top of page

Kamera artistike e Sotir Athanasit...

Updated: Jan 30


Kozma Gjergji

      RRETH PROZËS TË SOTIR ATHANASIT 

                        Nga Kozma Gjergji 



    Shkrimtari Sotir Athanasi, me të cilin nëpërmjet revistës "Fjala e lirë" jemi bërë miq, më dërgoi dhuratë dy botimet e tij më të fundit: vëllimin me tregime "Romancë nën Harkun e Triumfit" dhe romanin "Polen gruaje".

   E falenderoj për këtë gjest miqësor-shprehje e respektit dhe konsideratës ndaj meje. Kësisoj vetvetiu ky gjest kthehet në dëshirë obligative për t'i lexuar ato e shprehur përshtypjet e mbresat. Këmbimi i "prodhimeve", ndarja e gëzimit me miqtë dhe kolegët krijues është jo vetëm kënaqësi, por edhe nevojë për të ditur vlerën e vërtetë të veprës. 

    Është e mërzitshme kur këtë "dhuratë" ta "ngec" ndonjë nga ata që bëjnë vetëm libra, por kurrsesi letërsi. Nuk shpëtova dot edhe së fundmi kur isha në atdhe. Sesi m'u gjend befas përpara një i tillë. Pasi më përshëndeti buzagaz me shumë "mall", hapi çantën dhe nxorri librin e tij të sapobotuar, shkroi autografin e ma "dhuroi", duke më kërkuar lekët. E pagova menjëherë dhe u largova. 

  


 Pak më vonë e shfletova pa ndonjë kureshtje, sepse e dija ç'mall ishte. Pashë i çuditur se librin ia prezantonte me një parathënie të gjatë një personalitet i njohur. Prof. Dr. Damllaja e ngrinte në qiell "veprën" dhe autorin për "risitë" e veçanta dhe "zbulimet" e mëdha "filozofike", siç ishte ndër të tjera ai përse bagëtia ndërzeheshin e hanin bar… 

      Nuk e bëj fare fajtor grafomanin, por "personalitetin", i cili e çorodiste dhe mashtronte lexuesin, duke ia shitur krundet për flori. Po le të mos largohemi nga tema. Me tregimet e z.Athanasi jam njohur te "Fjala e lirë" dhe për secilin jam shprehur. Si në ato, dhe në këtë kolazh ai sjell në mënyrën e tij me thjeshtësi e sinqeritet një tematikë të pasur dhe jetësore, sjell ngjarje tërheqëse dhe karaktere interesantë e të besueshëm. 

        Mesazhet dhe porositë vijnë natyrshëm e të motivuara, orientuar gjithnjë drejt vlerave të larta njerëzore, humane, lirisë, demokracisë, progresit dhe për ta përsosur njeriun. Shkrimtari ka bërë kujdes të mos e lodh e mërzit lexuesin, duke shmangur rrëfimin proliks e pa ritëm, subjektet e ndërlikuara dhe sajesat artificiale. 

        Gjithashtu pasqyrimi me realizëm i ndodhive, skenave dhe episodeve është tipar karakteristik i prozës së tij, sa të duken gati si një kopje besnike e jetës. Për fillimin e tregimit mund të bëhet shkas, ashtu si rastësisht, një ngatërresë njerëzore nga e cila shkaktohet një dramë e tërë, si tek "Romancë nën Harkun e Triumfit", apo një pikturë si tek "Petroninasi dhe Alkatrozi", ose një çast tepër prekës siç është ndjeshmëria e solidariteti i mësueses dhe vogëlushëve për bashkënxënësen e sëmurë tek "Për vogëlushen Adriana në Lozanë", apo te tregimet pasus "Fundi "Belami", "Kërcimtaria magjistare" etj. etj. 

       Kamera artistke e Sotir Athanasit fokusohet edhe në mjaft plagë therëse të regjimit të kaluar, të trazicionit, emigracionit dhe aktualitetit, të cilat grupohen në ciklin "Takim i autorit me personazhet e tij ". Ndër më pikantet janë ato që trajtojnë luftën e klasave, si "Lili, moj Lili,  dhe zonjushë Jalldizi", ose për hijet e sigurimsave: "Rekuim për një kryengritës", apo ato për sakrificën njerëzore në emër të dashurisë si, "Kasandra shpëton, por edhe shpëtohet", "Më ka marrë malli për nënën time", "Stadi "xha Gorjo" ose preludi i braktisjes" etj. etj. 

