i Gllavenicës është një epitaf i shekullit të 14-të, i shkruar në qefin, dhe qëndisur nga një murg i quajtur Savia nga Ballshi, Shqipëri. Emri i saj buron nga emri antik i Ballshit. Mbështjella është bërë prej mëndafshi, liri dhe ari, dhe simbolizon rrobën e varrosjes së Jezusit, të përdorur në procesionet ortodokse të së Premtes së Mirë.

[18] Shën Naum dhe Shëndaum është manastir ortodoks në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i dedikuar Shën Naumit mesjetar që e themeloi. Është buzë liqenit të Ohrit, 29 kilometra nga qyteti i Ohrit.

[19] Toncheva, V. (2009). Gjuha, të cilën e flet kjo bashkësi është e quajtur “bullgare”, mund të përcaktohet ndaj së folurës më perëndimore maqedonase bullgare. Kjo është gjuha, e cila shfrytëzohet gjatë komunikimit vetëm brenda përbrenda bashkësisë dhe familjes dhe e cila ekziston vetëm në formën gojore.

[20] Në shekullin e X, pothuajse të gjitha trojet shqiptare hynë në kufijtë e shtetit bullgar. Gjatë kohës së princit bullgar Boris, së bashku me një pjesë të rajonit të Maqedonisë, u formua një tërësi gjeografike, e cila lindi emrin bullgar Kutmiçevica. Kjo është pikërisht zona që u bë djepi i arsimit të vjetër bullgar përmes veprimtarisë së studentëve të talentuar të vëllezërve të shenjtë Ciril dhe Metodi - Klement dhe Nahum. Qendrat e saj janë Ohri, Devolli dhe Gllavenica. (i cituar më lart Veselin Hadjinikolov, po aty).

[21] Njëri ndër fiset e shumta Ilire që kanë jetuar në Ballkanin jugorë ka qenë edhe Fisi i Penestëve. Ky fis Ilir shtrihej, duke filluar nga Bukoviku mal në mes të Kërçovës e Gostivarit, ne lindje lumi Treska, (Ilirida) e deri në Brodin e sotëm. Pastai kufiri i Penestëve vazhdonte drejt malit Barbaras, kalasë së Debreshtit, kalasë së Neroves ne Krushevë, Kalasë së Dervenikut ne Demir Hisari. Prej aty kufiri vazhdonte drejt Debërcës ku dilte në Orovnik, aty ku sot ështe ajroporti i Ohrit, bregu i Liqenit, ku kufizohej me fisin tjeter Ilir Dasaretët me kryeqytet Lihnidin (Ohrin). Në perëndim kufiri i këti fisi Ilir vazhdonte nga Struga, rrjedha e lumiot Drin i Zi (Drimon) Orovniku (Dibra e sotme), pastaj rrjedha e lumit Radika , Zhupa, Reka e Epërme dhe e Poshtme e deri në Mavrovë.

[22] “Marrëveshja ujore Shqipëri–Jugosllavi” e vitit 1962. Pavarësisht marrëdhënieve jo fort të mira me ish- Jugosllavinë, shteti komunist shqiptar ka arritur disa marrëveshje për shfrytëzimin e ujërave.

[23] Folklori dhe folkloristika (1982: 2)

[24] Haki Stërmilli, (1940: 3) “Dibra në prag të historisë”.

[25] Të dy citojnë termat “Topallti” dhe “Malësi”, por pa burime dhe të dhëna dhe vetëm në traditën e mundësitë që kanë pasur për të marë të dhënat gojore, ndaj mund të kosniderohen edhe si të pranueshme, pasi të dy janë seriozë dhe kanë dhënë prova në fushën e shkrimeve të tilla. 

[26] Instituti i Historisë i Republikës së Shqipërisë (arkivi), kopja e Defterit Emëror të Vilajetit të Dibrës, Dulgobordës, Rjekës, Çermenikës, dhe të tjerëve/u shkrua në muajin Shaban i nderuar, zoti e lartoftë! Në vitin 871 të Haxhiresë/mars 1467. Përkthyer nga Vexhi Buharaja.