       Vetëkuptohet se duke fituar gjithnjë e më tepër përvojë e siguri me lëvrimin e tregimit e novelës, do të vinte natyrshëm edhe kalimi te romani. Dhe duhet thënë që autori ia ka dalë  me sukses. Ngjarjet e "Polen gruaje" zhvillohen në kohën e regjimit komunist dhe përfundojnë me shëmbjen e tij. Vendi është qyteti bregdetar në të cilin janë të pranishëm turistë. 

       Kryepersonazhi që i gjeneron ato është Luan Majlindi, biri i shifrantit të ambasadës sonë në Paris. Dashuria e tij me një bashkënxënëse pariziane, që rastësisht e shpëtoi nga mbytja në lumin Sena, (atëherë dashuria me një të huaj quhej krim e tradhëti,) u bë shkak ta kthenin në atdhe dhe të pësonte burgun e një kalvar vuajtjesh. I vetmi gëzim që do t'i mbeste ishte qeni dhe fletorja me kujtime për parizienen e të bijën me të. Ky fajtor i pafaj i dha fund jetës me vetëdjegie. 

         Drama tronditëse e këtij personazhi i ka dhënë dorë autorit të shtjellojë e verë në kontrast mjaft çështje si p.sh. raportet e lirisë me diktaturën, të të burgosurit me ekzekutorët e plotë motive të tjera si dashuria e marrdhëniet e Poetit me parizienen e të bijën, të cilat erdhën në Shqipëri të takoheshin me Luanin, por që fatkeqësisht gjetën vetëm varrin e tij dhe si ngushëllim fletoren me kujtime që ai e kish lënë amanet tua dorëzonin. 

        Duke përfunduar i uroj suksese z.Sotir Athanasi dhe dashamirësisht i them se romani do kishte fituar më shumë nëse do ta kishte shtrydhur edhe më fortë lëndën e tij, ashtu siç ka vepruar me shumicën e tregimeve. 


                  Kozma Gjergji. 

167 views4 comments

4 Comments


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Oct 19, 2020

Miq e kolegë të respektuar: z.Resmi, z.Myslim, z.Sotir! Ndjehem i nderuar e i përkëdhelur nga vlerësimet tuaja prej krijuesish të shquar. Këtë shkrim e quaj veç një skicim të shpejtë të karakteristikave më kryesore të prozës së z.Athanasi.

Ju uroj gjithë të mirat dhe përshëndes përzemërsisht! Kozma Gjergji.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Oct 17, 2020

S.Athanasi:

Lexova me vëmëndje të veçantë Esen dinjitoze e plotësisht estetiko-profesionele të prozatorit e kolegut tim Kozma Gjergji, matanë Adriati- kut dhe për një çast rikujtova vitet e rinise, këtej detit, në Tiranë. Të asaj kohe kur dikutonim me njëri-tjetrin në shoqërine tonë "Xingografia", idetë e subjekteve përpara se t'i shkruanim ato. Këtë m'a përforcoi edhe komenti tejet dashamir e i sinqertë i prozatorit e poetit të talentuar z.M.Maska. Ndjehem i privilegju-ar ne shoqërinë e tye virtuale

dhe mirëpres dhe përcjell gjith- ashtu vërejtjet, paçka se shënimet e mia i nënshkruaj "Xingografia".

Ju falenderoj dhe ju uroj mbarë-si krijuese!

Xingografia!

Like

mich.maska
Oct 15, 2020

Urime Z. Gjergji per kete studim emocional , te vemendshem dhe analitik per krijimtarine

e mirepritur dhe te sukseshme te shkrimtarit Athanasiu, qe fatmiresisht e kam lexuar, dhe jam plotesisht dakord me mendimin tuaj.

Urime Z. Athanasiu per vlersimin e bere nga nje njohes teper serioz i prozes, poezise, dhe drames si Z. Gjergji.

Me shume respekt dhe dashuri, Myslim Maska.

Like

Resmi Osmani
Resmi Osmani
Oct 15, 2020

Refleksione te nje krijuesi per nje krijues, kur jane te sinqerta dhe objektive, si ne kete rast, me bindjen e shprehur se kemi te bejme me vlera te qenesishme, ashtu siç i gjejme ato ne krijimtarine e Sotir Athanasiut, i bejne nder vleresuesit,por edhe inkurajojne shkrimtarin, per ti dhene nxitje per krijimtarine ne vijimesi.

Si njohes dhe lexues i krijintarise se Sotir Athanasiut, jam i nje mendimi me ju z.Kozma Gjergji.Mund te shtoj edhe se S.Athanasiu, eshte origjinal dhe disi i veçante ne stilin e tij.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page