[27] Toncheva, V. (2009) Autori i parë që i kushtoi një studim të veçantë zonës, duke e përshkruar atë gjeografikisht dhe etnografikisht, ishte Dr. M. Filipović (në serbisht), i cili, sipas tij, “ndodhet në veriperëndim të lumit Drin tërësisht në fushën e Dibrës” (Filipović 1940: 9). Ishte ai që për herë të parë vendosi ndarjen e brendshme ekzistuese të zonës së Dolno dhe Gorno Golo Bardo - e para e identifikuar si Ramna Gora (pjesa veriore, e poshtme), dhe e dyta si Mali (pjesa jugore, malore), pra duke i emëruar banorët si fushor nga Dolno Golo Bardo dhe si malsor (shopoi) nga Gorno Golo Bardo përkatësisht (Filipović 1940: 9-10, shiko gjithashtu Limanoski 1993: 258).

[28] Sadikaj, H. (1999) “Gollobordasit e sotëm” fq. 17. 

[29] Toncheva, V. (2009) Sipas autorëve maqedonas, informacioni është regjistruar për një emër më të vjetër të rrethit - Dalgo (D'lgo, Dulgo, Dolgo) Brdo dhe kjo konfirmohet në studim, por edhe në "fletoret e vjetra të regjistrimit turk" nga 1583 (Svetieva 2006b: 10, shiko dokumentet turke 2000). N. Limanoski madje citon një burim edhe më të hershëm – “fletoren e gjerë të regjistrimit 508 të 1467”, ku Golo Brdo është regjistruar si Vilayet - I Dolgo Brdo (Limanoski 1993: 258, shiko dokumentet turke 1976: 363-388). Në burimet bullgare nga fundi i 19 - fillimi i shekullit XX ky emër nuk është gjetur, zona quhet Golo Bardo

[30] Cituar tek Sadikaj, H. (1999) Gollobordasit e sotëm, faqe 54. I. S. Jastrebov, Akademija Mbretërore Srbe, Përkujtesa e XVI-të, “Serbia e vjetër dhe Shqipëria”, shënime udhëtimi, Beograd. 1904. Fq. 126. Sami Frashëri, vepra I Dheshkronja fq. 412-424, në numrin 5 regjistron toponimin e krahinës “Kollobardha” dhe tregon shtrirjen e saj gjeografike.

[31] Borina, emri që në disa fshatra u vihej pishave, dhe aty quhej në gjuhën e tyre “borje”, kjo sipas dëshmive të grumbulluara në vitet 1983-85 në zonën e Ostrenit të Madh dhe të rrëfyera nga intelektuali Beqir Tola nga lagjja Kamen. 

[32] Nina, Sh. poezi: “Ne Klenjë ku këndon Bajram Buziu/dhe vallen e heqin i vjetri dhe i riu/kostumet tradicionale qëndisur me ar/ti shohim veshur për to kemi mall…”

[33] Светлозар Елдъров; Българите в Албания 1913-1939; Изследване и документи (София: 2000). Svetlozar Eldarov: Bullgarët në Shqipëri 1913-1939; Kërkime dhe dokumente; (Sofje: 2000)

[34] Sipas Profesorit Kristo Frashëri, përgjigjen e ka dhënë populli trim i Gollobordës me luftërat e tij kundër pushtuesve serbë dhe bullgarë. Fjala gjatë ceremonisë së akordimit të titullit “Qytetar Nderi” nga Komuna e Arrasit e Dibrës, në Muzeun Historik Kombëtar më datën 26 maj 2008

[35] T. Popovski, “Makedonskoto nacionallno mallcinstvo vo Bullgarija, Gorcija, i Albanija”. Skopje, 1995. (T. Popovski, “Pakicat kombëtare maqedonase në Bullgari, Greqi dhe Shqipëri”. Shkup, 1995.)

[36] Niazi Limanovski: “Islamizacijata i etniçkite promeni vo Makedonija.” Skopje 1993, str. 258. (Niazi (Limani) Limanofski: “Islamizimi dhe ndryshimi etnik në Maqedoni.” Shkup 1993, fq. 258 dhe në vazhdim.

[37] Bashkim Bekteshi, “Flaka e Vëllazërimit”, 20 mars 1994, artikulli: “maqedonët e muslimanizuar, janë shqiptarë të asimilar”

31 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page